Riccardo Muti: të vizitosh Muzetë e Vatikanit, si të shuash etjen në burimet e bukurisë

“Do të kthehem sërisht për ta soditur gjithë këtë bukuri e për të kuptuar sa shumë i ka dhënë Kisha njerëzimit”. Janë fjalët e shqiptuara nga drejtori i famshëm i orkestrës, Riccardo Muti, nësa vizitonte Muzetë e Vatikanit. “Kush punon këtu - shton - u transmeton vizitorëve vetë kuptimin e bukurisë”.

R. SH. - Vatikan 

E njeh si rrallëkush bukurinë e ia tregon prej 50 vjetësh botës me mjeshtërinë e shkopit të dirigjentit, gati për t’u rithyer në  botën mahnitëse të tingujve, pas pushimit të gjatë, shkaktuar nga koronavirusi. Prandaj nuk mund të mbetet i pandjeshëm “Mjeshtri”, përballë magjisë që të thëthin të tërin, kur hyn në të fshehtat e artit e të historisë, ndërsa ecën ngadalë-ngadalë në sallat pa fund të Muzeve të Vatikanit, ngarkuar me histori e art. Në sallat, ku të flasin me gojën e bukurisë, gjenitë më të mëdhenj të njerëzimit.

Riccardo Muti shprehu dëshirën t’i dëshmonte, në një video të shkurtër, ndjenjat që provoi këto orë, në përfundim të një vizite të re në Muzetë e Vatikanit. Për të cilat, me sa duket, e kishte marrë fort malli!

Ai, që i viziton - pohon -  pasurohet gjithnjë me kulturë, me frymëzim: i duket sikur shuan etjen në burimet e bukurisë. E shton: “Muzetë e Vatikanit janë një nga realitetet më të jashtëzakonshme në botë, e të gjithë ata, që punojnë këtu, e thithin shpirtin e bukurisë, të cilin pastaj ua transmetojnë edhe vizitorëve të panumërt, që vijnë këtu nga vende të ndryshme të botës. Vijnë një herë, dy, shumë herë, sepse etja ndjell etjen  e të lind gjithnjë dëshira të kthehesh përsëri, për t’u ritakuar me të bukurën.

“Kjo - siguron Mjeshtri i madh i muzikës - nuk është vizta ime e fundit. Sigurisht do të kthehem përsëri e përsëri në Muzetë e Vatikanit, për ta rishijuar këtë bukuri, për t’u ritakuar me gjenitë e për të kuptuar sa shumë i ka dhënë e i jep Kisha botës e njerëzimit”.

 

06 qershor 2020, 10:25