AdobeStock_51279321.jpeg

Shën Sofia të jetë vend paqeje dhe dialogu

Historia e Bazilikës së Shën Sofisë, kthyer në xhami, pastaj në muze e, ditët e fundit, sërish në xhami, përshkon shekujt, duke i thënë njerëzimit se për të gjithë duhet gjetur udha e dashurisë dhe e paqes.

R.SH. - Vatikan 

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kësaj së diele, Papa Françesku tha se ndihet “shumë i hidhëruar”, kur mendon për Shën Sofinë. Ish-bazilika e përuruar në vitin 537 në kohën e perandorit të krishterë Justinian, u kthye në xhami në vitin 1453, me pushtimin e Kostandinopojës nga otomanët, e tillë mbeti deri më 1934, kur ati i Turqisë moderne, Qemal Atatürk, vendosi që ajo të jetë muze, ku të gjitha fetë të gjejnë simbolet e tyre. Ndërsa, më 10 korrik, autoritetet turke aktuale e kthyen sërish në vend kulti islamik, duke shkaktuar reagime të fuqishme në të gjithë botën. Ndër to, veçojmë atë të Këshillit Ekumenik të Kishave, i cili i kërkoi presidentit turk Erdogan ta rishikojë vendimin, për të promovuar mirëkuptim, respekt, dialog dhe bashkëpunim, duke shmangur armiqësitë e vjetra, përjashtimet dhe përçarjet.

Histori e gjatë

Katedralja bizantine e Shën Sofisë ishte mahnitëse dhe tërheqëse që në fazat e hershme të ndërtimit të saj, në shekullin e gjashtë. Ndërtesë kryesore e kultit në kryeqytetin bizantin, Kostandinopojë dhe mbetet simboli më i njohur i qytetit modern turk të Stambollit të sotëm. Hagia Sophia është vendndodhja e ngjarjeve, që i kanë dhënë rrjedhën historisë.

Hyjnorja, që zbret për t’u bërë e prekshme

 “Shën Sofia - pohon poeti dhe filozofi rumun, Lucian Blaga, - zbret në hapësirë, nga lart poshtë, e lidhur me qiellin nga një fije e padukshme... E gjithë katedralja përfaqëson një botë më vete, që nuk mbështetet mbi asgjë, që nuk lartohet drejt asgjëje, por që, thjesht, tregon, zbulon vetveten. Në fakt, mendimi - më tepër i jetuar se i menduar - që zuri vend në këtë mënyrë ndërtimi, përfshin idenë që Hyjnori zbret për t’u bërë i prekshëm, se një zbulesë hyjnore nga lart poshtë është e mundur, se hiri merr formë nga lart, duke u bërë i ndieshëm”.

Urtia hyjnore

Bazilika e lashtë iu kushtua Urtisë hyjnore, siç thotë emri grek (Αγία Σοφία). Koncepti i urtisë zë një vend thelbësor në Shkrimin Shenjt. Në “Shtatëdhjetët”, përkthyesit e parë të Besëlidhjes së Vjetër në greqisht, emri “sophia” është përkthim nga hebraishtja “ḥoḵma”, urti a mençuri, temë qendrore e Librave të Urtisë. Në Besëlidhjen e Vjetër, personifikimi i Dijes (hebraisht, Chokhmah), ashtu si edhe koncepti i urtisë (sophia) u trashëgua nga filozofia greke, në veçanti nga platonizmi. Në krishterim, Biri i Zotit, Vetja e dytë e Trinisë, Logos, identifikohet me Urtinë hyjnore (1 Kor 1,24). Centraliteti i Jezusit, në Bazilikën e Shën Sofisë shprehet përmes mozaikut të Krishtit Pantokrator në kupolë, qendra optike e ndërtesës.

Drita e Ringjalljes

  Gërmimet e fundit arkeologjike i kanë ndryshuar kufijtë dhe funksionet e hapësirave të jashtme dhe të brendshme të ndërtesës. Ndër zbulimet e reja, një baptister rrethor, një bibliotekë dhe një kthinë, si edhe elemente dekorative, si mozaikë, afreske dhe skulptura. Por, një detaj shton një kuptim të thellë simbolik. Jashtë, u gjetën pllaka mermeri të bardhë, si në dysheme, ashtu edhe në mure, të cilat dëshmojnë se ndërtesa ka qenë e ndryshme në karahasim me atë, që ka mbijetuar deri më sot. Pllakat e mermerit pasqyronin dritën, duke i dhënë bazilikës një shkëlqim të jashtëzakonshëm, të dukshëm edhe nga larg, në përputhje me simbolikën bizantine të dritës. Ngjyra e bardhë në krishterim është ngjyra e dritës, e Ngjalljes së Krishtit.

