1595494667859.JPG

Me “Next Generation Eu” merr formë një politike e re ekonomike evropiane

Bisedime të zgjatura dhe të vështira në Bruksel: politika kërkon kohë, durim, diplomaci. Pas miratimit të Recovery Fund, politika ekonomike e Bashkimit Evropian forcohet, pavarësisht nga “frenat e emergjencës”, rishikimit të kontributeve për disa shtete dhe nevojës për reformë. Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni, komenton: “Evropa është më e fortë se ndarjet e saj”.

R.SH. - Vatikan

“Hello, everyone. We did it. Europe is strong. Europe is united. Nous l’avons fait: l’Europe est solide, l’Europe est robuste et surtout l’Europe elle est rassemblée”.

 Fërkon sytë, rregullon xhaketën dhe më pas fillon të flasë, Charles Michel, ndërsa dielli po lindte në Bruksel. Pas katër ditësh me bisedime tejet të vështira, nganjëherë, edhe të dëshpëruara, në agimin e së martës 21 korrik, Kryetari i Këshillit Evropian është në gjendje të thotë “ia dolëm mbanësh, Evropa është e fortë dhe e bashkuar”.

Vendime dhe shifra. Krerët e shteteve dhe të qeverive, mbyllur si në konklav në Pallatin Europa, përcaktuan Planin financiar shumëvjeçar (pra, buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027, që tani duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian) për një shumë prej 1.074 miliardë eurosh, si edhe Planin e Rimëkëmbjes, pra, fondin prej 750 miliardë eurosh, që do të shërbejë për t’iu përgjigjur krizës ekonomike, shkaktuar nga pandemia e Covid-19. 390 miliardë janë ndihma falas, ndërsa 360 ​​miliardë janë kredi me kushte të favorshme.

Kontrolli i shpenzimeve iu besua Komisionit të BE-së; gjithashtu, do të përdoren të ashtuquajturit “frena të emergjencës”, që i japin mundësinë edhe një shteti të vetëm t’i kërkojë Bashkimit Evropian verifikimin e planeve kombëtare, të cilat duhet të zbatohen sipas marrëveshjes me Brukselin, pa i shpërdoruar fondet. Në thelb, BE-ja hyri në rrugën e rishpërndarjes së burimeve të veta, bazë e solidaritetit: një hap gjigant në historinë e kontinentit.

Roli i “vendeve të kursyera”. Komenti më kuptimplotë ishte ai i komisionerit të BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni: “Evropa është më e fortë se ndarjet e saj”. Sepse natyrisht, ato ndarje u dukën edhe gjatë bisedimeve e, sigurisht, nuk zhduken me përfundimin e samitit. Vërtet, në Evropë ka vende virtuoze në planin ekonomik e në atë të bilancit publik – të ashtuquajturit “të kursyerit”, me në krye Holandën - që kërkojnë rreptësi dhe reforma, duke kritikuar ashpër vendet mesdhetare e në ndonjë rast, edhe ato të lindjes. Duhet pranuar se deri diku, kanë të drejtë, pasi shumë vende, që tani marrin ndihmat më të mëdha, si Italia e Spanja, kanë nevojë për reforma dhe për transparencë në llogaritë shtetërore. Gjithsesi, tani është radha e solidaritetit, e domosdoshmërisë për të rimëkëmbur ekonominë evropiane, në të mirë të të gjithëve. Me vështirësi, por këtë e kuptoi edhe kryeministri holandez, Mark Rutte. Së fundi, pas një “zbritjeje” më se bujare të kontributeve të Holandës në buxhetin e BE-së, nga e cila do të përfitojnë edhe Austria, Danimarka e Suedia, Haga miratoi Fondin e Rimëkëmbjes.

Debatet. Për të bindur Holandën, që mbështetej nga Austria, Danimarka, Suedia dhe Finlanda, u desh besueshmëria dhe pesha politiko-ekonomike e Gjermanisë së kacelares Angela Merkel dhe zëri i Francës së presidentit Emmanuel Macron. Kryeministri italian Conte diti të ishte jashtëzakonisht bindës dhe i vendosur, i mbështetur nga homologu i tij spanjoll Pedro Sanchez. Rezultati është një Evropë “e dobishme”, mbase e domosdoshme, megjithëse e përshkuar – siç u dëshmua edhe një herë - nga egoizma e nacionalizma dritëshkurtër. Duket se po i hap udhën vetes një politikë ekonomike, sipas së cilës tregu i vetëm dhe euro, si elementë të përbashkët, duhet të mbrohen, për të mirën e gjithë vendeve të Bashkimit Evropian dhe për një peshë më të madhe evropiane në ekonominë globale.

Demokracia dhe respektimi i të drejtave. Duhet theksuar se shpërndarja dhe përdorimi i fondeve do të lidhen ngushtë me respektimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave, baza e strukturave evropiane. Në këtë pikë, pati kundërshtime nga kryeministri hungarez Viktor Orban. Por ky është hap thelbësor për të ripohuar se BE-ja nuk është ngrehinë ekonomike, por - siç thuhet - një “bashkësi vlerash”.

Kohët e politikës. U vu në dukje edhe se mbledhja zgjati shumë. Por kjo tregon vetëm se politikës i duhet kohë dhe durim: të diskutojë për teza të ndryshme dhe nganjëherë të kundërta, të gjejë një kompromis jo të lehtë, për të mos iu dorëzuar logjikës “le të vdesë Samsoni me të gjithë filistenjtë”. Për të arritur, më në fund, në një rezultat, që bashkon logjikën e qeverisjes së mirë me atë të reformave. Këshilli Evropian i sapopërfunduar do të mbetet në histori si për miratimin e Fondit të Rimëkëmbjes (Next Generation Eu), ashtu edhe për mënyrën me të cilën holandezi Rutte u bëri ballë “të mëdhenjve”. Del qartë në pah se çdo vend ka dinjitet dhe të drejtë të barabartë për të folur dhe ky është gur themeli i Bashkimit Evropian. Por ndihet edhe nevoja për ta kapërcyer të drejtën e vetos, sipas së cilës një shtet, ose një bllok vendesh (në këtë rast, me as një të dhjetën e popullsisë së Bashkimit Evropian) mund të pengojë vendimet e politikës evropiane, ekonomike ose të jashtme. Konferenca për të ardhmen e Evropës, e cila duhet të fillojë në vjeshtë, duhet ta vendosë në rendin e ditës këtë papajtueshmëri antihistorike.

Një mundësi e re. Tani, pasi u fikën reflektorët mbi samitin, secili kthehet në shtëpinë e vet për ta kthyer këtë marrëveshje - të dobishme, megjithëse jo të përsosur - në fakte konkrete, duke ndërhyrë në favor të kompanive, tregjeve, punëtorëve, familjeve, duke synuar risimin teknologjik të vendit, revolucionin dixhital dhe mbështetjen e ekonomisë së qëndrueshme, që nuk e shkatërron ambientin. Pas fjalëve, është koha e veprave, e shpenzimeve pa shpërdorime. Edhe një herë, të gjitha vendet kanë një rast, që s’duhet humbur.

24 korrik 2020, 08:45