1597060233596.jpg

Fatkeqësi në ishullin Mauritius: çfarë mund e duhet bërë

Një anije japoneze ka ngecur që prej dy javësh në Pointe d’Esny, zonë e mbrojtur nga Konventa e Ramsarit. Gjatë tri ditëve të fundit, u derdhën në det një mijë ton karburant, por tani ka rrezik që anija të ndahet më dysh. Intervista jonë me Andrea Masullo-n, drejtor shkencor i Greenaccord.

R.SH. - Vatikan

Një tragjedi e paparë mjedisore për Republikën e Mauritius. Anija japoneze MV Wakashio, 300 metra e gjatë, nisur nga Kina për të kaluar në Singapor, me destinacion përfundimtar Brazilin, ngeci më 25 korrik në Pointe d'Esny, hapësirë e mbrojtur nga Konventa Ramsar, që ka të bëjë me zonat e lagështa. 3.800 tonelata me karburant e 200 me naftë, që ajo transportonte, po derdhen që prej dy javësh në det, duke e detyruar kryeministrin mauritian, Pravind Jugnauth, të deklarojë “gjendjen e emergjencës mjedisore”. Valët e detit ka rrezik ta çajnë më dysh anijen. Pasi janë derdhur gati një mijë ton karburant, banorët e ishullit po përpiqen të shpëtojnë ç’mundin, duke e rrethuar zonën me gjethe kallami sheqeri, që njolla e zezë të mos arrijë barrierën koraline.

Shkaqet dhe zgjidhjet për problemin

         Çdo orë, gjendja mund të ndryshojë. Kështu pohon në intervistën me Vatican News Andrea Masullo, drejtor shkencor i Greenaccord, shoqatës kulturore jo fitimprurëse, me frymëzim të krishterë, lindur për të nxitur impenjimin e gjithë burrave dhe grave të çdo feje, për ruajtjen e natyrës.

         “Disa zona, që janë veçanërisht delikate nga pikëpamja natyrore, nuk duhet as të preken nga anije të tilla”, thotë Masullo, duke nënvizuar se “karburanti i këtyre anijeve është ndër më të këqinjtë përsa i përket cilësisë”. Kjo temë është diskutuar prej kohësh. “Çështja e vërtetë është konsumi i karburanteve fosile - vazhdon ai - sepse ajo është pika kyç. Ne po e kthejmë detin dhe atmosferën në depon më të madhe të plehrave në histori, prandaj duhet të veprojmë shpejt që të ndalet ky shkatërrim”. Masullo shpjegon se çfarë mund të bëhet në javët e ardhshme: “Ndërhyrjet mund të shpëtojnë vetëm bregdetin, ndërsa për gjithçka që ka përfunduar e do të përfundojë në det, nuk mund të bëhet më asgjë”.

Ndihmat ndërkombëtare

         Qeveria e Tokios dërgoi një ekip ekspertësh në Mauritius për ndihmë, pasi anija ka pronar japonez. Në një deklaratë, shpjegohet se ekipi ka njohuri të veçanta për administrimin e katastrofave mjedisore dhe për largimin e substancave ndotëse, që  kërcënojnë ekosistemin. Edhe Franca ka vendosur të dërgojë “skuadra dhe materiale në Reunion”. Njoftimin e dha presidenti Emmanuel Macron.

11 gusht 2020, 13:39