Para Shën Sofisë

Ndërtimi i kishës së parë, i njohur si Meγάλη Ἐκκλησία (Megálē ekklēsía), “Kisha e Madhe”, për shkak të përmasave më të mëdha se ato të kishave të tjera të qytetit, nisi me urdhër të Konstandinit I, i cili deshi një katedrale në kryeqytetin e ri. Ende në ndërtim e sipër në vitin 337, kur vdiq perandori, u shugurua vetëm më 360 nga patriarku Eudosio i Antiokisë, në kohën e Kostancit II. Pasi i ra zjarri, u rindërtua nga Teodosi II dhe u shugurua sërish më 415.

Bazilika më e madhe e krishterimit

Iu vu sërish zjarri, pas revoltës së përgjakshme të Nikesë në vitin 532, por u rindërtua nga Justiniani, nën drejtimin e arkitektëve Antemi nga Trale dhe Isidori nga Mileti, Plaku. Burimet e kohës e përshkruajnë me mahnitje madhështinë e bazilikës: përmasat e saj e bënë të njihej si katedralja më e madhe e krishterimit; të jashtëzakonshme, forcat e përdorura për ndërtimin e saj, me punëtorë që vinin nga çdo vend i Perandorisë,duke arritur në dhjetë mijë njerëz dhe sasia e mermerit, transportuar nga tempulli i Artemisës në Efes ose nga guroret e Egjiptit, Bosforit, Thesalisë dhe Sirisë. E së fundi, kupola e saj e pamasë, si të ishte pezull në ajër, kaq e lehtë duket. Ndërtimi i katedrales u përfundua në vitin 537 dhe më pas, u shugurua nga patriarku Eutiku, më 27 dhjetor të po atij viti. Duket se me atë rast, Justiniani pati thirrur: “Lavdi Zotit që më bëri të denjë për këtë!”

Plaçkitja gjatë kryqëzatës së katërt

 Shekujt në vijim karakterizohen nga tërmete, zjarre dhe shkatërrime. Gjatë Kryqëzatës së Katërt, me pushtimin e Kostandinopojës në vitin 1204, Hagia Sophia u përdhos dhe u plaçkit. Më pas, u bë vend kulti katolik deri në vitin 1261, kur qyteti u rifitua nga bizantinët. Kisha ishte në gjendje të mjerë, përkeqësuar nga një tërmet, pas të cilit u mbyll deri në vitin 1354, kur, me urdhër të perandorit të Lindjes, Gjonit V Paleologu, u bënë restaurime të reja nga arkitektët Astras dhe Peralta.

Bazilika bëhet xhami

Në vitin 1435, Kostandinopoja u rrethua dhe u pushtua nga Sulltan Muhameti II dhe Shën Sofia u plaçkit përsëri. Ata, që ishin strehuar për t’u lutur në katedrale, iu nënshtruan dhunës dhe u skllavëruan. Kisha u shndërrua në xhami me emrin Aya Sofya. U restaurua sërish e struktura iu përshtat kultit islamik, mozaikët u suvatuan dhe u shtuan minaret. Në shekullin e 16-të, arkitekti osman Mimar Selim kreu vepra të rëndësishme konsolidimi mbi strukturën dhe shtoi dy minare të tjera të mëdha. U ngul një gjysmëhënë e artë në majë të kupolës qendrore. Pas ndërhyrjeve të tjera, të jashtme dhe të brendshme, në shekullin XIX, Sulltani Abdyl Mexhid urdhëroi arkitektin tiçinez Gaspare Fossati dhe vëllain e tij Giuseppe të kryejë konsolidime të reja, sidomos në kupolë dhe në harqe. U ribënë edhe zbukurimet e brendshme, ndër të cilat tetë medaljone të mëdha me emrat e Allahut, Muhametit, dy nipërve të tij dhe katër kalifëve.

Shndërrimi në kompleks muzeal

 Në vitin 1934, themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemal Atatürk, e shndërroi Shën Sofinë në muze, duke nxjerrë në dritë pas shekujsh, dyshemetë dhe mozaikët. Me kalimin e viteve, janë kryer një sërë punimesh ristrukturimi dhe restaurimi, të subvencionuara nga Fondi Botëror i Monumenteve.

Benedikti XVI në Stamboll: Zoti na ndihmoftë të gjejmë udhën e paqes

 Më 30 nëntor 2006, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Turqi, Benedikti XVI vizitoi Xhaminë Blu dhe Shën Sofinë, në Stamboll. Në librin e artë të muzeut, shkroi: “Pavarësisht nga ndryshimet, gjendemi përballë besimit në Zotin e vetëm. Hyji na ndriçoftë dhe na bëftë të gjejmë udhën e dashurisë dhe të paqes”.

14 korrik 2020, 14:16