1594032359755.JPG

Lajme nga bota: Covid-19, Kroacia, Franca, Brexit, migrantët

R.SH. - Vatikan

Covid-19: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mjekët dhe personeli i spitaleve ndodhen tashmë, në një gjendje tejet të vështirë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Politikanët japin alarmin: rritja e rasteve me koronavirus vijon e nuk ndalet. Gjendje të ngjashme po përjetohen në Meksikë, Indi dhe Kili, vende, që gjatë fundjavës, e kapërcyen shifrën e 10 mijë viktimave. Ende, shumë shtete regjistrojnë rekorde infektimesh e vdekjesh, si Irani, Maroku, India, Shtetet e Bashkuara.

Kroaci: në Kroaci, konservatorët dolën të përforcuar nga zgjedhjet legjislative të djeshme dhe janë në një pozitë të favorshme për të formuar qeverinë. Në mungesë të shumicës absolute, partia e HDZ-së duhet të sigurojë edhe mbështetjen e 8 përfaqësuesve parlamentarë të pakicave; aq sa mjafton për të arritur numrin 50% + 1 të deputetëve.

Francë: sot, kryeministri i ri Jean Castex njofton formimin e qeverisë së re. Kryeministri Edouard Philippe, që dha dorëheqjen javën e kaluar, vetëm dy vite para përfundimit të mandatit të presidentit Macron, u kthye në postin e kryetarit të bashkisë në qytetin e tij Le Havre, ku fitoi zgjedhjet komunale të 28 qershorit. Jean Castex, nuk ka përvojë ministrore: profili i tij sugjeron që Macron nuk dëshiron të lihet në hije, në rast se do të rikandidohet në vitin 2022. Agjenda e presidentit Macron, e vitit 2017, mbetet qendrore për politikën e tij, por “duhet t’u përshtatet trazirave dhe krizave ndërkombëtare, që po përjetojmë: duhet të përvijohet një rrugë e re”, siç shkruan në një tweet vetë presidenti francez.

Brexit: rifillojnë sot e do të vijojnë deri më 10 korrik, bisedimet për Brexit në Londër, pas një jave të vështirë në Bruksel. Mundësitë për të arritur një kompromis po zvogëlohen me afrimin e afatit të 31 dhjetorit. Rreziku i “No deal”, pra, i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, është gjithnjë e më i lartë.

Italia/migrantët: një fitore sado e vogël për të drejtat e njeriut në Evropë. Pas 11 ditësh, anija “Ocean Viking” me 180 migrantë, mori autorizimin nga Italia për të zbarkuar në Portin Empedocle në Sicili. Të gjithë emigrantët do të hyjnë në karantinë 14-ditore në një anije tjetër në port. Të gjithëve iu bë testi për koronavirusin.

06 korrik 2020, 12:51