Kërko

Vatican News

Shën Sofia xhami. Kryepeshkopi ortodoks takohet me Donald Trump

Që sot, Shën Sofia, ish-katedralja bizantine e Kostandinopojës, muze në epokën moderne, kthehet në xhami. Në lutjen e parë islame merr pjesë edhe presidenti turk Erdogan. Kryepeshkopi ortodoks i Amerikës, Elpidophoros, takohet me presidentin Donald Trump dhe me zëvendësin e tij Mike Pence

R.SH. - Vatikan

Kryepeshkopi i Amerikës, Elpidophoros, autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse Greke në Shtetet e Bashkuara, u takua, në Shtëpinë e Bardhë, me presidentin Donald Trump dhe me zëvendësin e tij, Mike Pence, për t’i informuar autoritetet amerikane mbi shqetësimet e Patrikanës Ekumenike dhe të vetë krydioqezës greke përsa i përket shndërrimit të Shën Sofisë në xhami. Pikërisht sot, në ish-katedralen bizantine, që Qemal Ataturku e la muze për gjithë botën, u tha lutja e parë islamike pas 85 vitesh, në praninë e presidentit turk Erdogan.

Pas takimit me autoritetet amerikane, kryepeshkopi Elpidophoros shprehu në Twitter mirënjohjen për bisedën, gjatë së cilës komunikoi “shqetësimin e thellë për shndërrimin e Hagia Sophia në xhami, si edhe shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë e Patrikanës Ekumenike dhe për çështjen e respektimit të lirisë fetare”. Sot, në kishat, manastiret dhe hermitazhet ortodokse në mbarë botën, nga Australia deri në SHBA-të e në Greqi, është shpallur ditë zie. Kudo i lartohet Zotit himni Akathistos, një kompozim kushtuar Virgjërës Mari, që, në liturgjinë bizantine, këndohet në këmbë, të shtunën e pestë të Kreshmëve. “Vijojmë me lutje”, thuhet në një deklaratë të Kishës Ortodokse të SHBA-ve në faqen e internetit “Orthodox Times”. “Por e çojmë luftën tonë edhe në nivelet më të larta të qeverisë, që të veprojë e të reflektojë”.

24 korrik 2020, 12:32