Kërko

2020.07.13 - Santa Sofia - Istanbul- Moschea - Basilica- Museo -Turchia 2020.07.13 - Santa Sofia - Istanbul- Moschea - Basilica- Museo -Turchia 

Turqi - Hagia Sofia. Solidariteti me të krishterët nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

Në Turqi vazhdojnë përgatitjet për kthimin e bazilikës sё krishterë të Shёn Sofisë në xhami planifikuar më datёn 24 korrik. Ndërkohë, nuk ndalen thirrjet e protestat anembanë botës kundër shndërrimit të saj në xhami, me dëshirën e presidentit Erdogan. Tre intelektualë të mirënjohur turq, ekspertë të teologjisё, flasin për "gabim të pariparueshëm" që "shkatërron mesazhin e pajtimit e tё drejtësisë të islamit, kuptimi i të cilit është 'paqja'”.

R.SH. - Vatikan

Në Turqi vazhdojnë përgatitjet për kthimin e bazilikës sё krishterë të Shёn Sofisë në xhami. Rihapja e kishës së lashtë bizantine - shndërruar në xhami në shekullin e XV pas pushtimit otoman të Kostandinopojës dhe transformuar në muze më 1934, me urdhër të presidentit të atëhershëm Mustafa Qemal Ataturk- si vend kulti islamik është planifikuar më datёn 24 korrik. Ndërkohë, nuk ndalen thirrjet dhe protestat anembanë botës kundër shndërrimit të saj në xhami, me dëshirën e presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan.

Thirrjeve iu bashkuan edhe disa përfaqësues të rëndësishëm të botës myslimane. Midis tyre, Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor (HCHF) që i shkroi një letër Këshillit Botëror të Kishave (WCC). "Ne e njohim vlerën e jetës kulturore e shpirtërore të Shёn Sofisё për mbarë njerëzimin, prandaj mbështesim thirrjen tuaj pёr tё shmangur ndarjet dhe pёr të nxitur respektin e mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet të gjitha feve", pohohet mes tjerash nё letrën e nënshkruar nga juristi islamik Mohamad Abdel Salam, sekretari i përgjithshëm i Komitetit tё Lartë për Vëllazërimin Njerëzor (HCHF) dhe këshilltari i posaçëm i Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmad al Tayeb.

Sipas Komitetit tё Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, vendet e kultit duhet të transmetojnë "një mesazh paqeje dhe dashurie për të gjithë" e nuk mund të përdoren për të "kontribuar në përçarje, izolim e diskriminim, në një kohë kur bota me të vërtetë ka nevojë t'i përgjigjet thirrjes së feve për tё ndjekur udhёn e solidaritetit dhe për t’i përforcuar vlerat e bashkëjetesës e tё vëllazërimit njerëzor". Në këtë kuptim - thekson letra e sekretarit tё përgjithshëm tё Komitetit tё Lartë për Vëllazërimin Njerëzor - është e nevojshme "të shmanget çdo nismë, që mund të pengojë dialogun ndërfetar e komunikimin ndërkulturor dhe të krijojë tensione e urrejtje ndёrmjet ithtarëve të feve të ndryshme", përkundrazi, duhet tё mbështetet çdo nismë, qё u jep "përparësi vlerave të bashkëjetesës".

Me të njëjtin ton ёshtё edhe letra tjetër drejtuar Këshillit Botëror të Kishave, nënshkruar nga Hafid Ouardiri, drejtor i Fondacionit "Muslim Foundation de l’Entre-Connaissance" në Gjenevë e bashkë-themelues dhe zv.president i Platformës ndërfetare në Gjenevë, e cila shpreh mbështetjen e letrës qё Sekretari i përgjithshëm ad interim i Këshillit botëror të Kishave, Joan Sauca, i dërgoi më 11 korrik presidentit Erdogan: "Së Bashku me myslimanët e tjerë në botë, lutem që Shёn Sofia të mbetet kurdoherë  ajo qё ishte qё nga viti 1934: një udhëkryq njohurish, drite, urtësie dhe paqeje për mbarë njerëzimin”, shkruan Ouardiri.

Sauca, nga ana e tij, shprehu habinë dhe mirënjohjen për të gjitha këtё mbështetje solidariteti: " Ishte më shumë se ç'mund të prisnim. Jam krenar dhe i inkurajuar kur i shoh këto shenja mbështetjeje e solidariteti, të shprehura nga miqtë tanë myslimanë. Kjo tregon se dialogu ynë është i thellë dhe i vërtetë, e qё së bashku, mund të realizojmë ëndrrën për të ndërtuar një botë vërtet paqësore, në të cilën njerëzit e besimet, respektojnë e mbështesin njëri-tjetrin", shton Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, duke nënvizuar se dialogu ndërfetar, "nё zhvillim e sipёr që prej gati 50 vitesh, duhet tё thellohet edhe më tej", pasi sot ёshtё mё i "nevojshëm se kurrë".

Mbi nismën e Erdoganit kanë folur edhe tre intelektualë të mirënjohur turq, ekspertë të teologjisё, të cituar nga agjencia e lajmeve Fides,: Nazif Ay, Mehmet Ali Oz dhe Yusuf Dulger, të cilёt flasin për një "gabim të pariparueshëm" që "e cënon mesazhin e pajtimit e tё drejtësisë të islamit, kuptimi i të cilit është 'paqja'”.

23 korrik 2020, 12:21