Kërko

2019.07.08.Dolomiti - le vacanze 2019.07.08.Dolomiti - le vacanze 

Kuptimi i krishterë i pushimeve

Jezusi na mëson shumë se pushimi i vërtetë i krishterë lind nga tri elemente: çastet e intimitetit me Zotin; shërbimi i dashurisë për të afërmin; shpresa e kuptuar si plotësim i premtimit të Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Vera është koha e pushimeve e, në përgjithësi, gjatë saj, ngadalësohen, ose lihen krejtësisht mënjanë veprimtaritë e zakonshme të vitit, sivjet, mjerisht, edhe pёr shkak tё koronavirusit. Por shpesh, pushimi, megjithёse jo tё gjithё kanё mundёsi e kohё, konsiderohet si periudhё për të mos bërë asgjë e për të ndenjur kot. Shoqëria e sotme na ka mësuar të ndjekim ritme frenetike, nga njëra anë, por edhe të mos e vrasim mendjen gjatë pushimeve, nga ana tjetër. Sot, do të reflektojmë pikërisht mbi kuptimin e krishterë të pushimeve.

Në të vërtetë, konceptimi i pushimit si mungesë e plotë impenjimesh apo si refuzim për t’u menduar mbi problemet e jetës, nuk përbën shlodhje. Pavarësisht se lihet mënjanë puna e zyra, impenjimet vijojnë në jetën familjare. Edhe Jezu Krishti nuk shkonte me pushime, duke mos u larguar nga dishepujt e as nga njerëzit, që ngarendnin tek Ai për t’u shëruar, ose edhe thjesht, për të dëgjuar një fjalë të mirë.

Çastet e vetme të pushimit për Krishtin ishin çastet e lutjes, ku shpirti i Tij gjente paqe, duke dëgjuar e duke hyrë në dialog me Atin Qiellor.Koha, që i kushtonte lutjes, ishte për Të përtëritje shpirtërore: aty e gjente forcën për t’u shërbyer të tjerëve e për të përmbushur kështu, misionin, që ia kishte besuar Ati.

Shembulli i Jezusit na mëson shumë edhe neve. Pushimi i vërtetë i krishterë lind nga tri elemente: çastet e intimitetit me Zotin; shërbimi i dashurisë për të afërmin; shpresa e kuptuar si plotësim i premtimit të Hyjit. Intimiteti me Atin Qiellor është vepër e Shpirtit Shenjt, që e udhëheq shpirtin nga thatësira e shkretëtirës në oazën e paqes e të lutjes, sepse vetëm kështu puhia e ngushëllimit të Tij shuan etjen e shkaktuar nga shqetësimet e ankthet e jetës sonë. Ashtu si trupi kërkon fresk gjatë vapës së verës, ashtu edhe shpirti është i tharë për vesën e këshillës hyjnore, që e drejton nëpër shtigjet e marrjes së vendimeve për jetën e vet.

Marrëdhëniet me Zotin na nxisim t’ia hapim zemrën të afërmit. Sa herë, gjatë vitit, nuk gjejmë kohën e përshtatshme për të folur si bashkëshortë, për të treguar diçka të brendshme për vetveten; sa herë nuk është e mundur të ndajmë shqetësimet për sjelljet e fëmijëve, ose për një të çarë sado të vogël në jetën familjare; sa herë humbim rastin për të dëgjuar në heshtje fëmijët, pa u kërkuar atyre gjithnjë diçka për të bërë.

E përtej familjes, shërbimi i dashurisë përfshin edhe të tjerët. Duket sikur kjo na kërkon energji më shumë, por kush ia ka kushtuar edhe një pjesë të vogël të jetës këtij shërbimi, e di sa të vërteta janë fjalët e Shën Palit, kur thotë se ndjehet më shumë gëzim kur jep, se sa kur merr.

E së fundi, elementi i fundit i pushimit të krishterë: ta jetojmë shpresën si plotësim të premtimit të Zotit. Lodhja shpirtërore lind shpesh nga shkurajimi për ngjarje të caktuara të jetës. Mungesa e punës, sëmundja, ankthi për fatin e martesës, edhe për miqtë e farefisin: të gjitha janë shqetësime, që e mundojnë zemrën. Besimi në shpresën, që na jep Zoti, i cili dëshiron ta plotësojë premtimin e Tij për shëlbim përmes historisë sonë personale, na jep paqe në zemra, sepse i vë shqetësimet dhe aspiratat tona në krahët plot dashuri të Hyjit.

Si përfundim, pushimi i krishterë e kapërcen mungesn e punës apo shplodhjen fizike e mendore. Pushimi i vërtetë është ai, që përqafon shpirtin dhe turpin në marrëdhënie me Zotin, në shërbimin ndaj të afërmit e në shpresën e realizimit të premtimeve të Hyjit, i cili dëshiron të japë një paqe, që i kapërcen travajët e kësaj jete. Prandaj, pushimi i krishterë gjen plotësim në jetën e amshuar, në të cilën kemi shpresë të ftohemi në banketin qiellor, ku do të na shërbejnë. Atëherë, do ta jetojmë pushimin përgjithmonë me Zotin, duke ndërhyrë me lutje për ata, që janë akoma shtegtarë mbi këtë tokë.

13 korrik 2020, 09:55