Nën çadra, ndërmjet tërmetit e pandemisë Nën çadra, ndërmjet tërmetit e pandemisë 

Shqipëria, tetë muaj pas tërmetit, shtatë pas Covid 19: pak ndërtime, shumë infektime

Shqipëria jeton ndërmjet tërmetit e Covid-19! Rindërtimi vijon me ritme të ngadalta, pandemia, tejet të shpejta. E shumë familje jetojnë në çadra, ku kalojnë shpesh edhe çastet e vështira të sëmundjes. Flet Roberta Profka, drejtoreshë e Shis, ojq shqiptare, partnere e Fondacionit Avsi

R. SH. - Vatikan

Tetë muaj më parë, më 26 nëntor 2019, një tërmet prej 6.4 ballësh shkaktoi në Shqipëri 51 viktima e më se 3.000 të plagosur si dhe 14000 ndërtesa të rrënuara ose të dëmtuara. Një dëm material prej rreth 844 milionë eurosh. E 2500 shqiptarë pa çati mbi kokë! Dëme mbi dëme. Atyre të tërmetit, iu shtuan sivjet dëmet e shkaktuara nga Coronavirusi Covid-19. Situatë, e cila vijon të rëndohet në gjithë vendin, duke krijuar shqetësime serioze në gjirin e familjeve, që jetojnë në gjendje ekonomike kritike. Lockdown, me mbylljen e fabrikave e të ndërmarrjeve, vijon t’i lërë qindra njerëz pa punë, duke e rënduar më tej situatën në gjirin e familjeve, që nuk janë më në gjendje t’i plotësojnë as kërkesat më të domosdoshme të përditshme!

Rindërtimi ngadalëson hapat, sëmundja i shpejton

Për situatën në Shqipëri flet Roberta Profka, drejtoreshë e Shis, ojq shqiptare, partnere e Fondacionit Avsi:

“Për fat të keq infektimi me Covid-19 këto ditë po rritet me ritëm të shpejtë. Të prekurit nga sëmundja në këto çaste janë 4460; të shëruarit, 2500 e të vdekurit, 123. Numra, që i shqetësojnë jo pak autoritetet shqiptare, të cilat po merreshin me rindërtimin pas tërmetit, kur ia nisi “një tërmet tjetër”. I dyti po ndikon ndjeshëm në ngadalsimin e ritmeve të ndërtimit mbi gërmadhat e tërmetit. Virologët prisnin rënien e numrit të të sëmurëve në vapën e verës, por parashikimet e tyre nuk po vërtetohen. Shtohet numri i të prekurve e, me të, edhe shqetësimi i popullsisë. Që mund të rritet akoma në shtator, kur parashikohet të nisë edhe viti i ri shkollor 2020/2021. Në këto kushte, edhe strukturore, tërmeti - shton me shqetësim Profka - ka dëmtuar shumë shkolla, prandaj rikthimi në normalitet është tejet i vështirë. E kësaj i duhet shtuar edhe mungesa e pajisjeve teknologjike dhe e formimit për mësimin në distancë, siç u konstatua gjatë lockdown, kur shkollat u mbyllën dhe nxënësit u detyruan t’i ndjekin mësimet në shtëpi. Kush mundi ta bëjë këtë, jo të gjithë! Por - nënvizon drejtoresha e Shis - nxënës e mësues mund të marrin e të japin rregullisht mësim në distancë, vetëm nëse kanë mjetet e nevojshme teknologjike. Prandaj është detyrë kryesore të investohet për shkollën e, posaçërisht, t’u sigurohet e drejta e studimit më të ligshtëve, atyre që nuk kanë mundësi të hyjnë nga çadrat, ku jetojnë, në një botë mësimi, që në shumë strehë shqiptare është ende ëndërr parë me sy hapur!

