2019.03.21 Mostra Leonardo da Vinci, San Girolamo, Leonardo Da Vinci, Musei Vaticani, Esposizione Braccio di Carlo Magno  2019.03.21 Mostra Leonardo da Vinci, San Girolamo, Leonardo Da Vinci, Musei Vaticani, Esposizione Braccio di Carlo Magno  

Sot bie Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve, në nder të Shën Jeronimit

Nё festёn liturgjike tё Shёn Jeronimit, qё sivjet pёrkon me 1600-vjetorin e vdekjes sё tij, bie edhe Dita Ndёrkombёtare e Pёrkthyesve, pikёrisht nё nder tё kёtij Shenjti tё madhe me prejardhje ilire.

R.SH. - Vatikan

Sot nё festёn liturgjike tё Shёn Jeronimit, qё sivjet pёrkon me 1600-vjetorin e vdekjes sё tij, bie edhe Dita Ndёrkombёtare e Pёrkthyesve, pikёrisht nё nder tё kёtij Shenjti tё madhe me prejardhje ilire.

Nuk e teprojmë fare, nëse pohojmë se shumica e veprave madhore të gjenisë njerëzore u trashëgua brez pas brezi në të gjitha gjuhët e botës, falë punës së skribëve, pararendës të përkthyesve modernë, të cilët shkrinë jetën mbi karta, për të ndihmuar komunikimin ndërmjet mbretërve e perandorëve. Punë, që e vijuan përkthyesit, për komunikimin ndërmjet popullit me popull e njeriut me njeriun.

Po të mos ishin murgjërit benediktinë, të gjitha tekstet klasike  do të kishin humbur. E asnjë nuk do të kishte arritur në duart tona, sot, pa amanuensët - ata që e shkrinë jetën duke kopjuar me dorë veprat e lashtësisë e duke përkthyer nga greqishtja në latinisht, tekstet e lashta, që përbëjnë bazën e kulturës perëndimore. Pa ta, dorëshkrimet e lashtësisë do të ishin shndërruar në pluhur. Roli i përkthyesit fitoi, kështu, një rëndësi të dorës së parë për transmetimin e dijes ndërmjet njerëzve në botën e madhe, me qindra e qindra gjuhë të ndryshme, të gjalla e të vdekura. Sepse edhe gjuhët, ashtu si përkthyesit, lindin e vdesin!

Dy, çastet historike, që e ndryshuan përgjithnjë rolin e përkthyesit, ishin zbulimi i Amerikës, prej nga lindi nevoja për të komunikuar me gjuhë krejtësisht të reja, të ndryshme nga ato evropiane e lindore, dhe reforma protestante e Martin Luterit, që ndikoi për kalimin nga përdorimi i gjuhës latine, në atë vulgare, domethënë, popullore. Edhe këtë herë me përkthimin e Biblës.

Por në konstelacionin e përkthyesve të të gjitha kohërave, ylli më i ndritshëm quhet Jeronim! Njeriu-shenjt, që nuk ndihmoi vetëm për komunikimin e njeriut me njeriun, por kryesisht, të njeriut me Zotin. Ndoshta prandaj, si shoshiti emrat e përkthyesve të mëdhenj, të mirënjohur nga mbarë bota, Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve (International Federation of Translators) në vitin 1953, pikërisht në kohën kur u krijua, e shpalli Shën Jeronimin “Pajtor të përkthyesve”. E, më 1991, 30 shtatori u shpall Ditë Ndërkombëtare e Përkthyesve. E gjithë kjo, për të kujtuar Vulgatën, me ndikim  të jashtëzakonshëm mbi  qytetërimin perëndimor.  
 
30 shtatori na kujton ditëlindjen për qiell të një Shenjti shumë të njohur, me gjak ilir, të dalmatasit Sofron Euzeb Jeronimi (latinisht Sofronius Eusebius Hieronymus), i njohur thjesht si Shën Jeronimi (Stridon, 347- Betlehem, 30 shtator 419-420). Biblist, përkthyes, teolog e murg i krishterë, At e Doktor i Kishës, përktheu Shkrimin Shenjt në gjuhën latine.  

