Kërko

Dom Prek Ndrevashaj, meshtar,  poet e përkthyes shumë i talentuar Dom Prek Ndrevashaj, meshtar, poet e përkthyes shumë i talentuar 

Dom Prek Ndrevashaj në përvjetorin vdekjes

Dom Prek Ndrevashaj, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të shkrimtarit prof. Ernest Koliqi, la trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave, edhe përkthimin, në dialektin gegë, të Mesharit Romak të të dielave dhe të disa Psalmeve të Biblës.

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 1 tetor, kujtojme Dom Prek Ndrevashaj, në përvjetorin e kalimit ne amshim. Prifti shqiptar dom Prek Ndrevashaj, lindi në Brashtë të Shoshit, në Dukagjin, më 24 qershor 1928, në familjen e njohur për trimëri e urti të Sokol Ndrevashajt, ndërsa i mbylli sytë përgjithmonë nga një infarkt në zemër, në sa kishte shkuar për vizitë prej Amerike, ku jetonte, në Shkodër, më 1 tetor 2004.

Nxënës i Kolegjit të famshëm Saverian të Etërve Jezuitë, dom Prek Ndrevashaj u nis herët për rrugën meshtarake, në sa njihej si një nga seminaristët më mprehtë, më të kulturuar e më premtues të shkollës. Arriti të merrte dëftesën e pjekurisë, kur portat e Kolegjit po mbylleshin, për t’u rihapur pas një kohe tepër të gjatë. Në vend të studimeve të larta, nisi rrugën e Kalvarit.

Në fillim shërbeu si mësues në Dajç, më pas në Burrel e në Mat, vende që të kujtojnë burgje e kampe përqendrimi; pastaj, duke dëshiruar me gjithë zemër të bëhej prift, u vendos në Tiranë, ku studioi filozofinë e teologjinë nën drejtimin e At Pjetër Meshkallës, asokohe në Kryeqytet. Këtu u burgos e, në sa transferohej me pranga në duar për në burgun e Shkodrës, ia doli mbanesh të ikte e më pas, së bashku me nënën e motrën, rregulltare servite, të kapërcente kufirin e Shqipërisë e të hynte në Jugosllavi. Më 1961, pasi pati shërbyer si mësues në Gusi të Malit të Zi, arriti të regjistrohej në Universitetin papanor Urbaniana në Romë dhe kështu të realizonte dëshirën më të madhe të jetës: shugurimit meshtar, e më 20 dhjetor 1961 kremtoi Meshën e parë.

Prej këndej nisi misionin meshtarak si kapelan për shqiptarët e arratisur në Itali e më vonë në Amerikë. U vendos në Detroit-Miçigan, ku krijoi famullinë e parë të shqiptarëve dhe ndërtoi kishën “Zoja-Pajtore e Shqiptarëve”, në të cilën shërbeu deri në moshën e pensionit. Më 1991, kur iu hapën rishtas portat e Atdheut, nisi të shtegtonte shpesh drejt Shqipërisë, gjithnjë i ngarkuar me ndihma. Ishte në Shqipëri, e pikërisht në Shkodër më 1 tetor 2004, kur zemra e tij fisnike pushoi së rrahuri.

Dom Prek Ndrevashaj, poet e përkthyes shumë i talentuar, bashkëpunoi me revistën ‘Shêjzat’ të shkrimtarit prof. Ernest Koliqi, ku botoi disa poezi që shquhen për fjalorin e tyre të pasur, karakteristik për të folmen e Dukagjinit. La trashëgim disa dorëshkrime të vyera, ndërmjet të cilave, edhe përkthimin, në dialektin gegë, të 'Mesharit Romak' të të dielave dhe të disa 'Psalmeve' të Biblës. Më 3 tetor 2004 edhe u varros në varrezat Rrëmajit në Shkodër, duke realizuar një ëndërr tjetër të dashur: pushimin në paqe në tokën amtare.

Poeti Don Prenke Ndrevashaj i kendon keshtu ne poemthin “Buzmi”**:

Ushton flaka lakmueshem e i perqafet
Njanit unak here tjetrit,
Si Foshnja Ejllore;
Rroket me zemra te pergjumshme
e u uron kenaqe e bekim!”
Keshtu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe ne Shqiperi; qe shume kohe para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tone Jezu Krishtit qe, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndale çdo vjete mes rranxave te vetmueme:
“O Nate e bardhe, me shekuj t'u bame flí
te keto rranxa te vetmueme, ne lufte me jete,
E me duhma t’ortekut ktu per bri!
Veç ti s’harron me u ndale te na çdo vjete!”.

 

Dom Prek Ndrevashaj: KUR ÇERDHJA E SHQIPEVET


Kur çerdhja e Shqipevet u mbush me gjak

 e zogjt e tyne i plandosi mizori

n'mjerim, edhe vetë dielli atëbotë u pak!

 

 Shqipet tona ateherë flutruene,

male e dete ato kaluene,

Fé dhe Flamur ktu na i prune.

 

Llagemat kanë qellue Faltoret tona.

Janë permbyzë gjoksa, tempuj te Perendisë.

Ra muzgu. N’ Kodër Shéjt mejti kumbona.

 

Shqipet tona atëherë flutruene,

male e dete ato kaluene,

Fé dhe Flamur  ktu na i prune.

