1600858044774.JPG

BE-ja paraqet planin e ri për migrantët

U paraqit dje, nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Plani i ri evropian për migrantët. Ai do të zëvendësojë Traktatin e Dublinit e u bë më se i domosdoshëm pas zjarrit në kampin Moria, në ishullin grek të Lesbos, ku strehoheshin mbi 12.000 azilkërkues.

R.SH. - Vatikan

Përgjegjësi dhe solidaritet. Të paktën në letër, këto janë shtyllat mbi të cilat ngrihet pakti i ri për migracionin, paraqitur dje nga Ursula Von der Leyen, kryetarja e Komisionit Evropian. Aspekti më i dukshëm i mekanizmit të solidaritetit të detyrueshëm ndërmjet vendeve evropiane, parashikuar në pakt, ka të bëjë me zgjedhjen ndërmjet zhvendosjes së emirgantëve brenda shteteve anëtare, ose sponsorizimit të kthimit të tyre në atdhe. Sipas Planit, i cili duhet të miratohet nga shtetet anëtare – e ka kritika, duke filluar nga Republika Çeke - me “kthimet e sponsorizuara, vendet duhet të riatdhesojnë - brenda tetë muajve - një kuotë të caktuar migrantësh nga vendi i hyrjes së parë në BE. Nëse jo të gjitha riatdhesimet kryhen brenda tetë muajve, shtetit partner (pra, sponsorizuesi i kthimeve) do t’i duhet t’i marrë në territorin e tij ata, që mbeten për t’u larguar”. Mekanizmi do të jetë automatik për migrantët e shpëtuar në det, me udhëzime të përcaktuara tashmë për të gjitha zbarkimet. Rrugët janë dy: një procedurë standarde për të kërkuar strehim politik a humanitar dhe, një “procedurë kufitare” e shpejtë. “Sot – tha Ursula von der Leyen - propozojmë një zgjidhje evropiane për të rikrijuar besimin ndërmjet vendeve anëtare dhe atë të vetë qytetarëve në aftësinë tonë për të administruar Bashkimin Evropian”.

Reagimet e organizatave kishtare e humanitare

 Reagimet e shoqërisë civile evropiane janë me tone të ndryshme, nganjëherë, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Për Karitasin Evropian, Pakti i ri i BE-së “nuk është në lartësinë e kërkesave” për “politika të ekuilibruara dhe njerëzore”. Qëndrimi i organizatës kishtare shprehet në një tweet, ku shkruhet: “Na vjen keq kur shohim se vëmendja përqendrohet në parandalimin e migrimit, në kontrollin e kufijve dhe në riatdhesimet”. Ndërkaq, Karitase kufitare si ai italian, e përshëndesin pozitivisht planin, duke shpresuar në ndryshime të vërteta gjatë viteve të ardhshme. Konsiderohen pozitive parimet e përgjithshme mbi të cilat është bazuar Plani i ri, por vihen në dukje se kompromiset mbi procedurat e përshpejtuara në kufi përmbajnë në vetvete rrezikun për të mos e shqyrtuar seriozisht nevojën e azilkërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare.

Kompromise, pa guximin e duhur

 Unicef-i ​​e konsideron Planin si “mundësi unike për t’u dhënë përparësi fëmijëve”, ndërsa Oxfam-i (organizatë ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë shumë organizata bamirëse nga e gjithë bota) është tejet kritik. Sipas kësaj organizate, projekti i reformës së sistemit të azilkërkimit përfaqëson “një hap të ri të gabuar në drejtimin e gabuar”. Teksti, shpjegon Oxfam-i, “mbetet larg realizimit të një vizioni të vërtetë komunitar në administrimin e fenomenit të migracionit, i cili duhet të fillojë nga ndarja e përgjegjësisë dhe nga mbrojtja e të drejtave themelore të migrantëve”. Për shembull, në çështjen e zhvendosjes së migrantëve nga shtetet e mbërritjes së parë, si për shembull Italia, Greqia apo Spanja, pranimi i vendeve të tjera anëtare mbetet mbi bazë vullnetare. Oxfam-i bën thirrje urgjente të ndryshohet ky drejtim e ditët e fundit, i ka paraqitur Komisionit Evropian një denoncim për dhunimin e të drejtave njerëzore të migrantëve në Greqi, sidomos për kushtet çnjerëzore në ishullin e Lesbos.

Në Paktin e ri evropian mbi migracionin nuk shihet akoma botëkuptimi i shoqërisë së hapur e mikpritëse, sepse ka shtete anëtare, që nuk janë ende në gjendje ta pranojnë këtë këndvështrim. Edhe një herë, pakti është fryt i kompromiseve të mëdha, që akoma duhet ta dëshmojnë vlerën e tyre në terren.

24 shtator 2020, 12:41