povertà estrema  povertà estrema  

Fao: mёse 130 milion njerëz rrezikohen nga uria

Të dhënat nga raporti i fundit Fao-sё mbi sigurinë ushqimore janё shqetësuese, madje dramatike. Fatkeqësisht, dihet se uria është një nga plagët më të rënda të botës sonë, me miliona njerёz, fëmijë e tё rritur që çdo vit vdesin për këtë. Sipas Fao-sё mёse 130 milion njerëz rrezikohen nga uria.

R.SH. - Vatikan

Uria është ende sot një plagë aktuale e trishtë e dramatike. Kёtё e dëshmon edhe Raporti i fundit i Fao-sё (Organizatёs sё Kombeve të Bashkuara pёr ushqimin dhe Bujqësinë e) mbi gjendjen e sigurisë ushqimore në botë, që u paraqitur sot, sipas të cilit për të katërtin vit radhazi numri i njerëzve që vuajnë nga uria është në rritje. Sipas Fao-sё mёse 130 milion njerëz rrezikohen nga uria.

Deri në fund të vitit 2020 për shkak të pandemisë Covid-19 më shumë se 130 milion vetë do të vuajnë nga uria kronike, një numër që mund të rritet edhe më tej. Ky është alarmi i ngritur sot nga raporti i fundit i Fao-sё mbi gjendjen e sigurisë ushqimore dhe të ushqyerit në botë: gati 690 milionë njerëz kanë vuajtur nga uria gjatë vitit 2019, 10 milionë më shumë se në vitin 2018 dhe gati 60 milionë më shumë në harkun e pesë vjetëve.

Pandemia e tanishme do të tërheqë më shumë se 130 milion vetë në pasigurinë ushqimore. Më 2019, rreth dy miliard nuk kishin akses në burimet e duhura ushqimore. Më tepër se 140 milion fëmijë kanë pasur probleme në rritje për shkak të mungesës së ushqimit.

Bibla na mёson e kёrkon: “jepuni për të ngrënë të uriturve”

Shën Çezari, ipeshkëv i Arles, shkruan: “Në këtë tokë, Zoti ka uri e etje në personin e gjithë të varfërve, siç pati thënë vetë: ‘Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’ (Mt 25,40). Ai Zot, që denjohet të na shpërblejë në qiell, dëshiron të marrë këtu në tokë. E kush jemi ne që kur Zoti dhuron, marrim, por kur Zoti kërkon, nuk duam të japim? Kur një i varfër ka uri, është Krishti që ka uri… Mos e përbuzni pra, mjerimin e të varfërve, nëse doni të shpresoni me siguri në faljen e mëkateve. Krishti ka uri, Ai denjohet të ketë uri dhe etje në të gjithë të varfërit; atë që merr në tokë, ta kthen në qiell”.

Injorimi i të varfërve është përbuzje për Zotin

“Në të varfërit, vjen të na takojë vetë Jezu Krishti”. Kёshtu pati pohuar Papa Françesku, gjatё katekizmit tё Audiencёs sё përgjithshme tё 18 majit 2016, duke u nisur nga shёmbёlltyra ungjillore e grykësit të pasur dhe  Lazrit të varfër nga Luka Ungjilltar (Lk 16, 19-31), për të vënë në dukje lidhjen ndërmjet mëshirës, varfërisë dhe Gjykimit të Mbramë. “Jeta e këtyre dy njerëzve – theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio – duket sikur ecën në dy binarë paralelë: kushtet e tyre janë diametralisht të kundërta e nuk përputhen aspak.

Porta e shtëpisë së pasanikut është gjithnjë e mbyllur për varfanjakun, i cili rri jashtë e përpiqet të hajë ndonjë dromcë, që bie nga sofra e të pasurit. Ky vishet me luks, ndërsa Lazri mbulohet nga plagët; pasaniku shtron një banket të madh përditë, ndërsa Lazri vdes nga uria”. Lazri e përfaqëson mirë britmën e heshtur të varfanjakëve të të gjitha kohërave dhe kontradiktën e një bote, në të cilën pasuri e burime pa fund janë në duart e pak vetëve, ashtu si pasaniku i shëmbëlltyrës, nënvizoi Papa: “Duke e përjashtuar Lazrin, nuk mori parasysh as Zotin, as ligjin e Tij. Të injorosh të varfërin do të thotë të përbuzësh Hyjin. E këtë duhet ta mësojmë mirë: injorimi i të varfërit është përbuzje për Zotin”.

Para syve të Zotit të dënon mungesa e dhembshurisë, jo pasuria

Shëmbëlltyra ungjillore, vijoi Papa Françesku, na jep një veçori të rëndësishme: “i pasuri nuk ka emër, ndërsa emri i të varfërit përsëritet pesë herë e ‘Lazër’ do të thotë ‘ Zoti ndihmon’. Lazri i varfёr, i cili shtrihet para derës, është thirrje e vazhdueshme për të pasurin që të kujtohet për Zotin, por i pasuri nuk e kupton këtë thirrje.

Prandaj, dënohet jo për pasuritë e veta, por sepse ishte i paaftë të ndjente dhembshuri për Lazrin e varfёr dhe ta ndihmonte”. Në botën e përjetshme, paralajmëroi Papa, “gjendja përmbyset: Lazri i varfër lartohet nga engjëjt në qiell, pranë Abrahamit, ndërsa i pasuri bie në humnerë, në mes të mundimeve. E i kërkon Abrahamit t’ia çojë Lazrin, që t’i lagë gojën: “Tani, i pasuri kujtohet për Lazrin dhe i kërkon ndihmë, ndërsa kur ishte gjallë bënte sikur nuk e shihte. Sa herë – sa herë! – shumë njerëz bëjnë gjoja se nuk i shohin të varfërit! Për ta, të varfërit nuk ekzistojnë…”.

Uria një nga plagët më të rënda të botës

Fatkeqësisht, dihet se uria është një nga plagët më të rënda të botës sonë, me miliona njerёz, fëmijë e tё rritur që çdo vit vdesin për këtë. Prandah, të dhemb shpirti kur sheh se shpesh, këta tё varfëe nuk hyjnë në sistemet ndërkombëtare të mbrojtjes, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kёshtu pati pohuar Papa Françesku gjatё fjalimit drejtuar mё 11 janar 2016 Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.

Si të mos shohim këtu frytin e asaj ‘kulture të hedhurinave’, që vë në rrezik njeriun, duke flijuar burra e gra për idhujt e fitimit e të konsumit? Është e rëndë kur ngopemi me këto situata të varfërisë e të nevojës, me dramat e sa e sa njerëzve, duke i kthyer në “normalitet”. Njerëzit nuk ndihen më si vlerë parësore për t’u respektuar e mbrojtur, sidomos nëse janë të varfër apo invalidë, nëse ‘nuk na duhen më shumë’ – si të palindurit, në bark të nënës – ose, ‘nuk duhen më’ – si të moshuarit. Jemi bërë të pandjeshëm ndaj çdo forme shpërdorimi, duke filluar nga ai ushqimor, që është ndër më të neveritshmit, ndërsa ka kaq shumë njerëz e familje, që vuajnë nga uria dhe ushqimi i keq (Audiencën e përgjithshme, 5 qershor 2013).

Nevojitet, pra, impenjim i përbashkët, që ta përmbysë me vendosmëri kulturën e hedhurinave e të fyerjes së jetës njerëzore, në mënyrë që askush të mos ndjehet i lënë pas dore apo i harruar e që të mos flijohen jetë të tjera, për shkak të mungesës së fondeve e, sidomos, të vullnetit politik.

13 korrik 2020, 17:17