Shpërthimi në Portin e Beirutit Shpërthimi në Portin e Beirutit 

Liban: shpërthime në qendër të Beirutit, 100 të vdekur, 4000 të plagosur

Kryeqyteti libanez u lëkund nga dy shpërthime të fuqishme. Sipas burimeve të sigurimit, cituar nga presidenti Michel Aoun, shkaktar ishte zjarri i rënë në një depo të portit, ku qenë magazinuar 2750 tonelata nitrat amoni.

R. SH. - Vatikan

Skena e shpërthimit në Beirut është dramatike. Në pamjet, që tashmë janë në faqet e para të mjeteve të komunikimit, shihet një kolonë e dendur tymi dhe vala vigane e detit, në formë kërpudhe. Disa nga zonat e portit janë bërë rrafsh me tokë. “Kjo, që ndodhi - deklaroi me lot në sy guvernatori i kryeqytetit libanez, Marwan Abboud - të kujton Hiroshimën e Nagasakin”. Shpërthimet, që u dëgjuan deri në Qipro, 200 kilometra larg, shkaktuan së paku 100 të vdekur e 4000 të plagosur. Bilanci, akoma i përkohshëm, u bë i njohur nga Kryqi i Kuq libanez. Skuadrat e ndihmës po punojnë me nxitim për të nxjerrë trupat nga gërmadhat. Ministri libanez i shëndetësisë u kërkoi gjithë mjekëve dhe personelit shëndetësor të shkojnë në spitalet e kryeqytetit për të ndihmuar të plagosurit. Ambasada e SHBA-ve në Beirut, u bëri thirrje atyre, që ndodhen në zonën e shpërthimit “të rrinë mbyllur e të vënë maskat kundër gazeve, mbasi  sinjalizohet se në zonë ka gaze helmuese. Kryqi i Kuq libanez flet për një mori njerëzish të varrosur nën gërmadha ose të mbetur mbyllur në shtëpitë e tyre. Janë me qindra, shtëpitë e dëmtuara. Ndërmjet tyre, edhe Pallati Baabdam, rezidencë e Presidentit si dhe disa ambasada, si ajo e Rusisë dhe e Kazakistanit.

Kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, shkroi, në një twitter: “Zoja e Harisës, Mbretëreshë e Libanit, u lutët për popullin libanez! Zoti i dhashtë drejtësi e paqe!”.

Gjithë vendi në zi

Shpërthimin e shkaktoi një zjarr, që ra në port, ku  ruheshin 2.750 tonelata nitrat amoni, sekuestruar pak kohë më parë nga një anije. Po shkaqet nuk janë ende krejtësisht të qarta. Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump nuk i përjashton edhe hamendjet e tjera. “Udhëheqësit ushtarakë të SHBA-ve - deklaroi - mendojnë se shpërthimi në Beirut ishte sulm me një bombë të ndonjë tipi ende të papërcaktuar”. Izraeli e hezbollahët e përjashtojnë plotësisht   pjesëmarrjen në këtë ngjarje kaq të zezë për gjithë vendin. Shpërthimi e tronditi Beirutin në një kohë, kur po kalon një nga krizat më të rënda ekonomike e financiare, që është parë vitet e fundit.

 

05 gusht 2020, 08:40