San Giovanni Paolo in Polonia 1979  San Giovanni Paolo in Polonia 1979  

Mos ta harrojmë kurrë Meshën e së dielës!

Ipeshkvijtë polakë u kujtojnë besimtarëve, që përgatiten për pushime, Meshën e së dielës, që nuk duhet harruar kurrë! E Papa i quan pushimet, “kohë për të pushuar, për të shijuar bukuritë e gjithësisë e për të forcuar lidhjet me njerëzit e me Zotin”.

R.SH. - Vatikan 

Edhe nё kohёn e pushimeve, ipeshkvijtë polakë u kujtojnë besimtarëve, Mesha e së dielës nuk duhet harruar kurrë!  Eshtë e vërtet se “të gjithë kemi nevojë për pushime. Po nuk duhet të heqim kurrë dorë nga Mesha e së dielës”. Don Pawel Rytel-Andrianik, zëdhënës i Konferencës ipeshkvnore polake, u kërkon besimtarëve të mos e harrojnë, edhe gjatë kohës së pushimeve, “kujdesin për shpirtin”, që është edhe më i rëndësishëm se kujdesi për korpin. Sepse korpi nuk  mund të prehet, kur nuk prehet, në radhë të parë, shpirti.

Pushimet e Mesha së dielës

Don Pavel vijon t’u kujtojë besimtarëve se në mjetet e komunikimit janë botuar fotografitë e kishave, të shenjtëroreve e të kapelave, ku mund të shkojnë të luten, duke përdorur hashtag#WakacyjneMsze”. Në një mesazh, botuar në kanalin e ipeshkvijve, zëdhënësi vëren: “Pavarësisht nga vendi ku do t’i kaloni pushimet, do ta gjeni dikund një kishë. Edhe nëse jeni jashtë vendit e nuk e njihni gjuhën, dikush do t’ju tregojë ku është kisha. Që të mund ta shenjtëroni të dielën”.

Smartphoni juaj për të pavdekësuar vendet e shenjta

Më pas, ftesa: “Përdoreni smartphonin tuaj për të pavdekësuar vendet e shenjta, që vizitoni; postojini në Facebook, Twitter, Instagam. Do të keni, kështu, mundësinë, t’i bëni të njohura kishat e monumentet, që të tjerët nuk i njohin e njëkohësisht, të dëshmoni fenë tuaj dhe vlerën e pallogaristhme që ka Eukaristia pas kaq muajsh largimi, për shkak të pandemisë.

Papa: forcojini lidhjet me njerëzit e me Zotin  
Së fundi, zëdhënësi i ipeshkvijve kujton fjalët e Papës Françesku  shqiptuar gjatë audiencës së 24 qershorit të kaluar:
 “Pavarësisht nga  të gjitha masat e sigurimit, të lidhura me kërcënimin e ngjitjes së koronavirusit, uroj që kjo të jetë kohë për të pushuar, për të shijuar bukuritë e gjithësisë e për të forcuar lidhjet me njerëzit e me Zotin”.

06 korrik 2020, 10:25