Kërko

2019.10.15 Santa Margherita Maria Alacoque 2019.10.15 Santa Margherita Maria Alacoque 

Qershori – muaji i Zemrës së Krishtit

Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar. Dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, na kujton Kisha e cila i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit Atë. Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Tradita e Kishës ia kushton muajin qershor, që sapo filluam, Zemrës së Krishtit, simbol i fesë së krishterë. Secili nga ne, kur ndalohet në heshtje, ka nevojë të dëgjojë jo vetëm rrahjen e zemrës së vet por, më në thellësi, rrahjen e një zemre tjetër të besueshme, të perceptueshme me ndjenjat e fesë e gjithsesi shumë më reale: praninë e Jezu Krishtit, zemrës së botës. Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё "zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

Prandaj, pёrmes devocionit ndaj Zemrës sё Krishtit , gjatë muajit qershor, të gjithë jemi tё ftuar të përtërihemi shpirtërisht, duke vlerësuar lutjet tradicionale të kushtimit të ditës e duke pasur parasysh edhe ndjetet që na i propozon Kisha. Kështu, posa përfunduam muaji maj, gjatë të cilit si besimtarë kemi nderuar figurën e Virgjërës Mari, e tani kalendari kishtar na shpalos 30 ditët e një muaji tjetër të përkushtuar: qershorit, muaj tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh.

Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar

Dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit.  Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, na kujton Kisha, e cila i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit Atё. Pra, Zemra e Krishtit nuk është ndonjë simbol i trilluar, është e vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin. Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit. Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun. E dokumenton këtë Shën Luka Ungjilltar, në episodin e vejushës së Nain, fshat i Galilesë, ku Jezusi me dishepujt e tij arrin pikërisht në çastin kur kremtohet një funeral. Ka vdekur biri i vetëm i një vejushe. Nëna e përcjell në varr shpresëhumbur, e mbytur në lot. E pikërisht mbi sytë e saj të përlotur ngulen sytë e Zotit. Duke e parë, Krishti ka mëshirë për të.

Kjo mëshirë është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë. Vetë termi biblik ‘mëshirë’, të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt. E cili është fryti i kësaj dashurie? Është jeta!. Mëshira e Zotit i jep njeriut jetë. Zoti na shikon gjithnjë me mëshirë, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër.

Por cila është simbolika e Zemrës së shenjtë të Krishtit?

Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Shën Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar.

E kur lindi ky devocion?

Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.

Çfarë përfitimi shpirtëror kemi nga ky devocion?

Përfitimi i parë që kemi është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. Eshtë fjala për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!

Devocioni i Zemrës së Krishtit është i lidhur ngushtë edhe me Apostullimin e Uratës… Përshpirtëria apo devocioni ndaj Zemrës së Krishtit është pikërisht në qendër të Apostullimit të Uratës. E ka qenë që në zanafillën e këtij devocioni, që i fton të gjithë besimtarët të mblidhen rreth Zemrës Hyjnore. Të mos e harrojmë dashurinë e Zotit, dashurinë e Jezusit, Ai na shikon, na do, na pret. Është i tëri zemër, i tëri mëshirë! Të shkojmë me besim tek Jezusi. Krishti na fal gjithmonë! 

Nënё Tereza e devocioni ndaj Zemrës sё Krishtit

Edhe Shenjta Nënё Terezë – Ganxhe Bojaxhiu kishte njё devocion tejet tё veçantë ndaj Zemrës sё Krishtit. Pati thёnё: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por  zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim e fe shkëmbore, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër. "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua  për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". 

Në një libër të vjetër uratësh në shqipe gjetëm këtë fjalë, që në këtë festë, e përherë, Jezusi na thotë: “ M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty”! Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë. Bëj që zemra ime t'i përngjajë Zemrës sate!.

01 qershor 2020, 14:35