Kërko

2020.09.30 Il Cardinal Parolin, Simposio dell'Ambasciata degli Stati Uniti presso la Santa Sede e la Santa Sede, 30 settembre 2020 (Courtesy U.S. Embassy to the Holy See) 2020.09.30 Il Cardinal Parolin, Simposio dell'Ambasciata degli Stati Uniti presso la Santa Sede e la Santa Sede, 30 settembre 2020 (Courtesy U.S. Embassy to the Holy See) 

Parolin: mbrojtja e lirisë fetare shenjё dalluese e diplomacisë

U mbajt sot në Romë, organizuar nga ambasada e SHBA-sё pranë Selisё së Shenjtë, një Simpozium mbi lirinë fetare, nё tё cilin morёn pjesё Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit SHBA-sё, Mike Pompeo dhe kryeipeshkvi Richard Gallagher, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.

R.SH. - Vatikan

Ambasada e Shteteve të Bashkuara pranë Selisё së Shenjtë në Romë organizoi një simpozium mbi temёn: "Nxitja dhe mbrojtja e lirisë fetare nё nivelin ndërkombëtar nëpërmjet diplomacisë”.

Përparësi e përbashkët për Shtetet e Bashkuara dhe për Selisё e Shenjtë

Në përshëndetjen e saj së simpoziumit, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara pranë Selisё së Shenjtë, Callista Gingrich theksoi se "nxitja dhe mbrojtja e të drejtës universale tё lirisë fetare ёshtё një prioritet i pёrbashkёt për Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe pёr Selinё e Shenjtë". Është ky bashkëpunim që e ruan këtë të drejtë në një "kohë kritike" në të cilën në nivelin ndërkombëtar liria fetare duhet të promovohet dhe të mbrohet.

Dëshmia morale

Në fjalimin e tij, Sekretari e SHBA-sё Mike Pompeo bëri një reflektim mbi Luftën e Dytë Botërore, me rastin e 75-vjetorit  tё përfundimit tё saj qё bie në këtë vit. Ai kujtoi historinë e At Bernhard Lichtenberg, arrestuar nga rregjimi nazist për sinqeritetin dhe lutjen të e tij publike "për Hebrenjtë dhe viktimat tjera të brutalitetit nazist". Mike Pompeo kujtoi gjithashtu edhe "rolin themelor të Gjon Pali II në ndezjen e atij revolucioni të ndërgjegjes që e rrëzoi Perden e hekurt". Sekretari i SHBA-sё  pastaj kritikoi Kinën në fushën e lirisë fetare. Kjo - vazhdoi ai - varet nga udhëheqja e krishterë dhe nga dëshmia morale e atyre që u kanë rezistuar persekutimeve.

Liria fetare e rëndësishme për Selinë e Shenjtë

Në emër të Selisё së Shenjtë morën pjesë Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe Imzot Paull Richard Gallagher, Sekretar pёr Marrëdhëniet me Shtetet. Imzot Gallagher u transmetoi pjesëmarrësve përshëndetjet e Papës Françeskut, duke vënë në dukje se Papa "është në dijeni të këtij takimi mbi një çështje me rëndësi të madhe për Selinë e Shenjtë, në veçanti lidhur me veprimtaritë e saj diplomatike në nivelin dypalësh dhe shumëpalësh".

E drejta e lirisë fetare

Ndërgjegjësimi rreth rolit që fetë luajnë në çështje të tilla si paqja ndërkombëtare, siguria dhe bashkekzistenca është rritur, tha akoma imzot Gallagher. Në kёtё aspekt, mbrojtja e lirisë fetare "është një nga prioritetet mё tё mëdha politike qё ka Selia e Shenjtë". Ajo ёshtë pjesё e pandashme e dinjitetit të personit njerëzor krijuar në shëmbëlltyrë e përngjasim të Hyjit, dhe është "themeli i identitetit të çdo personi", bazё përbërëse pёr zhvillimin e mirëfilltë tё njeriut dhe tё shoqërisë.

Dy tryeza të rrumbullakëta pasuan fjalimin e Sekretarit tё Shtetit tё Vatikanit pёr Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvit imzot Gallagher: njëra tryezë mbi "mjetet diplomatike për identifikimin e fushave tё vëmendjes e tё veprimit aty ku liria fetare kërcënohet" dhe tjetra mbi "diplomacinë e bashkëpunimin ndërkombëtar".

Liria e ndërgjegjes

Simpoziumin e mbylli Kardinali Parolin. Sekretari i Shtetit tё Vatikanit ripohoi se mbrojtja dhe nxitja e lirisë fetare është "shenjë dalluese qё karakterizon diplomacinë e Selisё së Shenjtë". Kjo e drejtë, së bashku me" të drejtën e pacenueshme të jetës", është themeli i të gjitha të drejtave të tjera të njeriut. Nëse shkelet kjo liri, vihet në pikëpyetje mundësia  e "gëzimit të të gjitha të drejtave" tjera. Liria e ndërgjegjes, përveç kësaj, është e lidhur ngushtë me lirinë e fesë sepse ajo është "sancta sanctorum" në të cilën mund të zbulojmë ligjin që "nuk i kemi dhënë vetes", por të cilit "duhet t'i bindemi".

Liri personale e pakufi

Kardinali Parolin tha gjithashtu se shkeljet e lirisë fetare sot i kanë rrënjë në një keqkuptim të lirisë së personit. Intoleranca manifestohet jo vetëm duke i penguar njerëzit të praktikojnë fenë e tyre, por edhe nëpërmjet "zërave intolerantë të politically correct", që janë intolerantë ndaj besimeve fetare që kanё të tjerët.

Liria për të kërkuar të vërtetën

Në përfundim, kardinali Parolin vuri në dukje aspektin pozitiv tё "lirisë për të kërkuar të vërtetën", "lirinë e besimit". Është liria për të zbuluar "të vërtetën përfundimtare të ekzistencës personale, origjinën personale dhe cakun personal, dhuratë e Krijuesit". Ky është "instrumenti", tha kardinali Parolin, që duhet t'u jepet besimtarëve. Pёr tё kuptuar arsyen se pse janë krijuar, pёr tё kuptuar se çdo njёri prej nesh mund dhe duhet do të jetë në gjendje të përqafojë të tjerët, përveç vetvetes së tij”.

Pas  Simpoziumit, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi marrëdhëniet me Kinën, Sekretari i Shtetit tё Vatikanit, kardinali Parolin tha se Selia e Shenjtë beson në politikën e hapave të vegjël dhe se marrëveshja për emërimin e ipeshkvijve është një hap përpara edhe për njё liri fetare më të madhe. Kështu, deklaroi se nuk është e përshtatshme të përdoret tema e marrëveshjes ndёrmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës për qëllime të brendshme zgjedhore, në Shtetet e Bashkuara tё Amerikës.

30 shtator 2020, 19:07