Kërko

 Pranvera e Pragës Pranvera e Pragës 

52-vjet më parë, Pranvera e Pragës

Ishte 21 gushti i vitit 1968, kur tanket e armatosura sovjetike e të Paktit të Varshavës hynin në Çekosllovaki, duke shtypur me forcë atë, që mbeti në kujtesën e historisë me emrin “Pranvera e Pragës”. Lideri i lëvizjes disidente, Alexander Dubçek, që lufonte për një socializëm me fytyrë më njerëzore, më të kadifenjtë, u arrestua. Jan Palak, aktivist i ri çek, që i vuri zjarrin vetes e u shndërrua në pishtar, për të protestuar kundër ndërhyrjes së Moskës, mbeti në histori si simbol i kësaj stine, të ngarkuar me shpresa e, po aq, edhe me zhgënjime.

R. SH. - Vatikan

Pranvera e Pragës është një nga ato ngjarje, që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë bashkëkohore. Në një botë, të ndarë në blloqe, në janar 1968, dy superfuqitë, Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të e shikonin njëri-tjetrin me sytë e ngrirë të luftës së ftohtë, duke thelluar garën e armatimit atomik! Në këtë klimë, Moska nuk mundi t’i durojë, 12 vjet pas revoltës së Hungarisë, instancat e lindura  në Çekosllovakinë e asokoshme ku lëvizja, e kryesuar nga Alexander Dubçek, propozonte një kthesë demokratike, një socializëm me fytyrë më njerëzore e një vend me më shumë pavarësi nga BRSS. Kremlini e shikoi këtë ngjarje si rrezik të madh për  kompaktësinë e Paktit të Varshavës, të përbërë nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet satelite të Evropës lindore. Në Pragë u dukën tanket. Më 21 gusht 1968 kryeqyteti u pushtua nga trupat sovjetike. Aktivisti i ri çek Jan Palak, që luftonte për demokracinë, bëri një gjest dramatik, që mbeti në histori: i dha zjarr vetes! U kthye në pishtar, në shenjë proteste kundër pushtimit të vendit nga tanket e Moskës, duke u bërë emblemë e luftës për demokracinë e shumëndërruar nga brezi i humbur, ai që pati fatin e zi të jetonte nën thundrën e përdhunës. Pranvera e Dubçekut dhe liderëve të tjerë të luftës për demokraci, kundër zgjedhës së padurueshme të stalinizmit, mori fund shumë shpejt. Pranvera u shndërrua në dimër tejet të ftohtë. U vendos një qeveri e re filosovjetike, që nisi menjëherë kasaphanen mbi kundërshtarët.

Sytë e mbarë botës qenë mbërthyer mbi Pragën ato ditë. Posaçërisht të vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik, që vuanin prej vitesh nën zgjedhën e padurueshme të komunizmit.

Kështu Pranvera e Pragës u kthye shumë shpejt në dimër të tmerrshëm, akujt e të cilit do të nisnin të shkriheshin vetëm me rënien e Murit të Berlinit e do të vijonin me shembjen e diktatorëve (prej bronzi) nga të gjitha tipet e piedestaleve.

21 gusht 2020, 13:08