Shën Antoni Maria Klaret Shën Antoni Maria Klaret 

Më 24 tetor kalendari përkujton shën Antonin Maria Klaret

Shën Antoni Maria Klaret është një figurë e njohur e shekullit XIX. Në atdhe, Spanjë predikoi në të katër anët e vendit, duke fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm. Në vitin 1849 themeloi kongregatën apostolike ‘Bijtë e Zemrës së Papërlyer të Zonjës së Bekuar’, që sot njihen si ‘Misionarët Klaretianë’, të cilët në fillim të mijëvjeçarit të tretë kryejnë misionin e tyre në 65 vende të ndryshme ndër të pesë kontinentet.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar kujton sot dëshminë ungjillore të Shën Antonit Maria Klaret, themelues i Kongregatës së Bijëve të Zemrës së Zojës, një figurë e njohur e shekullit XIX.  Shën Antoni Maria Klaret lindi në Katalonjë të Spanjës më 23 dhjetor 1807, në një familje endësish katalanë, të cilëve Zoti u kishte falur dhjetë fëmijë. U shugurua në vitin 1835, në moshën 28 vjeç. Në vitin 1839 shkoi në Romë, ku i drejtoi Propaganda Fides lutjen të dërgohej si misionar atje ku kishte më shumë nevojë.

Si nuk mundi ta plotësonte këtë dëshirë, u kthye në atdhe, ku predikoi në të katër anët e vendit, duke fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm. Në vitin 1849 themeloi kongregatën apostolike ‘Bijtë e Zemrës së Papërlyer të Zonjës së Bekuar’, që sot njihen si ‘Misionarët Klaretianë’, të cilët në fillim të mijëvjeçarit të tretë kryejnë misionin e tyre në 65 vende të ndryshme ndër të pesë kontinentet.

Në vitet 1936-39, gjatë luftës civile spanjolle, 271 nga sivëllezërit e tij u mbytën për shkak të mbrojtjes së fesë. Ndërmjet tyre spikasin 51 martirët e Barbastros, shpallur të nga Gjon Pali II më 1992.

Në vitin 1849 u emërua kryeipeshkëv i Santjagos në Kubë, që asokohe i përkiste kurorës spanjolle. Arriti në vendin e ri të misionit në shkurt të vitit 1851. Iu desh të përballonte problemet e rënda morale, fetare e shoqërore që prisnin prej kohe zgjidhje në jetën e banorëve të ishullit, si bashkëjetesa pa kurorë, varfëria, skllavëria, padija etj etj, të cilave u shtoheshin dy fatkeqësi edhe më të rënda të natyrës: thatësira e tërmetet. Përshkoi katër herë me radhë dioqezën e vet, i shoqëruar nga një grup misionarësh vërtetë të shenjtë.

Fuqizoi punën e seminarit për formimin e klerit, nxiti zhvillimin e bujqësisë, duke botuar libra profesionalë e duke ngritur edhe një fermë-model në Kamaguej. Krijoi në çdo famulli arkat e kursimit, vepër pioniere për Amerikën Latine. Promovoi edukimin, duke kërkuar institute fetare e duke krijuar, së bashku me të Nderuarën Maria Antonia Paris, Kongregatën e Rregulltareve të Zojës së Papërlyer (Misionaret klaretiane). Për shkak të mbrojtjes të të drejtave të Kishës dhe të njeriut, nisi të sulmohet nga politikanët e padenjë e njerëzit e korruptuar. E kështu filluan për të kërcënimet e atentatet, në njërin nga të cilët, në Holguin, u plagos rëndë në fytyrë.

Në vitin 1857 mbretëresha i bëri thirrje të kthehej në Madrid si rrëfyes i saj. Ai u kthye e vijoi të predikojë Ungjillin në kryeqytet e në gjithë gadishullin. I internuar në Francë, arriti së bashku me mbretëreshën në Paris, ku vijoi predikimin e lajmit të mirë. Pastaj u nis në Romë ku, duke marrë pjesë në Koncilin I të Vatikanit, mbrojti me zjarr pagabueshmërinë e Papës së Romës. U rikthye në Francë, ku nisi revolucioni e me të, edhe një persekutim i ri për Shenjtin. U strehua në kuvendin e Fortfruad pranë Narbonës, ku mbylli shenjtërisht sytë më 24 tetor 1870.

Mbi varr i skalitën fjalët e Papës Gregori VII: “E desha drejtësinë e e urreva poshtërsinë, prandaj po vdes në internim”. Trupi i tij nderohet në Shtëpinë Nënë të Klaretianëve në Vik - Barcelonë. U shpall shenjt më 8 maj 1950 nën papninë e Piut XII, i cili e quajti: “Njeri i madh, i lindur për të sheshuar kundërshtimet; me trup të vogël, por me shpirt vigan; modest në dukje, por me aftësi të tilla, që u impononin respekt edhe njerëzve më të mëdhenj të tokës; me karakter të fortë, por jo pa ëmbëlsinë e njeriut që di të bëjë pendesë; përherë në praninë e Zotit, edhe ndër veprimtaritë më të zakonshme; i sharë e i admiruar, i lavdëruar e i persekutuar, gjithnjë i ndriçuar nga drita më ëmbël e kësaj bote: devocioni për Nënën e Zotit”.

24 tetor 2020, 09:56