Kërko

 Protestat në Beirut Protestat në Beirut 

Libani: shpërthen zemërimi popullor në Beirut

Ditë të ngarkuara me protesta të dhunshme, në Beirut. Pas shpërthimit të dyfishtë, të martën e kaluar, që shkaktoi vdekjen e 160 vetëve, plagosjen e 5 mijë të tjerëve e 300 mijë të shpërngulur, banorët e kryeqytetit zbritën në shesh e u vunë zjarrin ndërtesave publike. Gati 240 të plagosur gjatë ndeshjeve me policinë, sipas të dhënave nga Kryqi i Kuq. Edhe një polic humbi jetën.

R. SH. - Vatikan

Ditë e re e ngarkuar me protesta  e djeshmja, në Beirut. Dhimbja për katastrofën e së martes së kaluar shkaktoi shpërthimin e revoltës popullore. Manifestimi i djeshëm u shndërrua në teatër dhune. Demonstruesit e Beirutit sulmuan Ministrinë e Jashtme, të Ekonomisë, të Energjisë e Shoqatën e Bankave dhe i vunë zjarrin disa pallateve pranë Parlamentit. Forcat e rendit bënë çmos ta frenojnë këtë shpërthim, që mori pamjen e  revoltës e që vijoi ta shkatërrojë më tej kryeqytetin. Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, pati rreth 240 të plagosur gjatë ndeshjeve me policinë. Humbi jetën edhe një polic. Protesta nuk lidhet vetëm me kërkesën që të bëhen kërkime për të zbuluar të vërtetën mbi shpërthimet, por edhe, e sidomos, me kërkesën drejtuar qeverisë që t’i japë fund korrupsionit dhe krizës së rëndë ekonomike, e cila peshon në mënyrë tashmë të padurueshme mbi kurrizin e popullsisë.

Shqetësimi i mbarë botës, për Libanin

Protestat në Beirut po shndërrohen në episode të rrezikshme dhune. Kryeministri libanez, Hassan Diab, për të frenuar zemërimin shpërthyes popullor, njoftoi se të hënën do të propozojë zgjedhje të parakohshme. E pohoi këtë në një diskutim televiziv, gjatë të cilit u kërkoi të gjitha palëve politike t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e të punojnë së bashku. Shtoi  se është i gatshëm ta vijojë punën për dy muaj, në mënyrë që t’i krijojë palëve mundësinë të vënë në jetë reformat strukturore. Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare e shikon me shqetësim gjithë këtë shpërthim të papërmbajtshëm, që arrihet vetëm kur prek thika në kockë!

Zhvillimi i mëtejshëm i situatës

E edhe Papa është tejet i shqetësuar për Libanin, siç u shpreh sot në lutjen e Engjëllit. E, pas vizitës së presidenti Makron, sot në Beirut  ishte kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel që, pasi vizitoi portin e Beirutit, kërkoi hetime të pavarura, për të zbuluar shkaqet e vërteta të katastrofës. Ndërkaq  kërkimet libaneze, në vijim, çuan në arrestimin e shumë njerëzve, ndërmjet të cilëve, edhe drejtori i portit. Mbi situatën libaneze folën edhe SHBA-të, përmes ambasadës në Beirut. Në një tweet lexojmë: “Mbështesim të drejtën e protestës paqësore. Populli libanez ka vuajtur tepër e meriton që liderët ta dëgjojnë e t’u përgjigjen kërkesave popullore për transparencë e përgjegjësi”.

09 gusht 2020, 13:26