Vëlla Vlashi në shtegtim Vëlla Vlashi në shtegtim 

Vëlla Vlashi rifillon shtegtimin e paqes në Evropë

Misionari laik Biagio, apo Vlashi, rifilloi, nga Londra, shtegtimin në Kontinentin e Vjetër. Etapën e fundit e pati jetuar shtatë muaj më parë, pikërisht në Angli. Pastaj ra virusi e i mbylli të gjitha shtigjet. E ai u detyrua të ndalet. Deri këto ditë, kur shtegtari i paqes e rifilloi udhën e këputur në mes, për t’i çuar çdo qytetari e çdo kombi, çdo qyteti e çdo vendi, mesazhin e shpresës, të ngushëllimit, të vëllazërimit!

R. SH. - Vatikan

Shtegtar i ndërgjegjes evropiane! Vëlla Vlashi lidh fillin e këputur  të shtegtimit, nisur prej kohe gjatë rrugëve të Kontinentit të Vjetër. Shtatorin vjetshëm arriti edhe në Parlamentin Evropian të Strasburgut, pasi pati bërë 65 ditë e më se një mijë kilometra në këmbë, për t’u kërkuar qeveritarëve të ndërtojnë një Evropë, që nuk mendon vetëm për të pasurit, por, “nganjëherë”, i kujtohen edhe të varfërit e të ligshtit! Sepse duhet t’ua kujtojë ndokush! Nganjëherë!

Palermo-Londra

Tani shtegtari, i veshur me zhgunin e murrtë e me e kryqin  në kraharor, rishtegton nëpër Angli, caku i fundit, ku u detyrua të ndalej. I nisur nga Palermoja e tij ku, më 1993, themeloi “Misionin e shpresës e të bamirësisë”, që strehon të varfër, migrantë e të sëmurë psikikë, vizituar nga Papa më 2018 - misionari laik arriti mbrëmë në Londër e u rinis menjëherë, për të shkelur në shtigjet e kombeve të tjera, së bashku me një shok udhe.

Vëlla Vlashi, migrant në Evropë, për t’i thënë jo intolerancës dhe diskriminimit

Posaçërisht i shqetësuar për të rinjtë, shtegtari i madh do të dëshironte të takonte çdo qytetar të çdo kombi, qyteti, vendi, për t’u çuar të gjithëve mesazhin e shpresës, të ngushëllimit, të vëllazërimit. Për t’u bërë thirrje të bashkohen, sepse të gjithë së bashku mund ta përmirësojmë jetën e të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, pa gënjeshtra, hipokrizi, shfrytëzim  e shtypje të njeriut nga njeriu - shprehet shtegtari i shpresave - duke theksuar se është tejet i shqetësuar për të rinjtë, që duhen shpëtuar. Nëse jo, do të kemi një brezni të pasisgurt e të lëkundur. E po aq i shqetësuar është për ligjet. Kemi nevojë - kujton - për ligje të drejta, që respektojnë të drejtat e të gjithëve e jo për ligje që paralizojnë, përjashtojnë, krijojnë përçarje, pabarazi, moskuptime, varfëri; ligje, që çedukojnë, duke shlyer rregullat e drejta, për një jetë të drejtë.

Evropa e vëllazërimit

“Qeveritarë të tokës - bën thirrje Vlashi - duajeni drejtësinë! Angazhojuni që të mbretërojë mbi vendet tuaja, mbi njerëzit tuaj! Pa drejtësi, nuk mund të ketë përparim! Pendojuni, prandaj, e ecni në rrugën e Zotit, që është e mira e pambaruar. Ecni në rrugën e paqes, për të qenë përsëri vëllezër e motra!”.

 

26 korrik 2020, 10:49