Kërko

Logo del Consiglio delle Conferenze Episcopali d'Europa (CCEE) Logo del Consiglio delle Conferenze Episcopali d'Europa (CCEE) 

Evropë: mbledhja e Kishës evropiane mbi periudhën pas-pandemisë, më 25 shtator në Pragë

"Kisha në Evropë pas pandemisë. Perspektivat për Krijimin dhe për komunitetet": kjo do të jetë tema e Asamblesë vjetore Plenare të Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee). Veprimtaria do të mbahet në Pragë, Republikën çeke, nga data 25 deri më 27 shtator 2020.

R.SH. - Vatikan

"Kisha në Evropë pas pandemisë. Perspektivat për Krijimin dhe për komunitetet": kjo do të jetë tema e Asamblesë vjetore Plenare të Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee). Veprimtaria do të mbahet në Pragë, Republikën Ceke, nga data 25 deri më 27 shtator 2020 dhe, duke konsideruar rregullat e tanishme shëndetësore për shkak të koronavirusit, ipeshkvijtë evropianë që nuk mund të arrijnë në Pragë do të lidhen përmes videokonferencës.

"Duke u nisur nga enciklika e Papës Françesku “Lëvduar qofsh” ('Laudato Si'), në përvjetorin e pestë të botimit të saj -thuhet nё një njoftim shtypi - dhe në dritën e asaj që po ndodh anembanë botës për shkak të Covid-19, ipeshkvijtë evropianë do tё takohen për të reflektuar mbi ndryshimet dhe pasojat që po shkakton pandemia".

Në veçanti, punimet e mbledhjes sё ipeshkvijve evropianë do të përqendrohen mbi "pasojat religjioze, pastorale e ekologjike të koronavirusit e, duke u nisur nga këto tri aspekte, çdo president i konferencave episkopale vendore do të ilustrojë gjendjen e Kishës në vendin e tij". Një vëmendje tё mëtejshme do t'i kushtohet edhe "asaj që po mësojmë nga pandemia dhe se çfarë do të thotë e gjithë kjo për kujdesin e Krijimit".

Sipas kardinalit Jean-Claude Hollerich, president i komisionit të Konferencave episkopale të Bashkimit Evropian (Comece), pandemia vetëm sa ka përshpejtuar një proces të pashmangshëm të shoqërisë sonë. Atëherë duhet t'i përveshim mëngët me përvujtëri e të frymëzuar nga krishterimi, të punojmё pёr rimëkëmbjen e shoqërisë duke i ndihmuar njerëzit dhe vendet mё tё prekura nga koronavirusi, sepse Evropa është në vështirësi për shkak të pandemisë. Jemi të thirrur të ndajmë gjithçka nevojitet për të ndihmuar njerëzit qё janё nё vёshtirёsi. Si të krishterë duhet të bëjmë më shumë e nё mënyrë konkrete për tё dal nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se sivjet vendi i Asamblesë vjetore Plenare të Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee) do të jetë selia kryeipeshkёvnore e Pragës.

04 shtator 2020, 11:10