Kërko

1600246524163.jpg

Evropa e së ardhmes nuk do të jetë raciste e nacionaliste: fjala e Ursula von der Leyen

Nga vaksina për Covid-19, që duhet të jetë për të gjithë, te pagat minimale; nga sfidat e ekologjisë te Brexit: të shumta, çështjet e trajtuara nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, para parlamentarëve të Brukselit, mbledhur në asamble të përgjithshme. Njoftoi edhe publikimin e “udhëzimeve” për përdorimin e Fondit të Rimëkëmbjes.

R.SH. - Vatikan

“Nacionalizimi i vaksinave e vë jetën në rrezik, vetëm bashkëpunimi mund të shpëtojë jetë”. Këtë tha dje kryetarja e Komisionit Evropian, Usula von der Leyen, në fjalimin e saj mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, para parlamentarëve të Brukselit, mbledhur në asamble të përgjithshme. “Nuk është e mjaftueshme – nënvizoi ajo - ta gjejmë vaksinën, por duhet t’u garantojmë qytetarëve të gjithë botës ta kenë atë”. Evropianët duan të dalin nga kjo botë e koronavirusit, nga kjo brishtësi, theksoi von der Leyen, duke kujtuar “mundësitë” për të rimarrë në dorë kontrollin e situatës, përmes përdorimit të frytshëm të Fondit të Rimëkëmbjes (Next Generation EU). Pikërisht për këtë, sot, Komisioni publikoi edhe udhëzimet përkatëse.

Takim i nivelit të lartë për shëndetësinë

 Kryetarja e Komisionit Evropian bëri thirrje për bashkimin e sistemeve shëndetësore të çdo vendi, duke njoftuar për “një samit global shëndetësor në Itali”, e cila mban kryesinë e radhës së G20-ës. Von der Leyen nënvizoi se për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme, duhen vënë në lojë mjete, të cilat e largojnë kontinentin nga “brishtësia” dhe pasiguria e çastit historik, që po përjetojmë, karakterizuar nga kriza shëndetësore dhe ekonomike. E për këtë, përvijoi disa udhë.

Pagë minimale për të gjithë

 “Të gjithë në Bashkimin Evropian duhet të kenë një pagë minimale – ngriti zërin ajo. – Funksionon e ka ardhur koha që puna e bërë të shpërblehet”, shtoi kryetarja e Komisionit Evropian, duke folur për ekonominë sociale. “E vërteta - shpjegoi ajo - është se për shumë njerëz puna nuk të shpërblen, ulja e vazhdueshme e pagave cënon rëndë dinjitetin e punës dhe penalizon sipërmarrësit, duke e shpërfytyruar konkurrencën në tregun e brendshëm”. Për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje, Komisioni do të paraqesë një propozim legjislativ për të mbështetur shtetet anëtare dhe për të krijuar kuadrin e pagës minimale.

Green Deal

Argumenti tjetër i fuqishëm i fjalimit të saj ishte ambienti dhe e ashtuquajtura “Green Deal” – Marrëveshja e Gjelbër. Kryetarja e Komisionit Evropian shprehu bindjen se kjo Marrëveshje është një mënyrë e ndryshme jetese e jo thjesht, ulje e gazrave ndotëse në atmosferë. “Duhet ndryshuar mënyra e trajtimit të natyrës, prandaj, 37% e Fondit të Rimëkëmbjes do të shkojë në arritjen e objektivave” ambientale. Pikërisht, Marrëveshja e Gjelbër është plani i Komisionit për ta realizuar këtë shndërrim. Gjithsesi, Brukseli propozon edhe shtimin e uljes së gazrave ndotëse të paktën deri në 55% brenda vitit 2030.

20% e Fondit të Rimëkëmbjes për dixhitalizimin

Ursula von der Leyen pohoi se “nuk ka pasur kurrë çast më të mirë se ky, për të investuar në industrinë e teknologjisë evropiane”, prandaj 20% e Fondit të Rimëkëmbjes do të investohet në dixhitalizimin e veprimtarive. Sipas saj, do të krijohet një “cloud” evropiane për ruajtjen e të dhënave e do të zhvillohen teknologji 5G, 6G dhe ajo e fibrave të qelqit, për të arritur “sovranitetin dixhital të Evropës” dhe për të krijuar “një identitet dixhital evropian të sigurt”.

Problemi i Brexit

Gjatë fjalimit të djeshëm, von der Leyen foli edhe për Brexit. “Çdo ditë që kalon, largohet gjithnjë e më shumë mundësia e një marrëveshjeje për marrëdhëniet e ardhshme me Mbretërinë e Bashkuar”. Nuk patëm rezultatet e dëshiruara, pranoi ajo. “Bashkimi Evropian – paralajmëroi kryetarja e Komisionit – nuk do të bëjë kurrë hapa mbrapa prej Marrëveshjes së Daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, që nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme”. Von der Leyen citoi fjalët e Margaret Thatcher,  me të cilat, kryeministrja e famshme britanike theksonte rëndësinë e respektimit të traktateve ndërkombëtare: “besueshmëria është baza e marrëdhënieve” ndërkombëtare.

17 shtator 2020, 09:44