Kërko

1595310273621.jpg

BE-ja miraton gjatë natës Fondin e Rimëkëmbjes

“Recovery Fund” ka në dispozicion 750 miliardë euro, prej të cilëve 390 miliardë janë ndihma, ndërsa 360 miliardë janë kredi për vendet e goditura nga kriza e pandemisë së koronavirusit. Bilanci u fiksua në 1.074 miliardë.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të bisedimeve, që zgjatën katër ditë dhe katër netë, krerët evropianë arritën një marrëveshje historike për Fondin e Rimëkëmbjes dhe për Buxhetin e BE-së 2021-2027.

I ashtuquajturi “Recovery Fund” ka në dispozicion 750 miliardë euro, prej të cilëve 390 miliardë janë ndihma, ndërsa 360 miliardë janë kredi për vendet e goditura nga kriza e pandemisë së koronavirusit. Bilanci u fiksua në 1.074 miliardë. Shteteve përfituese do t’u duhet të fillojnë shlyerjen e borxhit brenda 7-vjeçarit të ardhshëm të bilancit të BE-së, pra, brenda vitit 2027. Kryeministri hollandez, Mark Rutte, deklaroi se ishte i kënaqur me marrëveshjen për “Rebates”, që janë, në thelb, ulja e kontributeve të vendeve evropiane në bilancin e Bashkimit Evropian. Në këtë rast, për t’i bërë disa vende evropiane, që nuk e dëshironin Fondin e Rimëkëmbjes, të votonin në favor të tij, Brukseli lejoi një zbritje për kontributet e Austrisë, Hollandës, Suedisë e Danimarkës. Rutte, në krye të këtyre vendeve “të kursyera”, siç quhen, nënvizoi se plani i miratuar gjatë natës është “paketë e mirë për Hollandën dhe Evropën”. Kështu, “të kursyerit” do të mbajnë për vete rreth 26 miliardë euro, gjatë viteve të ardhshme.

U gjet edhe marrëveshja për administrimin e shpërndarjes së fondeve. Planet e paraqitura nga shtetet anëtare do të miratohen nga Këshilli Evropian me shumicë të kualifikuar, në bazë të propozimeve të paraqitura nga Komisioni. Ndërkaq, Komiteti Ekonomik dhe Financiar (CEF), super teknikët e ministrave të financave të vendeve evropiane, do të vlerësojnë respektimin e hapave dhe të objektivave të caktuara për zbatimin e planeve kombëtare. Nëse hasen probleme, edhe një vend i vetëm mund të kërkojë ta shtrojë çështjen në tryezën e Këshillit Evropian.

21 korrik 2020, 11:02