Në Tokën Shenjte, Muzeumi boton on line objektet më të zgjedhura
R.SH. - Vatikan
Puna studimore, jo vetëm liturgjike, por edhe shkencore dhe arkeologjike e bijve të Françeskut, nis nga lidhja e thellë e françeskanëve me Tokën Shenjte ku, që më 1901, themeluan Studium Biblicum Francescanum, që vijon veprimtarinë e pandërprerë në Jeruzalem.
Një ndër frytet e kësaj pune është Museum Sancta Terra. E pikërisht koleksioneve të tij i kushtohet vëllimi I i një kolane të re, që tregon historinë e objekteve të gjetura e të koleksioneve që ruhen në muze. Titullohet “Selected Works from the collections of Terra Sancta Museum”. Vëllimi, shkruar në gjuhën angleze, u paraqit sot, 2 korrik.
Rojtaria e Viseve të Shenjta nuk ruan vetëm gurët, por edhe, e sidomos, atë Dritë, që gurët e panë, e transmetuan e vijojnë t’ua përcjellin breznive që pasojnë njëra-tjetrën. Kjo realizohet duke u prirë lutjeve të shtegtarëve me liturgji të lashta e gjithnjë të reja, sepse feja ka një rrënjë të vetme në Krishtin, “i njëjtë dje, sot, përgjithmonë e jetës”. E është gjithnjë e gjallë e në përtëritje të vazhdueshme në format, përmes të cilave mishërohet. Në liturgjitë e Tokës Shenjte kombinohen rituale të lashta, melodi solemne e gjeste, që të kujtojnë shkëlqimin e shekujve të kaluar, por që u flasin edhe shtegtarëve të kohëve moderne me të njëjtën thjeshtësi të kohëve kur mbi gurët, që shpesh mund të soditen në Muze, shkeli vetë këmba e Krishtit.
Guri i parë i Muzeut u vu në vitin 2015
Nuk është e lashtë, ndërtesa e Muzeut. Guri i themelit u vu së voni, në vitin 2015. Por ka një koleksion të lashtë, me vlera të mëdha, me objekte tejet interesante, gjetur në ngulimet e para në Palestinë e në zonat e tjera mesdhetare, duke nisur që nga vitet ‘900. Këtu ruhen rrënjët e fesë së krishterë e jo vetëm katolike, me të cilat mund të njihemi nga afër, duke shfletuar vëllimin I të kolanës së re “Selected Works from the collections of Terra Sancta Museum”, që tregon historinë e objekteve të gjetura e të koleksioneve që ruhen në muze.