AZERBAIJAN-ARMENIA-KARABAKH-CONFLICT AZERBAIJAN-ARMENIA-KARABAKH-CONFLICT 

Nagarno-Karabak, Imzot Minassian:"Të fuqishmëve u them: ndaloni luftimet”

Nagarno-Karabak: Imzot Minassian (Jerevan), "të fuqishmëve u them: ndaloni së përfituari nga të vegjlit. Është një abuzim kundër njerëzimit".

R.SH. - Vatikan

“Nuk kam më fjalë për të përshkruar të keqen që po shohim. Fatkeqësisht, armëpushimi jo vetëm që nuk funksionoi, por po sulmohen civilët e fshatrat dhe kur bie një bombë, gjithmonë vret dikë. Pse para kësaj situata Evropa dhe Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs nuk thonë asgjë. Po bëjnë të njëjtën gjë që kemi lexuar në librat e historisë: dhe askush nuk bënë asgjë. Ajo që dhemb më sё shumti është të ndihesh i braktisur ”. Kёshtu shprehet imzot Raphaël François Minassian, kryeipeshkёv për armenët e Evropës Lindore. I kontaktuar në telefon nga agjencia e lajmeve SIR, imzot Minassian, nga Jerevani, rrëfen pёr situatën nё vend dhe luftimet në Nagorno-Karabak.

U deshën orë të tëra bisedimesh, të ndërmjetësuara nga Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse Sergei Lavrov, për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, por shumë më pak për ta shkelur atë. Pak kohë pasi armëpushimi hyri në fuqi, Azerbajxhani akuzoi Armeninë për sulme në disa qytete të mëdha, duke përfshirë Ganja dhe Armenia nga ana e saj akuzoi Azerbajxhanit se kishte gjuajtur një raketë në qytetin armen Kapan. Të shtëna me armё ka pasur edhe në Stepanakert, kryeqytet i Republikës së Artsakh (Nagorno-Karabak). Ipeshkvi Minassian tregon "me trishtim të thellë" pёr 6 mijë refugjatë qё ka shkaktuar deri mё tani lufta. Dhe me qindra, në mos një mijë, janё tё plagosur. Shumica trajtohen e kurohen në vend ndërsa ata qё janё nё gjendje të rëndё transportohen në Jerevan.

Thirrja e ipeshkvit armen i drejtohet Evropës: "Tani është koha e duhur për ta deklaruar këtë zonë si të pavarur dhe autonome siç janë të gjitha vendet e botës. Tani është koha e duhur për të thënë që njerëzit kanë të drejtë të jetojnë në tokën e tyre. Historia dëshmon se populli armen ka jetuar në këtë rajon që nga kohërat tejet antike, madje edhe para krishterimit. Prandaj, askush nuk e pushtoi tokën ose pronën e të tjerëve. Duhet të themi të vërtetën dhe t'ia bëjmë të qartë këtë botës: ne nuk duam të pushtojmë tokat e të tjerëve. Ne nuk duam të privojmë asnjë popull, cilido qoftë ai, nga e drejta për autonomi".

Kryeipeshkvi Minassian i fton të gjitha palët të braktisin rrugën e konfliktit të armatosur dhe të ulen rreth së njëjtës tryezë për të gjetur një zgjidhje paqeje. Dhe shton: “Nuk duhet të jemi ne viktima të diskutimeve gjeopolitike dhe tё interesave ekonomike të vendeve të tjera. Të pushtetshmëve tё tokës do të doja t'u thosha: pushteti mbi këtë botë është i përkohshëm. T’ua lëmë trashëgimi paqen brezave që do të vijnë pas nesh. Ndaloni së përfituari nga të vegjlit. Është një abuzim kundër njerëzimit”.

Dje, pranë Selisë Nënë të Etchmiadzinit të Shenjtë e nën udhëheqjen e Karekin II, Patriark i Lartë e Catholikos i të gjithë Armenëve, u mbajt një lutje për paqe. “E keqja - komenton Minassian - është mbi të gjithë armenët. Nuk ka apostolikë ose katolikë. Ka të krishterë armenë dhe të gjithë vuajnë në të njëjtën mënyrë. Arma jonë e vetme është Ungjilli. Në të gjitha Kishat, apostolike dhe katolike, po lutemi pёr paqe. Lutja është për të gjithë dhe të gjithë luten”.

Edhe të dielën e kaluar, për herë të tretë në fund të lutjes Engjёllit Tёnzot, Papa Françesku bëri një thirrje  edhe njё herё për një armëpushim e shprehu dhimbjen e tij për "humbjen e jetëve tё njerëzve, për vuajtjet e pësuara, si dhe për shkatërrimin e shtëpive dhe tё vendeve tё kultit". “Fjalët e tij janë një ndihmë shumë e fortë shpirtërore. Ne besojmë në dashurinë dhe lutjen e tij ”, përfundon imzot Minassian.

12 tetor 2020, 15:25