Albania-si-gira-2020AEM.jpg

“Albania, si gira!”: Festivali i Filmit Shqiptar në Itali

Në edicionin e tij të dytë, Festivali ka në qendër marrëdhëniet italo-shqiptare dhe “tranzicionet”, që ka përshkuar Shqipëria. Përmes filmave e dokumentarëve, prodhuar nga regjizorë shqiptarë e italianë, reflektohet mbi të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e përbashkët të të dy popujve. Datat: 8-9-10-11 shtator 2020, në Casa del Cinema (Shtëpia e Kinemasë), Romë.

R.SH. - Vatikan

Fillon sot në Romë, Festivali i Filmit Shqiptar “Albania, si gira!”. Në edicionin e tij të dytë, këtë vit, ai përqendrohet në marrëdhëniet italo-shqiptare e në tematikat e tranzicionit, që kanë karakterizuar historinë e Shqipërisë, por edhe atë të Italisë. Dita e sotme, 8 shtator, ka si protagonist filmin “Tomka dhe shokët e tij” të regjizores Xhanfize Keko, por edhe dokumentarë interesantë me regji të Elton Gllavës, Artan Minarollit, Petrit Rukës, Viktor Stratobërdhës e Gjergj Xhuvanit.

Filma të komunizmit e pas tij

         Në përgjithësi, programi përfshin shfaqjen e filmave të xhiruar para dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, për të kuptuar pasojat e kësaj ngjarjeje dhe perceptimet e saj në të dyja anët e Adriatikut. Falë partneritetit me Arkivin Qendror të Filmit të Tiranës, janë sjellë në Romë disa nga veprat më kuptimplote për temën, realizuar gjatë komunizmit dhe pas tij, për ta vënë në kontakt publikun e kryeqytetit italian me një realitet artistik pak të njohur, siç është kinematografia e “Atdheut të Shqipeve”.

Disa nga filmat dhe dokumentarët

         Në ditët në vijim, deri të premten, 11 shtator, prodhimet artistike të autorëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë do të pasqyrojnë mënyrën me të cilën ata i kanë imagjinuar, përfaqësuar dhe dokumentuar fazat e tranzicionit ndërmjet epokave të ndryshme dhe udhëtimet ndërmjet konteksteve të ndryshme kulturore dhe gjeografike. Për shembull, bashkëprodhimi italo-shqiptar “Via Mare Adriatico”, me regjizor Fatmir Koçin (2007), tregon se këto përshkime tokësore dhe territoriale janë shenja dalluese e bashkësive, që kanë jetuar në fqinjësi me njëra-tjetrën, duke kapërcyer vazhdimisht kufirin simbolik të vendosur nga strukturat politike mbizotëruese.

         Tranzicioni i ka detyruar shpesh shqiptarët t’u nënshtrohen diktateve të të tjerëve, të të huajve, që vinin për t’i treguar Shqipërisë së vogël, udhën e demokracisë “së Madhe”. Këtë temë e trajton, për shembull, filmi i fundit i regjizorit Pluton Vasi, “Ndërkombëtarët” (2018), që vë në dukje se si puna e ekspertëve kushtëzohet nga paragjykimet ndaj vendit dhe njerëzve për t’u ndihmuar, në vend që të ketë frymë humanitare.

“Kinemaja në tranzicion”

         Çdo mbrëmje hapet me diskutimin e një aspekti të veçantë të tranzicionit, për të cilin reflektohet bashkë me autorët e pranishëm në debat dhe me historianët e Shoqatës Italiane të Studimeve të Historisë së Evropës Qendrore dhe Lindore (AISSECO). Vepra si “E diela e fundit” (1993) e Gjergj Xhuvanit, “Qind për qind” (1993) e Artan Minarollit dhe Petrit Rukës, si edhe “Tirana viti zero” (2003) e Fatmir Koçit, dëshmojnë se ndërmjet viteve 1990 dhe 2000 ka dalë në pah një zhanër i veçantë i filmit, që mund ta quajmë “kinemaja në tranzicion”. Ai karakterizohet nga disa elementë, që përsëriten, si: kritika e regjimit komunist dhe zhgënjimi i personazheve kryesorë në lidhje me shpresat, që u krijuan pas rënies së tij. Tranzicioni ishte gjithashtu një periudhë pritshmërish të mëdha dhe energjish krijuese në fushën ekonomike, që ndikoi fuqimisht në perceptimin e së ardhmes dhe në emigrimin për në Itali, por edhe në udhëtimet e kthimit, që pasuan. Këto tema trajtohen nga disa filma e dokumentarë, që do të shfaqen në ditët në vijim.

Organizatorët dhe bashkëpunimet

         Projekti i Festivalit të Filmit Shqiptar është fitues i Tenderit Publik për “Estate Romana 2020 - 2021 – 2022”, bën pjesë në ROMARAMA 2020, palimpsestit kulturor promovuar nga Roma Capitale dhe, është realizuar në bashkëpunim me SIAE. “Albania, si gira! Festivali i Filmit Shqiptar edicioni i dytë. Tranzicionet” është projekt i ideuar nga Fabio Bego, nën drejtimin artistik të Fabio Begos dhe Nensi Begos, organizuar nga CulturalPro, në partneritet me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë - Ministria Shqiptare e Kulturës, me patronazhin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali dhe me mbështetjen akademike të Shoqatës Italiane për Historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore. Partnerë mediatikë janë shoqata “Integra Onlus”, shoqata “Questa è Roma” dhe shoqata Foleja. Për informacion: telefon: 3499339468 E-mail : info@festivaldelcinemalbanese.it . Faqja e internetit: http://festivaldelcinemalbanese.it

Kontakte të tjera:

Facebook @albaniasigira

Instagram Instagram.com/festivaldelcinemalbanese

Twitter @CinemaAlbanese

08 shtator 2020, 16:50