Kërko

Vatican News
 Fondazione Fiya Arouse aiuta poveri, bisgoniosi durante it tempo pandemia in India Fondazione Fiya Arouse aiuta poveri, bisgoniosi durante it tempo pandemia in India 

Caritas internationalis: të varfërit, sfidë për dëshminë e krishterë

Mesazhi vjen nga imzot Cibambo, asistent kishtar i Caritas Internationalis, me rastin e Ditës botërore të të varfërve, që kremtohet sot. Njerëzit, të cilët jetojnë në varfëri, duhet të jenë pjesë aktive e ndërtimit të një shoqërie të drejtë, që nuk përjashton askënd, “sepse në Krishtin jemi të gjithë një gjë e vetme”.

R.SH. - Vatikan

Dora, që ne ia shtrijmë të varfërve, nuk është vetëm dorë që ndan, por edhe dorë që ka nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për të varfërit, aq sa kanë ata nevojë për ne! Këtë pohon imzot Pierre Cibambo, asistent kishtar  i Caritas Internationalis, në një mesazh me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve, që kremtohet sot.

Imzot Cibambo nënvizon se të varfërit “na nxisin të bëhemi  gjithnjë më shumë dëshmitarë të Krishtit”, “na ftojnë t’i hapim zemrat e ta shndërrojmë vizionin tonë të ngushtë e të pushtuar nga mendësia e botës, për të parë Krishtin”. Mesazhi i këtij viti është: “Shtrija dorën tënde të varfërit” (Sir 7,32) – shpjegoi asistenti kishtar i Caritas Internationalis - E kjo  ftesë na drejtohet të gjithëve, në një vit kur shumë prej nesh janë mbyllur brenda shtëpive, jashtë botës, për t’u mbrojtur nga pandemia e koronavirusit. Por Karitasi - shton imzot Cibambo -  dëshmoi se “dashuria nuk mund të mbyllet në vetvete, as t’i mbyllë sytë para të varfërve e të ligshtëve, në një çast kur kanë aq shumë nevojë”. Kujtoi, më pas, se “misioni i Karitasit, që është të dëgjojë e të shoqërojë”, çohet përpara nga një mori vullnetarësh, të cilët punojnë me përkushtim, pa asnjë interes, për ndërtimin e një bote më të mirë.

Të varfërit: përfshirje e drejtësi

Në mesazhin e tij, imzot Cibambo thekson, më pas, se siç e kanë pohuar  disa Papë. “Karitasi është në qendër të Kishës” e se Dita botërore e të varfërve është një çast që të kujton e të fuqizon përkushtimin për t’i vënë të varfërit në qendër të Kishës, “për t’i ndihmuar e për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në të katër anët e botës”.

Misioni ynë - vijon asistenti kishtar i Caritas Internationalis - është  t’u sigurojnë njerëzve që jetojnë në varfëri, mundësinë të bëhen pjesë aktive “në ndërtimin e një shoqërie përfshirëse e të drejtë, të një Caritasi transformues e të një Kishe mikpritëse”. Imzot Cibambo vë në pah  edhe se 15 nëntori është “Dita botërore e të varfërve” e jo “për të varfërit”, sepse nuk kufizohet të ndajë një pjesë të pasurisë së saj me të varfërit, por edhe merr diçka prej tyre. “Në një bashkësi të vërtertë të krishterë nuk mund të ketë anëtarë që japin, e anëtarë që marrin”.

Mësimi, që na japin të varfërit 

Vetëm të afërmit e ndajnë gjënë me njëri-tjetrin! E ne, në Krishtin, nuk jemi vetëm të afërm, “jemi një gjë e vetme” - theksohet në mesazhin e asistentit kishtar të Caritas Internationalis, imzot Cibambo, i cili na inkurajon të reflektomjë sa mund të mësojmë nga të varfërit, në nivel personal e komunitar. E, në përfundim, pohon: “Dora e shtrirë është shenjë: shenjë që flet menjëherë për afërsinë, solidaritetin, dashurinë. Në Ditën botërore të të varfërve, t’i shtrijmë së bashku duart, si familje e vetme, në solidaritet global, për të ndërtuar një shoqëri përfshirëse e të drejtë dhe një Kishë mikpritëse e transformuese!

13 nëntor 2020, 14:35