2020.04.16 CARITAS INTERNATIONALIS 2020.04.16 CARITAS INTERNATIONALIS 

Karitas e Focsiv: një fushatë kundër "pandemisë së urisë”, "Bukën tonë të përditshme na e jep sot"

Coronavirus Kovid-19: Karitas e Focsiv fillojnë nesёr, mё 8 korrik, fushatën për të luftuar "pandeminë e urisë" në vendet e varfëra tё botёs, me temёn "Bukën tonë të përditshme na e jep sot"

R.SH. - Vatikan

Një fushatë e madhe kombëtare italiane në ndihmё tё vendeve më të varfra, për të përballuar pasojat shoqëroro-ekonomike, shkaktuar nga koronavirusi, i cili pas problemit shëndetësor tani rrezikon të kthehet në një "pandemi urie". Mbyllja e detyruar në shtëpi i ka rritur pabarazitë shoqërore: sipas Programit Botëror të ushqimit (World food programme -Wfp) të Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve të uritur mund të dyfishohet. Së paku 135 milion njerëz janë në kushte tejet tё rёnda pasigurie ushqimore, shkaktuar edhe nga masat parandaluese për Covid-19, që janё vendosur në vende të ndryshme. Për këtë arsye, Karitasi italian e Vullnetarët në Botë tё Focsiv (Shërbimit Ndërkombëtar tё Federatës së Vullnetarëve tё Organizatave të Krishtera), nëpërmjet Ojq-ve të ndërlidhura, kanë vendosur t’i bashkojnë forcat në një aleancë të titulluar "Së bashku për dashurinë ndaj tё mbramёve" tё shoqërisë.

Zyrtarisht, fushata, e titulluar "Bukën tonë të përditshme na e jep sot",  fillon mё 8 korrik,  nё përkim me përvjetorin e vizitës së Papës Françesku në Lampeduza tё Italisё. Qëllimi i nismës, e cila do të zgjasë 7 muaj, deri në janar të vitit 2021, është i dyfishtë: ndërgjegjësimi i bashkësive të krishtera, shoqatave, shkollave, universiteteve dhe mbledhja e fondeve për financimin e projekteve pёr gjendjen e jashtëzakonshme në Afrikë, Amerikën latine, Evropën Lindore, Azi, duke përfshirë Lindjen e Mesme.

"Kemi përzgjedhur 60/70 projekte urgjente, qё na kanё dërguar Kishat vendore dhe Ojq - të",  shpjegon Paolo Beccegato, nëndrejtor  i Karitasit italian, "me një vëmendje të veçantë për vendet më të varfra në Amerikën Latine, Afrikë, Azi dhe në Evropën Lindore. Këto vende nuk i kanë burimet që ka Italia dhe as nuk kanë mbështetjen e Bashkimit Evropian. Duke parё shpejtësinë me të cilën godet pandemia, duke ndryshuar gjendjen e miliona njerëzve, do t’i përditësojmë projektet sipas zhvillimit të virusit".

"Përveç problemit shëndetësor, pasoja më e rëndësishme është e natyrës sociale e ekonomike, për shkak të lockdown, sepse njerëzit janё tё detyruar të qëndrojnë mbyllur nё shtёpi, në vend që të dalin çdo ditë për punë. Për këtë arsye, tema kryesore e fushatës do të jetë uria e shkaktuar nga pandemia". Lidhur me mbledhjen e fondeve, përfundon Beccegato, "nuk kemi vendosur ndonjë shumë tё veçantë, por për ne është realiste të arrijmë në një milion euro, pёr t’u dhënë kёshtu një përgjigje të parë nevojave më urgjente, qё kanё tё varfrit e tё mënjanuarit e shoqërisë". Nga faqja e internetit www.insiemepergliultimi.it do të jetë e mundur të shkarkohen materialet e informacionit e të bëhen donacionet.

07 korrik 2020, 12:29