Ilirasi që e përktheu gjuhën e Zotit, në gjuhën e njeriut: Shën Jeronimi

Data e 30 shtatorit na kujton ditëlindjen për qiell të një Shenjti shumë të njohur, me gjak ilir, të dalmatasit Sofron Euzeb Jeronimi (latinisht Sofronius Eusebius Hieronymus), i njohur thjesht si Shën Jeronimi (Stridon, 347- Betlehem, 30 shtator 419-420). Biblist, përkthyes, teolog e murg i krishterë. At e Doktor i Kishës, përktheu në latinisht një pjesë të mirë të  Besëlidhjes së Vjetër greke. Prej tij arritën deri në ditë tona të plotë ose fragmentarë, Libri i Jobit, Psalmet, Proverbat, Ekleziasti (Kishtari) dhe Kënga e Këngëve, nga varianti i të Shtatëdhejtëve e, më pas, i tërë Shkrimi Shenjt hebraik.

I lindur në Stridone të Ilirisë (sot Kroaci), me atë gjak ilir, që rrjedh edhe sot e kësaj dite në rremat e bijve të trojeve ilire, aq sa të na nxisë ta quajmë Jeronimin e Madh “tonin”,  studioi në Romë, më pas në viset ku njihej mirë anakorezi i mësuar nga Shën Atanasi e më pas në Akuile, ku u bashkua për ca kohë me asketët. Por, i zhgënjyer nga armiqësitë, që kishin lindur në gjirin e tyre, u largua drejt Lindjes, për t’u tërhequr në shkretëtirën e Calcides, ku ndenji pothuajse një vit (375-376), për t’u rikthyer në Antioki, ku u shugurua meshtar nga Paolini, ipeshkëv i vendit, gjithnjë në kërkim të një jete thellësisht vetmitare. Po as shkretëtira që zgjodhi,  nuk e kënaqi etjen e tij për t’iu kushtuar plotësisht jetës vetmitare. Asokohe shkretëtirat ishin plot me vetmitarë të tjerë, që vizitonin vazhdimisht shpellat e njëri-tjetrit. Kaloi, prandaj, në Kostandinopojë. Po qetësinë që i duhej aq shumë nuk e gjeti dot as në shpella, as në qytetet e mëdha, ku gjithsesi mundi të përsosë njohjen e greqishtes, me ndihmën e Gregor Naciancenit. I zhgënjyer përsëri, në vitin 382 Shën Jeronimi  u kthye në Romë si sekretar i Papës Damasi. E këtu nis historia e Vulgatës!

Vulgata e Shën Jeronimit

Çdo i krishterë duhet ta ketë dëgjuar emrin e Shën Jeronimit e edhe  fjalën “Vulgata”, por ndoshta jo të gjithë e dinë ç’është.
Vulgata a Volgata quhet përkthimi i Biblës në gjuhën latine nga varianti i lashtë grek dhe hebraik, realizuar nga fundi i shekullit IV nga Shën Jeronimi. Emri i mbeti nga diçitura latine vulgata editio, domethënë “botim për popullin”,  që na kujton edhe se përhapja e jashtëzakonshme që pati, i dedikohet kryesisht stilit të përkthimit, që nuk ishte i rafinuar e retorik, si i përkthimeve të tjera, por i thjeshtë e i kuptueshëm për njerëzit e thjeshtë të popullit (volgo).

Papa Damasi i jep fund anarkisë së përdorimit të Biblës

Deri në papnimin e Papës Damasi, në Kishë mbretëronte anarkia e përdorimit të një mori Biblash, posaçërisht përkthimeve më të lashta, duke nisur nga shekulli II, që u përhapën sidomos në Afrikën veriore me emrin Afra. Vinin, pastaj, përkthimet me emrin Itala, përhapur në Itali në shekujt II-III. Për t’i dhënë fund kësaj anarkie e për t’i siguruar Kishës një përkthim më të mirë, Papa Damasi I iu drejtua, në vitin 382, sekretarit të vet personal, Jeronimit, njohës i shkëlqyer i letërsisë latine (posaçërisht Ciceronit) e edhe i asaj greke. Pa harruar letrat e lashta hebraike, që nisi t’i lexojë në origjinal, duke u mbyllur në shpellat e shkretëtirave, ku qe endur populli i zgjedhur, para se të shkelte në dheun e premtuar.
Iu kërkua një përkthim nga gjuhët origjinale, që favorizonte unitetin e liturgjisë, duke zhdukur edhe gabimet e pasaktësitë e përkthimeve të mëparshme. Përkthimi nisi me 4 Ungjijtë.