Shis e Avsi përkrah njerëzve të ligësht

Dyshimeve për rifillimin e ritmeve shoqërore-ekonomike pas-Covid, u shtohen ato të rindërtimit pas tërmetit. Tetë muaj pas lëkundjeve – kujton Profka - ka ende familje të dëmtuara, që jetojnë nën strehë të huaja, në banesa të çastit e nën çadra. Prandaj autoritetet e Durrësit, të Lezhës e të zonës kryeqytetase të kombinatit kërkuan ndihmë për t’i identifikuar e për t’i mbështetur familjet më të varfra. Që nga nëntori i kaluar e deri më sot, Shis e Avsi, falë mbështetjes së Fondit bamirës Intesa San Paolo, u shpërndanë pako ushqimore, higjieniko-sanitare e veshmbathjesh 100 familjeve të shpërndara në tri qendra. Çdo pako përmban sende ushqimore e prodhime higjienike për një muaj. Për të rriturit e fëmijët e tyre. E pastaj? Kjo pyetje dramatike kërkon përgjigje. Kush do t’u japë jetë, pastaj? Duhet të vijojnë ta mbajnë jetën gjallë me lëmoshë? Në një vend ku një pensionist merr aq, sa të jetojë normalisht vetëm tri ditë? E ku polarizimi i shoqërisë vijon ta thellojë frikshëm hendekun ndërmjet të varfërve e të pasurve? Duke ndikuar edhe mbi largimin e të rinjve e plakjen e vazhdueshme të vendit!

Takim me nevojtarët

Duhet të takohemi me nevojtarët, t’i dëgjojmë të njohim nga afër kërkesat e tyre - kujton Profka - sepse kjo na krijon mundësinë jo vetëm t’i dëgjojmë e t’i kuptojmë nevojat e tyre, por edhe t’i sigurojmë se nuk do të jenë fare vetëm, se do të jemi pranë tyre, se jemi gati t’i ndihmojmë edhe në çaste të rënda emotive  e psikologjike.

Historia e një fëmije të vogël, të sëmurë, shqiptar, që jeton me lëmoshë, nën strehën e shtëpisë së rrënuar nga tërmeti.

Historia e Gurit – a Lulit të vocërr të kohëve të reja

Të kujton menjëherë Lulin e vocërr të Migjenit, Guri i vogël, një fëmijë 11 vjeç, që jeton në Porto Romano të Durrësit. Guri nuk ka shtëpi. Ia rrënoi tërmeti. E megjithatë ai vijon të jetojë nën çatinë gjysëm të rrëzuar. E ëma, shëndetligë, detyrohet të punojë gjithë ditën si rrobaqepëse, për të mbajtur gjallë familjen. I ati, që tërmeti e pandemia e lanë pa punë, ruan të birin. Quhet Gur, po pak i ngjet gurit. Eshtë tejet i ligshtë, sepse i sëmurë nga epilepsia. Ndaj të atit i duhet ta ruajë gjithë ditën. Tashti që nuk ka punë tjetër.  Familja jeton kryesisht me punën e nënës e me ndihma, domethënë me lëmoshë, që i vijnë nga stafi i Shis, i cili i dorëzon familjes pako ushqimore e ndihma të tjera. E fëmija i sëmurë hov nga gëzimi, kur vijnë ndihmat! Kur mund t’i zëvendësojë këpucët e grisura, si opangët e Lulit të vocërr të Migjenit, me këpucët e reja, që i dhurohen. E kush e mendonte se Luli i vocërr i Migjenit do të dukej përsëri nën strehët e rrënuara të shtëpive shqiptare? E se do të kishte nevojë të vazhdueshme për ndihmë, pasi pati parë ëndrra me demokraci e zhvillimin të vrullshëm të vendit, që do ta shpëtonte “Lulin e vocërr” nga opangat që kishin hapur gojën si me dashtë me e hangër mësuesin, e edhe vetë mësuesin, edhe ai me ‘opangë’ të grisura”.

 

 

30 korrik 2020, 09:51