Kërko

files-nigeria-unrest-boko-haram-attacks-1514018034237.jpg

Nigeri: u rrëmbye dhe u lirua sërish një tjetër lider fetar i krishterë

Nigeria është në vendin e dymbëdhjetë në listën e kombeve më të rrezikshme për të krishterët. Fatmirësisht, rrëmbimi i një ipeshkvi në veri përfundoi shpejt.

R.SH. - Vatikan

Zgjati gati 48 orë sekuestrimi i ipeshkvit të krishterë Joseph Masin, rrëmbyer më 28 maj në banesën e tij në veri të Nigerisë, nga një grup njerëzish të armatosur. Ipeshkvi, që është kryetari i seksionit lokal të Shoqatës së të krishterëve në Nigeri (Can), u lirua të shtunën mbrëma dhe mundi të kthehej në shtëpi të dielën paradite. Mendohej se mund të kishte përfunduar në duart e grupit terrorist Boko Haram, i cili, në janar, pati vrarë një nga liderët e tjerë fetarë të Shoqatës, reverendin Lowan Andim, pasi bashkësia e krishterë lokale nuk mundi të mbledhë shumën e parave për të paguar lirinë e bariut të saj shpirtëror.

Një vend i pasigurt

 Rrëmbimi i Joseph Masin është i fundit i një sërë sekuestrimesh për para, në dëm të eksponentëve të krishterë në Nigeri. Ato janë shtuar sidomos gjatë dy viteve të fundit. Janarin e kaluar, katër seminaristë katolikë u morën me forcë nga Seminari i Madh i Bariut të Mirë, në shtetin nigerian të Kadunës. Ndër ta, Michael Nnadi u vra, ndërsa tre të tjerët u liruan. Gjithçka, në një atmosferë gjithnjë e më të pasigurt për të krishterët në Nigeri, viktima sulmesh e vrasjesh nga islamikët e Boko Haramit dhe nga barinjtë e etnisë Fulani. As emergjenca e koronavirusit nuk e ndali veprimtarinë e grupit terrorist, i cili, siç shkruajnë gazetat vendase, ditët e kaluara, ka sulmuar fshatra të ndryshme në shtetin e Bornos, duke shkatërruar rreth 90 shtëpi e një kishë.

Raporti i “Open Doors”

Raporti i fundit vjetor i organizatës “Open Doors” mbi persekutimin e të krishterëve në botë, e kalsifikon Nigerinë në vendin e 12-të. Përveç kësaj, në prill, vendi u fut në listën e atyre, që shqetësojnë seriozisht Komisionin e veçantë për lirinë fetare të Departamentit të Shtetit amerikan. Statistikat e fundit flasin për së paku 6 mijë të krishterë të vrarë në vitin 2015 në Nigeri. Një situatë, që e ka nxitur Comece-n (Komisionin e Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian) të kërkojë ndërhyrjen e Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Në janar, Parlamenti evropian miratoi një rezolutë, me të cilën dënoi sulmet terroriste të grupeve xhihadiste dhe strategjinë “o tokën, o jetën” të luftëtarëve fulani, duke denoncuar diskriminimin e të krishterëve në rajonet ku zbatohet ligji islamik.

02 qershor 2020, 12:17