Kërko

2020.07.21 chiesa di Santa Maria Maddalena a Ravenna 2020.07.21 chiesa di Santa Maria Maddalena a Ravenna 

Më 22 korrik kalendari kishtar përkujton shën Marinë Magdalenë

Shën Maria Magdalenë na mëson t’i kërkojmë Jezusit ndihmë në çastet e ligështisë njerëzore. Shën Maria Magdalenë, dishepulle e Jezusit, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua – na kujton Shën Toma i Akuinit – që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Ashtu si qe një grua, që i kumtoi burrit të parë fjalët e vdekjes – shkruan Akuinasi – kështu qe një grua, që u kumtoi para apostujve fjalët e jetës tё Krishtit tё Gjallё.

R.SH. - Vatikan

Kisha katiolike romake shënon me 22 korrik përkujtimin liturgjik të shën Marisë Magdalenë, nxënëse Jezu Krishtit Zot, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Shën Maria nga Magdala, e shëruar në shpirt nga Jezusi, nisi ta ndiqte Mësuesin Hyjnor e t’i shërbente me dashuri të madhe (Lk 8,3). Në fund, kur të gjithë nxënësit kishin ikur, Maria Magdalena ishte aty, tek këmbët e Kryqit të Krishtit, pranë Mësuesit Hyjnor, përkrah Virgjërës Mari, Gjonit e disa grave (Gjn 19,25).

Pra, kur Krishtin e mbërthejnë në kryq, ndërsa apostujt, përveç Gjonit, ua mbathin këmbëve nga frika, Maria Magdalenë mbetet aty, në Golgotë, pranë Jezu Krishtit, Zotit të saj të rrahur, të pështyrë, të përgjakur, të kryqëzuar. Është aty, përkrah Zojës së Dhimbshme Mari e grave të tjera. E shikon Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin duke dhënë shpirt mbi kryq. Pastaj, në mëngjesin e ditës së parë pas së shtunës, tё dielёn e gjejmë, të mbytur në lot, pranë varrit të zbrazët, me një dëshirë të vetme: të dijë ku e kanë çuar Jezusin. Zemra e saj e plagosur digjet nga kjo dëshirë: ta gjejë, me çdo kusht, të varrosur në një varr të ri! Por e gjen të Gjallë!  E gjen dhe e njeh kur Ai, Jezusi Gjallё e thërret me emër. Edhe ne, në se e kërkojmë Zotin me shpirt të thjeshtë e të çiltër (sinqertë), do ta takojmë pa tjetër. Madje do të jetë ai vetë që do të na thërrasë me emër e do të na bëjë të hyjmë në thellësitë e dashurisë së tij.  Shqetësimi e çorientimi i Magdalenës kthehen në gëzim e entuziazëm.

Kisha latine zakonisht e kremton së bashku në liturgji të tria gratë me emrin Mari, për të cilat flet Ungjilli: Marinë e Betanisë, motrën e Lazrit e të Martës, Mëkataren e paemër, “së cilës iu fal shumë, sepse deshi shumë”, e Marinë Magdalenë ose prej Magdale, që e ndihmoi dhe e ndoqi Jezusin së bashku me gratë tjera, gjatë udhës së kalvarit deri në kryqëzim.

Emri Mari kujtohet disa herë e në rrethana të ndryshme gjatë tregimit ungjillor e Gregori i Madh ishte i mendimit se bëhej fjalë për një Mari të vetme. Ndërsa janë tri. Shën Mari ishte nga Magdala, qytet i vogël i Galilesë. Në ungjillin e shën Lukës shkruhet kështu për Të: “Ishin me Të (me Krishtin) të dymbëdhjetë apostujt dhe disa gra, që qenë shëruar nga shpirtrat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria e Magdalës, nga e cila kishin dalë shtatë djaj, Gjovana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana e shumë të tjera, që i ndihmonin me pasuritë e tyre”. Ndër ungjijtë, sa herë që përmendet ky grup i nxënësve, Magdalena kujtohet e para, për të treguar nderimin që gëzonte në bashkësinë e parë të krishterë. Ajo pati hirin të ishte dëshmitarja e parë e Ngjalljes së Jezu Krishtit.

Për Marinë Magdalenë flasin të katër Ungjijtë. Kulti i nderimit të saj u përhap në Kishën e perëndimit sidomos në shekullin XII. E lindur nga Magdala, qytezë peshkatarësh pranë liqenit të Gjenezaretit në Galile. E pranuar ndër nxënësit e Krishtit, qe e pranishme në vdekjen e Tij mbi kryq, dhe në mëngjesin e Pashkëve meritoi të shihte e para Shëlbuesin e Ngjallur (Mk 16,9) dhe e para ju tregojë apostujve për Ngjalljen e Krishtit.

Historia e Marisë nga Magdala na kujton të gjithëve një të vërtetë themelore: dishepull i Krishtit është ai që, pasi provon ligështinë njerëzore e ka përvujtërinë t’i lypë ndihmë, shërohet prej Tij dhe e ndjek nga afër, duke u bërë dëshmitar i fuqisë së dashurisë së tij përdëllyese, e cila është më e fortë se mëkati e se vdekja.

22 korrik 2020, 09:08