Kërko

3 viktima në atentatin e Bazilikës së Nicës. Dhimbja e ipeshkvijve francezë

Sulm dramatik me thikë në ambientet e Notre Dame, Bazilikës së Nicës, qytet në jug të Francës. U vranë tre vetë: një burrë 70-vjeçar, të cilit iu pre koka dhe, dy gra. Ka edhe të plagosur

R.SH. - Vatikan

Franca e francezёt edhe një herë viktima të tmerrit vrasëtar të terrorizmit xhihadist. Sot në një atentat dramatik me thikë në ambientet e Bazilikës Notre Dame të Nicës, qytet në jug të Francës, e vranë tre vetë, ka edhe të plagosur.

Kryetari i bashkisë së Nicës, Cristian Estrosi, deklaroi se është fjala për një sulm terrorist. Ministri i brendshëm francez, Gerald Darmanin, siguroi se policia po bën gjithçka është e mundur për të kapur fajtorin. Shtypi flet për një arrestim. Sulmi me thikë ndodhi sot në mëngjes, rreth orës 9, në Bazilikën Notre Dame, në qendër të Nicës, në Avenue Jean-Medecin. Pikërisht sot, bota islamike kremton lindjen e Muhametit, që për kalendarin gregorian është më 22 prill 571, por për kalendarin islamik kremtohet ndërmjet 28 e 29 tetorit.

Sapo mori vesh lajmin, kryeministri Jean Castex u largua me ngut nga parlamenti, ku duhej të paraqiste masat e reja kundër koronavirusit. Tani, i duhet të marrë pjesë në takimin, për përballimin e kësaj krize të re, në Ministrinë e Brendshme.

Lutja dhe afërsia e ipeshkvijve të Francës

Pranë dioqezës së Nicës dhe bariut të saj shpirtëror, rreshtohet e gjithë bashkësia e krishterë. Kreu i ipeshkvijve francezë, imzot Éric de Moulins-Beaufort i shprehu ndjenjat e tij përmes një tweet-i: "Lutem veçanërisht për popullin dioqezan të Nicës dhe për ipeshkvin, imzot Marceau. Zoti i ndihmoftë që të dinë si ta përballojnë këtë sprovë dhe si të mbështesin ata, që sprovohen". Duke u lutur për viktimat dhe duke kujtuar afërsinë e kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, shton: "Të dielën, për kremtimin e Gjithë Shenjtorëve, do të dëgjojmë Zotin, kur thotë: Lum veprimtarët e paqes, sepse do të quhen bij të Hyjit. Lum ju që përndiqeni për shkakun tim. Sepse i madh është shpërblimi juaj në qiell".

Dy javë më parë, vrasja e Samuel Paty-t

Franca është ende e tronditur nga ngjarja e 16 tetorit, kur, nën thirrjen “Allah Akbar”, iu pre koka Samuel Paty-t, mësuesit, që u foli studentëve për karikaturat e gazetës “Charlie Hebdo”, ku ishte vizatuar Muhameti profet. Tensioni u rrit më tej, pasi “Charlie Hebdo” publikoi karikatura të reja kundër presidentit turk Erdogan dhe pas deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Masakra e vitit 2016

E, nuk mund të mos kujtojmë masakrën, që ndodhi po në Nicë, në orën 22.30 të 14 korrikut 2016, e cila u kushtoi jetën 84 njerëzve. Një burrë me kamion, duke ecur me shpejtësi, shkeli qëllimisht turmën, që ndiqte kremtimet publike me rastin e festës kombëtare franceze, në Promenade des Anglais. Automjeti u lëshua mbi njerëzit për 1.847 metra, gjatë të cilave shoferi hapi zjarr, duke hyrë në zonën e këmbësorëve dhe duke vazhduar me zigzag, në mënyrë që të shkaktonte numrin maksimal të viktimave. Numri i të plagosurve arriti në rreth dyqind, nga të cilët pesëdhjetë, në kushte shumë të rënda. Atentatori u pengua disi nga ndërhyrja e dikujt, që, duke ecur përkrah kamionit me motorr, u përpoq ta bllokonte shoferin, por pasi u hodh në kabinën e kamionit, ra në tokë. Së fundi, atentatori u vra nga policia e kamioni u ndal në orën 22.50.

29 tetor 2020, 11:44