1597079136933.JPG

Qeveria e Libanit dha dorëheqjen

Njoftimin e dha dje kryeministri Hassan Diab, për shkak të protestave të dhunshme, që pasuan shpërthimet e javës së kaluar në portin e Bejrutit.

R.SH. - Vatikan

Dje, kryeministri i Libanit, Hassan Diab, dha dorëheqjen bashkë me gjithë qeverinë libaneze, për shkak të protestave të dhunshme të ditëve të fundit, që pasuan shpërthimin e jashtëzakonshëm të së martës së kaluar, i cili shkatërroi pjesërisht kryeqytetin e Bejrutit, duke shkaktuar më se 200 të vdekur.

         Gjatë fundjavës pati protesta të mëdha kundër qeverisë, e cila akuzohet nga manifestuesit se është përgjegjëse për dëmet në portin e qytetit, pasi nuk mori parasysh denoncimet për lëndët shpërthyese, bërë që në korrik. Në demonstrata pati përleshje ndërmjet njerëzve, që dolën në rrugë, dhe policisë, që përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve.

         Paraditen e 10 gushtit, guvernatori i Bejrutit, Marwan Abboud, përditësoi numrin e të vdekurve, por tha edhe se ushtria e kishte ndalur kërkimin e të zhdukurve. Abboud vuri në dukje se akoma nuk janë gjetur me dhjetëra njerëz, përfshirë shumë punëtorë të huaj. Ndërkaq, bota po organizohet për dërgimin e ndihmave humanitare. Konferenca e Donatorëve, që u mbajt të dielën, me ndërhyrjen e Francës, ka caktuar 250 milion euro ndihma për popullsinë, por ka kërkuar edhe reforma.

11 gusht 2020, 08:18