Kërko

1596303418622.jpg

Covid-19, nuk ndalet pandemia. OBSH-ja paralajmëron se do të vijojë gjatë

Vijojnë të shtohen viktimat e koronavirusit e infektimet prej tij në gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se akoma bëhet fjalë për emergjencë shëndetësore publike.

R.SH. - Vatikan

Përhapja e Covid-19 vazhdon të “jetë emergjencë shëndetësore publike me interes kombëtar”. Kështu nënvizoi këto ditë, drejtori i OBSH-së, Ghebreyesus, menjëherë pas mbledhjes së komitetit të emergjencës në Gjenevë. Pandemia do të vijojë gjatë, paralajmëroi ai.

Në Amerikën Latine, 200 mijë të vdekur

          Fatkeqësisht, lista e të sëmurëve dhe e viktimave është gjatë. Numri i të vdekurve, në gjithë botën, i ka kapërcyer 680 mijë vetë. Nga Amerika Latine vijojnë të mbërrijnë shifra të frikshme, me më se 200 mijë të viktima, ndërsa në Afrikën e Jugut, vendi i pestë i botës më i prekur nga pandemia, më se gjysmë milioni janë infektuar nga koronavirusi e ritmi i vdekjeve flet për 150 vetë në ditë.

Manifestime negacioniste në Gjermani

          Numri i të sëmurëve me Covid-19 po rritet sërish edhe në Evropë. Franca dhe Spanja, vendet më shqetësuese: në Francë, për të tretën ditë radhazi, është kapërcyer shifra e 1.300 rasteve të reja, ndërsa Madridi është qyteti evropian me vdekshmëri më të lartë. Në Gjermani, 20 mijë vetë, që mohonin ekzistencën e pandemisë dhe masat e sigurisë kundër koronavirusit, vërshuan rrugëve të Berlinit, gjatë fundjavës, duke protestuar për kufizimin e lirive individuale, a thua se vendosja e një maske mbrojtëse në fytyrë cënon demokracinë.

Gjendje shqetësuese në Ballkan

          Edhe në Ballkan, gjendja është shqetësuese. Në Shqipëri, infektimet shtohen përditë, duke shkaktuar viktima edhe ndër vetë pneumologët. Italia dërgon një skuadër mjekësh, ashtu si Tirana para disa muajsh për fqinjin përtej Adriatikut. Në Greqi, qeveria imponoi përdorimin e maskës në vendet publike të mbyllura, përfshirë vendet e kultit. Në shënjestër, turistët. Në Rumani, më se 1000 raste të reja në ditë.

SHBA-të, për herë të parë “convention” me dyer të mbyllura

Rastet me koronavirus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më se 4 milion e gjysmë, ndërsa vdekjet kanë arritur në rreth 155 mijë: vetëm shteti i Floridës ka 7.104 raste të reja brenda 24 orëve e, gjithsej, mbi 485 mijë të infektuar. Për herë të parë, në historinë moderne të SHBA-ve, e ashtuquajtura “Convention” republikane do të bëhet pa gazetarë. Është fjala për takimin e Charlotte, në Karolinën e Veriut, ku delegatët do të votojnë për emërimin formal të Donald Trump si kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 3 nëntorit.  

Gjendje e rëndë edhe në Australi

          Pas një vale të re infektimesh, shteti australian i Viktorias shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi kontrolle të rrepta në Melburn, qyteti i dytë më i populluar në Australi: nisin nga shtetrrethimi gjatë natës e shkojnë deri në ndalimin e kremtimeve të dasmave, masë e pazbatuar ndonjëherë më parë.

03 gusht 2020, 12:51