31 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

Më 9 nëntor bota kujton 31-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Ende sot, është e nevojshme të kujtohet historia e ndarjes së Berlinit më dysh e, edhe historia e ndarjes së Evropës në Perëndim e në Lindje. Muri i Berlinit ishte, pa dyshim, simboli që dëshmonte se andej e këndej atij kufiri të urryer, gjallonin dy botë të ndryshme, dy ideologji, dy qëndrime të kundërta ndaj popullsisë, ndaj lirisë, ndaj ndërgjegjes. Vlera qё duhen mbrojtur e kultivuar nё çdo shoqёri.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, ra Muri i Berlinit prej 155 kilomerash, që ndante Gjermaninë Perëndimore nga ajo Lindore, që për ironi të fatit quhej “Demokratike”, pra, ra, duke shënuar fundin e komunizmit e të socializmit, i cili e kishte lënë Evropën me një këmbë. Kështu, kjo ngjarje që është bërë simboli i rënies së komunizmit të Evropë.

Prej atij 9 nëntori të vitit 1989 shumë gjëra kanë ndryshuar jo vetëm në ish-Lindjen komuniste, por edhe në vetë Evropën, e cila ka integruar tashmë në gjirin e Bashkimit Evropian disa nga vendet e ish-bllokut sovjetik. Është domethënëse, që bastioni i fundit i komunizmit në Evropë, Shqipëria, fitoi të drejtën të qarkullojë lirshëm e pa viza vetëm një ditë para 21- vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, më 8 nëntor 2010. Kështu ky mur ra edhe për Shqipërinë e vazhdon të bjerë sa herë që Vende, apo Popuj fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta dhe Evropa bashkohet gjithnjë e më shumë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake: franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike. Këtë fat pati edhe qyteti i Berlinit. Natyrisht, nën thundrën e sovjetikëve, nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz u larguan nga Gjermania Lindore për të shkuar drejt perëndimit të lirë, të sigurtë se do të gjenin një jetë më të mirë. Mendja e sëmurë e komunistëve shpiku ndërtimin e një muri, për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu simbol i mungesës së lirisë së tyre.

Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetën 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor. 10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor. Muri u përforcua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai u bë një kulçedër me 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi.

Në qershor të vitit 1963, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, John F. Kennedy vizitoi Berlinin Perëndimor, ku mbajti një fjalim të fuqishëm kundër ngritjes së Murit, një nga çastet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, e cila shoi jetën e qindra njerëzve, që u përpoqën të kalonin këtë mur me njëmijë mënyra. Sipas të dhënave zyrtare, 270 vetë u vranë duke u arratisur e 3200 të tjerë u arrestuan. 5 mijë vetë arritën të kalonin në Berlinin Perëndimor. Mëse 75 mijë të tjerë u burgosën vetëm sepse mendonin të arratiseshin e, fatkeqësisht, u zbuluan.

Në vitin 1987, një tjetër president i Shteteve të Bashkuara, Ronal Reagan, vizitoi Berlinin, nga ku i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik, Mikail Gorbaçov, ta hapte atë portë e ta shembte atë mur. Në tetor të vitit 1989, Gorbaçovi vizitoi Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të ndarjes së Gjermanisë dhe i bëri thirrje udhëheqësve gjermano-lindorë të ndiqnin reformat, që ai vetë kishte filluar në Bashkimin Sovjetik.

Më 9 nëntor 1989 në Berlinin Lindor u mbajt një konferencë shtypi. Shefi i medias së Partisë Komuniste, Gynter Shabovski u tha gazetarëve se byroja politike do t’u lejonte njerëzve të shkonin në perëndim. Brenda disa minutash, pas deklaratës së tij, gjermano-lindorët u vërsulën drejt postave të kufirit dhe në mesnatën e 9 nëntorit qindra mijëra prej tyre vërshuan drejt Perëndimit. Rojet u kapën në befasi, askush nuk kishte marrë urdhër për ndonjë veprim. Pas disa orësh ankthi, kur u pa se as trupat sovjetike nuk hapën zjarr, rojet lanë pozicionet ndërsa njerëzit kalonin kufirin. Kujtojmë se 136 persona u vranë, në përpjekje për të kapërcyer murin nga viti 1961 deri më 1989.

Me 09.11.2009 me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, jezuiti Atë Federiko Lombardi shkruante:
“Për rreth 30 vjet, ata që ishin përpjekur ta kapërcenin duke ikur drejt lirisë kishin rrezikuar jetën, dhjetëra e dhjetëra vetë kishin vdekur para syve të tmerruar të dëshmitarëve të rastit. Besonim se burgu i madh i mbrojtur nga ai mur – e më gjerë nga “muri i hekurt” simbolik, që ndante Evropën më dysh – do të rezistonte akoma edhe për shumë vjet.
Por, aspiratat e lirisë dhe dobësitë e brendshme të regjimeve, të bazuara mbi një ideologji armike me Zotin e me njeriun, kishin punuar thellë në popujt e Lindjes, duke përgatitur një shembje epokale, e pashoqëruar – fakt ky fatlumë e i rrallë – nga derdhje të mëdha gjaku.
Pa dashur të thjeshtojmë një proces historik jashtëzakonisht të ndërlikuar, na vjen spontanisht kujtimi i rolit të Papës Gjon Pali II, i udhëtimeve të tij në Poloni, e cila kishte mbetur gjerësisht e besnikërisht katolike, dhe i pasojave të tyre në aspiratat e kërkesat për liri të atij populli e të popujve fqinjë. Kur Papa Wojtila i moshuar kalonte më në fund nën Portën e Brandeburgut, jo vetëm Gjermania ishte bashkuar, por Evropa merrte frymë me dy mushkëri, Lindje e Perëndim. Feja e krishterë kishte treguar se kishte kontribuar edhe një herë në bashkimin e në qytetërimin e kontinentit, duke kapërcyer provën e tmerrshme të ateizmit shtetëror. Është mirë të kujtohet kjo gjë, sa herë dikush ngul këmbë në reduktimin e kësaj feje në fushën e ngushtë private.
Por fatkeqësisht, në botë u ndërtuan e po ndërtohen mure të tjera. Do të vazhdojmë të impenjohemi, duke pritur që të festojmë më në fund, edhe padobinë e shembjen e tyre”.

09 nëntor 2020, 13:03