Kërko

2020.08.31 San Egidio abate Sentilj sotto Turjak 2020.08.31 San Egidio abate Sentilj sotto Turjak 

Më 1 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Egjidin, Abat

Ndërmjet ngjarjeve të ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë. Në vetratat, Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes së një mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari tjetër.

R.SH. - Vatikan

Më 1 shtator kalendari kishtar përkujton festën e Shën Egjidit, Abat.

Epoka në të cilën jetoi Egjidi, abat (në frëngjsht Zhil), nuk njihet me saktësi. Disa mendojnë se është fjala për Egjidin që u dërgua në Romë nga Shën Qesari i Arles në fillim të shekullit VI: të tjerë mendojnë se jetoi një shekull e gjysmë më vonë dhe e datojnë vdekjen e tij rreth viteve 720 e 740. Në këtë drejtim është e paktë edhe ndihma që na jep gojëdhëna rreth jetës së tij.

E kjo, sepse ndërmjet ngjarjeve të ndryshme të jetës së shenjtit, kujton edhe ato, që i shohim sot e kësaj dite në dy vetrata e në një skulpturë në portën e Katedrales së Shartrë.  Në vetratat, Shën Egjidi paraqitet duke kremtuar Meshën e duke nxjerrë nga Zoti hirin e faljes së një mëkati që kishte bërë Karli i Madh, të cilin nuk kishte guxuar t’ia rrëfente asnjë meshtari tjetër. Por duhet të kujtojmë se Karli i Madh jetoi në vitet 768-814. 

Varri i Shenjtit, që nderohet në një Abaci të zonës së Nimes, ka shumë mundësi të jetë i epokës merovingike, ndonëse shkrimi mbi rrasë duhet të jetë skalitur aty nga shekulli X, kur u shkrua edhe jeta e Abatit të Shenjtë. Jeta e Shën Egjidit është një përmbledhje gojëdhënash, që u ruajtën në kujtesën popullore, më tepër për t’i përforcuar besimtarët në fe. Të shumta - dëshmitë e kultit të Shenjtit në Francë, Belgjikë e Holandë.

Është pajtor i vetmitarëve, nënave e kuajve. Emri i tij vjen nga greqishtja e do të thotë ‘i lindur në Egje’. Paraqitet me simbolet e shkopit baritor e të drenushës. E ky simbol buron nga gojëdhëna, sipas së cilës Zoti i çoi Shenjtit një drenushë për ta ushqyer me qumësht, kur jetonte krejt i vetmuar, larg çdo fytyre njerëzore, në mes të një pylli të dendur.

Në familjen françeskane emri Egjid është shumë i dashur, sepse i nderuar nga disa të lum, ndërmjet të cilëve, më i njohuri, është shoku i tretë i Shën Françeskut, Fra Egjidi, fshatari i urtë, gjithnjë ‘shend e verë’, që kremtohet më 23 prill.

01 shtator 2020, 10:13