Kërko

Cristiani perseguitati Cristiani perseguitati 

Viktimat e urrejtjes fetare: Open Doors, " dhuna kundër komuniteteve e pakicave përkeqësohet nga Kovid-19”

Viktimat e urrejtjes fetare: Open Doors/Dyer të Hapura, " Shtetet sigurojnë se feja e njerëzve tё jetё pretekst pёr tu persekutuar e pësuar sulme”

R.SH. - Vatikan

"Komunitetet dhe pakicat fetare, nё shumё vende tё botёs, vazhdojnë të vuajnë nga dhuna pёr shkak tё fesë së tyre. Aktet e dhunshme nuk janё pakësuar, përkundrazi, pandemia kovid-19 dhe pasojat e saj vetëm sa e kanë përkeqësuar gjendjen, do tё thotё persekutimin e dhunën nga tё cilat vuajnë komunitetet dhe pakicat fetare nё vende tё ndryshme tё botës. Ka shumë vende ku individët janë rregullisht nё shënjestër të sulmeve të dhunshme për shkak të fesё”. Kёshtu denoncon organizata joqeveritare “Open Doors” (Dyer të Hapura), me rastin e Ditës Ndërkombëtare për viktimat e dhunës bazuar në besimin fetar, themeluar nga OKB-ja, që bie nesër më 22 gusht.

"Në Nigerinë e Veriut, ku ligji islamik është në fuqi dhe zbatohet nё rastet civile e penale, të krishterët (që përfaqësojnë një pakicë në veri) janë rregullisht subjekte të akteve të diskriminimit e tё intolerancës fetare. Për shkak të koronavirusit këto diskriminime janë rritur edhe më shumë". Organizata joqeveritare “Open Doors” (Dyer të Hapura) njofton pёr "raste diskriminimi edhe në shpërndarjen e ndihmës humanitare për të krishterët: ka raste në shtetin e Kadunës që konfirmojnë se familjet e krishtera kanë marrë racione ushqimesh gjashtë herë më të vogla se familjet myslimane".

Në brezin qendror të Nigerisë, ku dhuna dhe agresioni kundër komuniteteve fshatare, kryesisht të krishtëra, janё tё përditshme, "sulmet vazhduan mes mosndëshkimit të përgjithshëm edhe gjatë periudhës së lockdown nga Kovid-19, gjatë së cilёs qeveria Nigeriane vuri masa kufizimi ndaj lirisë së lëvizjes së shtetasve të saj. Sulmet e dhunshme kanë ndodhur kryesisht në shtetet e Kadunës e të Plateaut, ku ushtria zakonisht ndërhyn vetëm shumё orë pasi tё jenё kryer sulmet".

Më 24 korrik, " fermerët  e Fullanit sulmuan fshatin Zikpak (Kaduna Jugore) e vranë 10 vetë, plagosën rreth 11 dhe dogjën 5 shtëpi. Masat e qeverisë u kanë urdhëruar nigerianëve të qëndrojnë në shtëpi, por në këto pjesё të vendit, të qëndrosh në shtёpi do tё thotё t’u nënshtrohesh sulmeve dhe kështu masat qeveritare, të cilat me siguri nuk i kanë ndaluar sulmuesit, kanë penguar qytetarёt e pafajshëm të gjejnë strehë gjetiu për të shpëtuar jetën”. Partnerët lokalë kanë njoftuar organizatën joqeveritare ”Open Doors/ Dyer të Hapura” se të krishterët janë akuzuar si fajtorë deri edhe për përhapjen e pandemisë sё koronavirusit në Burkina Faso, Nigeri dhe Somali.

Raporti vjetor i organizatës “Open Doors” mbi persekutimin e të krishterëve në botë, e kalsifikon Nigerinë në vendin e 12-të. Përveç kësaj, në prill, vendi u fut në listën e atyre, që shqetësojnë seriozisht Komisionin e veçantë për lirinë fetare të Departamentit të Shtetit amerikan. Statistikat e fundit flasin për së paku 6 mijë të krishterë të vrarë në vitin 2015 në Nigeri. Një situatë, që e ka nxitur Comece-n (Komisionin e Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian) të kërkojë ndërhyrjen e Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Në janar, Parlamenti evropian miratoi një rezolutë, me të cilën dënoi sulmet terroriste të grupeve xhihadiste dhe strategjinë “o tokën, o jetën” të luftëtarëve fulani, duke denoncuar diskriminimin e të krishterëve në rajonet ku zbatohet ligji islami.

Sipas raportit tё organizatёs joqeveritare“Open Doors” 2020, në botë sot diskriminohet një e teta e të krishterëve. Përndjekjet pёr shkaqe feje prekin 260 milion njerëz, në 73 vende tё ndryshme tё botёs. Kujtojmё se “Open Doors” (Dyer të Hapura), organizatё joqeveritare misionare e krishterë, ndihmon besimtarët e përndjekur për shkak të fesë në 60 vende të botës.

21 gusht 2020, 15:40