Dante i përgojuar…
R. SH. - Vatikan
Sa ishte gjallë, Poetin e madh s’pushuan s’e përgojuari. Madje e akuzuan se jepte para me fajde. E mësojmë këtë nga një shkëmbim tingëllimash me mikun e tij, Forese Donati, i njohur me emrin Bicci. E vërtet? Apo thashetheme? Nuk dihet. Shumë ishin kundërshtarët e tij. Nuk i kundërviheshin Poetit, sepse ai vdiq pa lavdinë që ka sot. Po njeriut! Ndonëse nuk vetëvlerësohej si profet, që paraflet të ardhmen. Sepse e quante veten thjesht njeri, që diti t’u tregojë të gjallëve, çka pa duke shtegtuar në botën e të vdekurve.
Portreti i Poetit
Për fat të keq asokohe nuk kishte lindur akoma fotografia. Mund ta përfytyrojmë, prandaj, vetëm duke soditur një portet të pikturuar, që arriti shëndosh e mirë deri në kohët tona, e që thuhet se është mjaft besnik. Pak të dhëna kemi për pamjen e Alighierit. Dihet vetëm se nuk ishte shtatgjatë. E edhe se, duke u plakur, i doli gunga, nga që rrinte gjithë ditën i thyer më dysh mbi letra, duke studiuar e duke shkruar. Si njerëzit modernë, para kompjuterit.
Dante i dënuar
Gjatë ndeshjes ndërmjet guelfëve të bardhë e të zinj në Firence, rreth vitit 1302, fituan kundërshtarët. Dante u dënua menjëherë me vdekje. Do të digjej për së gjalli! Por kur u bë gati turra e druve, ai ishte tashmë shumë larg. Ndokush, që vijon të merret sot me krime e ndëshkime, mund të mendojë se ikja e tij ishte tradhti ndaj atdheut! Po ai u nis e shkoi pikërisht atje, ku do t’i rrokulliste kundërshtarët, sipas “meritave”, nëpër rrathët e zjarrtë ! E tmerrshme, hakmarrja e Poetit! Zbriti në ferr, për t’u ngjitur, pastaj, ngadalë në Purgator e në Parriz. Bëri një shtegtim poetik, që nuk e kishte bërë e nuk do ta bënte asnjë i gjallë. I shoqëruar prej një të vdekuri, Virgjilit!
Tepër larg…
Më 25 mars dantistët përkujtojnë zbritjen e Dantes në rrethin e parë të ferrit. Sipas specialistëve të KryePoetit, Alighieri nisi ta shkruajë Komedinë pikërisht në këtë datë, në fillimet e viteve 1300.
Nuk quhej Dante Alighieri
Nuk quhej Dante Alighieri e Komedia e tij nuk quhej “hyjnore”. Emri i tij i vërtetë ishte Durante Alagheri de Alagheriis. Dante ishte formë e shkurtër e emrit. Emrin Dante Alighieri ia ngjiti një mik, ‘hyjnor’ si ai vetë, Boccaccio. E po Boccaccio ia shtoi Komedisë së tij - atributin “Hyjnore”, duke u nisur thjesht nga fakti se ishte “vepër kolosale” dhe e lidhur ngushtë me çështje fetare.
Dante vdiq para se kryente veprën
Trashëgimia e tij letrare është e pafundme, por vdekja i trokiti në portë para se ta përfundonte Kantikën e fundit të Komedisë Hyjnore. E nuk e mori vesh kurrë sa i famshëm ishte, a ma mirë, do të bëhej, me veprën e tij, që mbetet në krye të vendit në të gjitha kohërat e në të gjitha bibliotekat e botës, pa mundur ta dënojë a ta flakë kush në ferrin e veprave të ndaluara a të marra keqas nëpër gojë në shekuj. Ajo tashmë ka kapur zagnat e Parrizit të librave! Lavdi Zotit që nuk u dënua edhe vepra mbi turrën e druve. Njerëzimi do të kishte një mrekulli arti më pak, e do ta kuptonte më pak edhe se pylli i errët, ferri, purgatori e parrizi nuk janë krijesa fantazie njerëzore….
Mijëra faqe ende të mbështjella nga misteri
Deri më sot për Danten janë shkruar me mijëra faqe. E megjithatë, shumë gjëra mbeten ende misterioze. Misterioz, për shembull, fakti se nuk u gjet kurrë dorëshkrimi origjinal i veprës e se, siç na tregon Boccaccio, Komedia do të kishte mbetur e pakryer, nëse Dante nuk do t’i ishte dukur në ëndërr të birit, Jakopo, për t’i treguar ku i kishte fshehur trembëdhjetë këngët e fundit të veprës (sa vepra të fshehura nga xhahilët e artit duhen parë në ëndërr, për t’u shpëtuar nga humbja?). Edhe Dante qe i detyruar t’i fshihte Këngët e tij të pamort…Nga ata që janë mësuar të shajnë, të shkatërrojnë e të djegin mbi turrën e druve, kryeveprat, pa të cilat njerëzimi do të zbriste rishtas në kohën e gurit! E gjenitë, - të ngjiten mbi turrën e druve në flakë, kur kapen nga kundërshtarët.
Ai mbeti njeriu me dy varre…. Po për varrin e edhe cenotaphium-in e tij do të flasim më tutje…