Kërko

 Mons Ernest Çoba, arcivescovo di Scutari Mons Ernest Çoba, arcivescovo di Scutari 

Botohet “Keze të hueja”: poezi të përkthyera nga Imzot Ernest Çoba

Vëllimi poetik “Keze të hueja”, i Monsinjor Ernest Çoba vjen i botuar në shqip nën kujdesin e autorit shqiptar me banim në SHBA, Lisandri Kola. Kjo përmbledhje e viteve ‘30, del për herë parë, mbështetur në fondin arkivor të Çobës. Poezitë shoqërohen me një aparat filologjik (komentar) të personalizuar, një studim, si dhe faksimile e foto.

R.SH. - Vatikan

Duel prej shtypit ‘Keze të hueja’ (poezi përkthye prej italishtes nga Imzot Ernest Çoba), në fund të majit 2020. Vëllimi poetik “Keze të hueja”, i Monsinjor Ernest Çoba vjen i botuar në shqip nën kujdesin e autorit shqiptar me banim në SHBA, Lisandri Kola.

Lis Kola

Kjo përmbledhje e viteve ‘30 del për herë parë, mbështetë në fondin arkivor të Çobës. Poezitë shoqnohen me nji aparat filologjik (komentar) të personalizuem, nji studim, si dhe faksimile e foto.

Ishte punë e stërmundimshme, për me mujtë me prû sa ma me dinjitet emnin e Monsinjor Çobës (kushtue tim eti, Hil Kolës, xhakue i Monsinjorit), në historiografinë e kulturës dhe të traditës përkthimore shqipe, që më duhet me pohue se asht zbehë prej pamundsisë me e ndjekë prej afër procesin e shtypit. Shpresoj që publiku shqiptar, e ai shkodran kryesisht, ka me pasë kërshërí [ndoshta edhe obligative] me i këndue këto poezi që i shtohen fondit përkthimor shqip, burue prej dy kryeshkollave: asaj Jezuite (në këtë rast) e asaj Françeskane.

Pastë rrugën e mbarë ky kontribut, i cili asht i gjithi për meritim të martirizimit të Klerit Katolik shqiptar gjatë regjimit enverian, e posaçërisht për nder të Monsinjor Çobës - figurë e elitizmit të heshtun hierarkik. Libri asht pjesë e ‘Kolanës Kêns’ dhe e motos së saj ‘Acta non verba’. Se ku ka me u gjetë libri, do të bahet e ditun gjatë ditëve në vijim. Falënderoj të gjithë ata në leximin konkret të këtyne rreshtave informues.

 Imzot Çoba – martir e poet
Kujtojmë se Imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes së imzot Gaspër Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernest Çobën, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.

Vishte petkat liturgjike me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta për Fé e Atdhé. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzot Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.

Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shtatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundshme".

Në prag të mbylljes së Kishave, në një të diel të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi komunist, imzot Ernest Çoba u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimii, për të mbrojtur Zotin e sulmuar e Kishat, në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave e të Tempujve tjerë të Zotit do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.

Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij. Një përpjekje e tillë është libri i ri “Keze të hueja”, që del falë punës së përkushtuar të poetit e studiuesit Lis Kola. E dinim se ishte ipeshkëv në kohët më të vështira, se ishte shumë i ditur,  se është martir. E tani, përmes librit të ri, mësojmë se ishte edhe poet.

06 korrik 2020, 10:01