Jeronimi në Betlehem

Në  vitin 386, krejt i pakënaqur nga jeta kishtare në Romë, Jeronimi u nis drejt Betlehemit, prej nga nuk u rikthye kurrë më. Në Palestinë mundi të thellohet në njohjen e  gjuhës hebraike e aramajke. Duke nisur nga viti 390 iu kushtua rishikimit të Testamentit të Vjetër,  që  e përfundoi nga fundi i vitit 405, pas një pune 15 vjeçare. Përveç përkthimeve të mëparshme latine, që njiheshin nga të gjithë me emrin  Vetus latina, Jeronimi kishte në dorë edhe tekste origjinale në hebraisht, aramajkisht, greqisht e, sidomos, variantin  e padiskutueshëm grek të Testamentit të Vjetër, që njihej si i të të Shtatëdhjetëve. I kaloi të gjithë nëpër duar, duke përkthyer sërisht një pjesë të mirë të tyre e duke rishikuar pjesën tjetër.
Falë  autoritetit të saj (ishte porositur nga vetë Papa ) Vulgata zuri shumë shpejt vendin e të gjitha varianteve të mëparshme latine duke u bërë variant hegjemon i Kishës latine perëndimore në shekullin IX. E vijon të jetë edhe sot e kësaj dite tekst liturgjik i Meshës në latinisht, si edhe bazë për çdo përkthim të Biblës.

Parimi i përkthimit

Pa harruar se rendi i fjalëve në Shkrimin Shenjt ka natyrë mistike, Jeronimi zbatoi në shkallë të gjerë parimin përkthimit, që njihet me emrin ad sensum. Në një letër drejtuar Pammachios (kujtojmë se Shenjti la pas edhe një letërsi të tërë epistulare), dhëndër i fisnikes Paola, gruas së fisme e shenjtores së ardhshme, që e ndihmoi krah për krah në realizimin e Vulgatës, Shën Jeronimi shkruan: Unë nuk e mohoj, por e shpall lirisht se gjatë përkthimit të teksteve greke, veç Shkrimeve Shenjte, ku edhe rendi i fjalëve është mister, nuk përkthej fjalë për fjalë, por kuptim për kuptim. Në këtë rrugë më prin Ciceroni, që përktheu Protagorën e Platonit …  e edhe Orazio, pastaj, njeri i mprehtë e ditur që, në Ars poetica, i jep përkthyesit po këto këshilla “Mos u kujdes të përkthesh fjalë për fjalë, si përkthyes besnik”.

Kështu Bibla e përkthyer prej tij, duke ruajtur misterin brenda fjalës, u bë plotësisht e kuptueshme për të gjithë, pa e humbur bukurinë e stilit, që e  bën Biblën, librin e librave, duke e lartuar në krye të listës së librave më të lexuar të letërsisë botërore. Që nga çasti kur u shpall si Shkrim Shenjt zyrtar  në Koncilin e Trentit(1545-1563) e deri në Koncilin II të Vatikanit (1962-1965) kur u rishkua edhe një herë, Vulgata mbeti përkthim kanonik i Biblës për mbarë Kishën katolike. Gjë që e bëri të pavdekshëm emrin e Shën Jeronimit ilir, njeriut me temperament sanguin, që zemërohej keqas nga çdo padrejtësi e që, pas zemërimit e rrihte gjoksin me gurë, duke shqiptuar  në gjuhën e nënës, ilirisht, shprehjen: “Më fal, o Zot, se jam me gjak ilirian!”. Gjë që do të thotë “gjaknxehtë, si Iliras i vërtetë!”. Kungimi i mbramë i Shën Jeronimit, rrethuar nga dishepujt dhe legjenda e  Luanit të Shenjtit të madh ilir.

