John Hume John Hume 

Vdiq John Hume, protagonist i procesit të paqes veri-irlandeze

Ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare, John Hume, Çmim Nobel për Paqen për ndihmesën që dha në paqësimin e Irlandës së Veriut e njëri nga politikanët më të njohur irlandezë për 30 vjet me radhë. Emri i tij lidhet me marrëveshjet e 10 prillit 1998, që kaluan në histori si marrëveshjet e së Premtes së Madhe.

R. SH. - Vatikan

John Hume, ish mësues e aktivist katolik për të drejtat e njeriut, për shumë vjet me radhë, deri në vitin 2001, ishte lideri i partisë socialdemokrate e laburiste (Sdip) dhe njëri nga themeluesit e saj, në vitin 1970. Më 1998, vit i nënshkrimit të marrëveshjes për paqen në Irlandën e veriut, u vlerësua me Çmimin Nobel, së bashku me drejtuesin e Partisë unioniste të Ulsterit, David Trimble. Në vitin 2004 u largua nga politika, pas një sëmundjeje të rëndë.

Ngushëllimet e ipeshkvijve

“Një nga ndërtuesit më të mëdhenj të paqes dhe mbështetësit e drejtësisë shoqërore të kohës sonë”: kështu e përshkruan, në një notë, nënshkruar nga imzot Donal McKeown, ipeshkëv i Derry, Kisha katolike irlandeze, thellësisht e prekur për humbjen e këtij burri të madh. Hume ia kushtoi gjithë jetën mirëqenies së kësaj bashkësie - lexohet në notën ipeshkvnore - duke paguar një haraç të rëndë personal. Pagoi aq, “sa emri i tij u bë sinonim i përkushtimit për çështjen e paqes, pa marrë parasysh pengesat, as kritikat”.

Skicë-portret i Burrit të madh irlandez të paqes

Bëri shumë për paqen, duke punuar, pa u lodhur kurrë. Ishte njeri që besonte e që kishte një vizion: kërkonte që paqja të arrinte në Irlandën Veriore duke nisur pikërisht nga Derry i martirizuar. Punoi shumë për dialogun me protestantët. Ishte ai, që bisedoi me SHBA-të për ndërmjetësimin në procesin për paqen në Irlandën e Veriut. Shkoi në Kishë, derisa mundi të qëndronte në këmbë. Derisa e mbylli jetën e vet si burrë i madh e i përvujatur njëherësh, deri në fund të fundit. Deri në të premten e tij të madhe.

E nuk ishte vetëm  zë i Popullit të Irlandës së veriut. Kishte edhe vizione për bashkimin e Evropës!

La kështu, pas, një trashëgim, që mund të ketë rëndësi të madhe për mbarë njerëzimin: “Bota ka nevojë për burra, që luftojnë kështu për paqen!”.

04 gusht 2020, 13:18