Kërko

ongoing-conflict-effects-on-more-yemen-childr-1542391401266.jpg

Treguesi Global i Urisë 2020: gjendje e rëndë në 51 vende

Paraqitet edicioni i pesëmbëdhjetë i Treguesit Global të Urisë: pavarësisht nga disa përmirësime, gjendja mbetet e rëndë dhe Objektivi Uria Zero do të mund të arrihet në vitin 2030 vetëm nëse rishikohen sistemet e ushqimit. Për shkak të pandemisë, numri i njerëzve në uri e skamje mund të dyfishohet.

Bëhet i njohur Treguesi Global i Urisë 2020 (Global Hunger Index, GHI), që vë në dukje një farë përmirësimi krahasuar me fillimin e shekullit: në fakt në vitin 2000 gjendja ishte serioze, ndërsa sot është disi më e mirë. Megjithatë, në shumë zona, bëhen hapa tejet të ngadalta përpara dhe uria mbetet akute. Nga pikpamja statistikore, përqindja e njerëzve të kequshqyer në botë është e qëndrueshme, por numri absolut është në rritje, megjithëse pak: në vitin 2019 popullsia e botës me probleme ushqimore arrinte në 8,9%, pra, në rreth 690 milion njerëz.

Katër tregues

Treguesi Global i Urisë, që llogaritet prej vitit 2006 nga Welthungerhilfe dhe Concern Worldwide, është një nga raportet kryesore ndërkombëtare për matjen e urisë në botë. Edicioni i pesëmbëdhjetë u paraqit në internet, gjatë një takimi, në të cilin u shpjegua se në të analizohen katër faktorë: kequshqyerja, rrëgjimi i fëmijëve, ndalimi i zhvillimit të tyre dhe vdekshmëria e të vegjëlve nën pesë vjeç.

Në 51 shtete gjendja është alarmuese, ose e rëndë

 Nga Treguesi Global i Urisë 2020 vërehet se në botë, uria është vërtet në një nivel jo shumë të lartë, pra, ka përmirësime në krahasim me 20 vite më parë, por uria dhe kequshqyerja mbeten problem në shumë realitete: 11 vende regjistrojnë nivele urie “alarmuese”, ndërsa 40 të tjera i përkasin kategorisë “serioze”. Sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara, gati 700 milion njerëz në botë nuk kanë ç’të hanë, përfshirë 144 milion fëmijë, që vuajnë nga moszhvillimi e 47 të tjerë nga rrëgjimi.

Rajonet më të goditura

Azia Jugore dhe Afrika në jug të Saharasë janë rajonet me nivelet më të larta të urisë, respektivisht, me 230 dhe 255 milion njerëz të paushqyer. Në këto zona, një ndër tre fëmijë vuan nga moszhvillimi. Afrika në jug të Saharasë ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në botë, ndërsa Azia Jugore ka shkallën më të lartë të rrëgjimit të fëmijëve në botë. Nëse flitet për vende të veçanta, në krye të listës gjejmë Çadin, Timorin Lindor e Madagaskarin, pasuar nga Burundi, Komoret, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Siria, Somalia, Sudani i Jugut dhe Jemeni.

13 tetor 2020, 08:25