Luani i Shën Jeronimit

(Piktura dhe legjenda)

Kush e ka vizituar Bazilikën më të madhe të krishterimit, atë të Shën Pjetrit, duhet të jetë ndaluar doemos për ca çaste tek një altar, në të djathtën e Altarit të madh të Dëshmisë, para një mozaiku, riprodhim i kompozimit të piktorit italian Domenichino (Domenico Dzamperi) realizuar ndërmjet viteve 1611 e 1614 me bojë vaji mbi kanavacë, me përmasa 419x256, origjinali i të cilit ruhet në Muzetë e Vatikanit e, kopja e parë, në Kishën e Shën Jeronimit, në Romë. Piktori paraqet një skenë që rrallëherë mund ta sodisim në pikturë: kungimin e mbramë të Shenjtit të madh ilir, rrethuar nga dishepujt.

Përskaj kishës digjet një qiri, simbol i jetës së shkrirë për Dritën. Ndërsa te këmbët e shenjtit shtrihet një luan me pamje gati njerëzore, thellësisht të trishtuar. Kur e shikon, nuk mund të mos e pyesësh veten: “Ç’kërkon luani në kishë, pranë Njeriut të madh, që përgatitet të niset për atë botë, në të cilën  pati jetuar simbolikisht që mbi tokë, duke përkthyer Shkrimin Shenjt?”.

Ka historinë e vet edhe luani, histori që na ndihmon ta kuptojmë me fund personalitetin e Shën Jeronimit, burrë i gjatë, shpatullgjërë, me temperament  “luani”,  me pamjen e burrave të mëdhenj të Ilirisë, prej nga kishte ardhur në Romë ku, kur merrte pjesë në procesione, dilte më se një gjysëm metri mbi kokat e të gjithë pjesëmarrësve. Ndaj, kur shikon luanin e Domenikinos bëhesh kureshtar të dish diçka më shumë edhe për praninë e tij në atë skaj të pikturës… Kureshtjen na e shuan Legenda Aurea e shkruar nga Jacopo da Varese e cila, në kapitullin kushtuar Shën Jeronimit, na tregon edhe legjendën e luanit:

“Një ditë, një luan i plagosur u duk, duke çaluar, tek porta e manastirit në Betlehem, ku jetonte e punonte prej vitesh Shën Jeronimi. Sa e panë, nurgjërit ia mbathën të tmerruar. Ndërsa Jeronimi iu afrua luanit dhe pa se ishte i plagosur. U kërkoi, atëhere, sivëllezërve, ta ndihmonin për t’ia larë e për t’ia mjekuar putrat, që i kish të mbushura plot me gjemba e me gjak. Kur u shërua, luani nuk iku. Ndenji në manastir. E murgjërit e pranuan, sepse ua ruante gomarin e vetëm nga hajdutët, që nuk mungojnë kurrë. Një ditë, ndërsa gomari po kulloste, luanin e zuri gjumi. Disa  tregtarë, duke e parë  kafshën e barrës pa roje, e rrëmbyen. E, kur luani u kthye vetëm në manastir, murgjërit e akuzuan se e kishte ngrënë kafshën e barrës dhe e detyruan t’i bënte të gjitha punët, që i bënte më parë gomari! E bënë luanin gomar! Një ditë, ndërsa shtegtonte i ngarkuar si gomar, luani u takua me karvanin e tregtarëve hajdutë. Lëshoi një brurimë aq të tmerrshme, sa ata ua mbathën këmbëve duke lënë gjithçka në mes të rrugës. Atëhere luani i vuri para gomarin, devet e mallin e ngarkuar mbi to e u nis drejt manastirit. Nuk vonoi, e tregtarët trokitën në portë për t’i kërkuar Shën Jeronimit falje. Shenjti i fali, por duke i porositur të mos e vidhnin më gjënë e tjetrit!”.

Ky ishte Luani, që e shikojmë tejet të trishtuar pranë Shën Jeronimit në prag të vdekjes, në pikturën e Domenichinos, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

30 shtator 2020, 12:43