Kiza e pergjakun iau kalon te tanavet...

mbi Flamur tonë... e mbi çdo krye njeriut

që kemin nuk dishron t' ua truej tiranavet.

 

Shqipet tona atëherë flutruene,

male e dete ato kaluene,

Fé dhe Flamur ktu na i prune.

 

Çmendje ma të madhe se me u kapë me Zotin

s'ka. Dyerët e shpirtit ti mbyllën tiranat,

o popull! S' gjindet kush me ta shi lotin.

 

Shqipet tona fluturojnë,

male e dete ato kalojnë

fé dhe Flamir na i kallxojnë.

 

Të ndritun janë Burrat nëpër kambësi t'hueja

që shkruen per Shqipe plot nderime e lavde.

Sot Bota bindet per shembtime tueja!

 

Shqipet tona por flutrojnë,

male e dete ato kalojnë,

Fë dhe Flamur na i kalloxjnë.

 

Tuhatëshem si trincakët nga rribët e motit,

o Bijt e Shqipevet, kerkoni botën.

Ruenje Flamurin e Dashtninë e Zotit!

 

Shqipet tona do t'flutrojnë,

male e dete do të kalojnë,

Fé dhe Flamur do t'naltojnë.

Dom Prenk NDREVASHAJ

Nga Buletini Katolik Shqiptar Vol X 1989

 

Dom Prenk Ndrevashaj: Elegjí mbi Ernest Koliqin

Elegjí mbi Ernest Koliqin

Zâni i pervájshem,

kob per veshët e mí,

m’ka drithmue zemren

e m’ka zhgrehun n’lot …

Ernest i dashtun,

pse po na mblon n’zí?

Po pse me u nisë ti sot ?

Âsht dimen, ákull …

Ku me i marrë tash t’mjerat

zemra që deshtën

me hî n’vorr me ty?

N’daç i ndajnë shtetet,

n’daç i ndajnë skyferat

t’terbum me gjak nder sy …

N’daç i ndajnë detet,

N’daç i ndân e liga,

o n’daç burgimi

i patenzonë tue ndry

mbrenda t’pafájshmin

sa t’jetojë n’veriga,

t’Damòklit shpatë mbi kry’!

 

Ndalu ! Pranvera

 me’iherë tash avítet –

e nuk merzitet –

por pret Vangjelía.

Ndalu! Deh, prij-na

Neper shtiqe dritet!

Ta lypë këtë nderë Shqipnía.

 

“Ma çilni zemren,

para se n’errsinë,

te Vangjelía

e te Prindja t’mbetem…

Ju vetë do t’shifni

se e kan dashtë Shqipninë…

Por ju m’keni lanë vetem!”

 

Oh, váj! Se gjegje

s’dalka ma prej goje –

që foli aq ambel –

dje neper lamije –

hovit poer gjuhen –

e t’Parvet e troje,

me vrudh atdhedashtnije!

 

Oh, váj ! Se mbreti –

mbreti i Kangjelevet –

per xanafille

tonë – n’Symfoní t’Shqípevet

kurrmâ  s’po këndueka,

tue perspjetë zabélevet,

as nípavet, as nípevet !

Vâj! Se poéti,

mahnítsi i poétvet,

askurrmâ lyren

gjallë nuk e perkítka

per t’na ngrohë gjoksat,

as rrudhat né t’shkrétvet

mâ n’báll s’na i davaritka !

Per ty Malsori

kján, pse ti e ke dashë!

Per ty Shqiptari

kján, pse s’ka vezhgues –

per gjurmët e veta –

neper shekuj t’lashtë –

me u ba per te shestues.

Ty autoktónja

gjuh’ e gjaku i t’Parvet

t’perciell me lote

ke shndritë Hýll e Diell.

Rryeshem po kryeka

mergimi i Shqiptarvet:

Ernesti ka lypë qiell.

E tash pa rreshtun

m’nja Shtatë Hyjë po kjajnë

s’bashku me t’dhimbshem

pa kurrnji ngushllim!

Shtatë Hyjë te Shêjzat

me lot rrugët i lajnë,

por ti s’u gjegjesh shqim!

Oh, kjani ju harpa,

kjani ju lahúta,

kjani ju sázet

e zemrave t’coptueme!

Pshtjellnju ju zana,

Orë t’Shqipnisë, nder futa,

kjani dihamë t’pashueme!

Kurr Kangatarin

s’keni per t’e gjetun

ke Kroni i Çepit

as nder Tryeza mâ!

Fellin e kputun –

ah, larg e ka tretun –

kurrmâ nuk ka me i rá !

Kurrmâ n’Breg t’Bubzës

s’ke me i derdhun hirë

Valbonës s’bukur –

te ma i búkri lum !

Kurrmâ ti Shkodres –

djepit tand ma t’mirë –

s’i këndon  … që e deshte aq shum!

As miqt e dashtun

s’ke me i pritë – me i qitë:

njata që jeten

per ty kishin dhanë.

Ernest! Na thave

zemren! Kshtu s’kemë pritë …

Na mblove n’váj të tanë!

Elegjí mbi Ernest Koliqin:  nga Dom Prenk Ndrevashaj,  marrë nga  “Shêjzat” (Le Pleiadi), Numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqi

 

 

01 tetor 2020, 09:07