Presidenti serb Aleksandar Vuçiç Presidenti serb Aleksandar Vuçiç

Serbi: Fabrizi (BE), bojkotimi i zgjedhjeve nuk është ide e mirë

“Zgjedhjet janë test i rëndësishëm për demokracinë”, nënvizoi sot kreu i përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Beograd. Serbia do të votojë më 21 qershor për parlamentin.

R.SH. - Vatikan

Për Bashkimin Evropian, në asnjë rast, bojkotimi i zgjedhjeve nuk mund të konsiderohet ide e mirë. Pohimi është i kreut të përfaqësisë së Brukselit në Serbi, Sem Fabrizi, i cili sot, u takua në Beograd me kryeministren Ana Brnabiç,me ministren për integrimin evropian, Jadranka Joksimoviç dhe me ambasadorët e vendeve evropiane.

          Në Serbi, më 21 qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe administrative, por disa parti të opozitës radikale kanë ndërmend ta bojkotojnë votimin, në shenjë proteste kundër politikës së presidentit Aleksandar Vuçiç, që konsiderohet “autoritare”, sidomos kontrolli i tij mbi mediat.

          “Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për demokracinë dhe forcat politike duhet të paraqesin platformat e veta programatike, duke diskutuar për këndvështrimet e tyre mbi të ardhmen”, nënvizoi Fabrizi, sipas agjensisë italiane të lajmeve Ansamed. Gjatë muajve të kaluar, Bashkimi Evropian u përfshi në një dialog ndërmjet forcave të qeverisë dhe të opozitës në Serbi, me qëllim garantimin e ndershmërisë dhe të korrektësisë së procesit zgjedhor.

          “Në asnjë rast, bojkotimi s’mund të jetë ide e mirë, prandaj, i ftojmë zgjedhësit të shkojnë për të votuar” më 21 qershor, theksoi Fabrizi, i cili shprehu kënaqësinë për mbërritjen e vëzhguesve të Odihr-it (Zyrës së OSBE-së për institucionet demokratike dhe për të drejtat e njeriut), si edhe nënvizoi rolin e rëndësishëm të mediave. Në takimin e sotëm u fol gjithashtu, për pespektivat e rifillimit të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe për udhën e integrimit evropian të Serbisë, që po zhvillon në këtë periudhë negociatat me Brukselin.

05 qershor 2020, 18:18