Kërko

Migrantë në Afganistan Migrantë në Afganistan 

Dita e Migrantit: Unhcr, 79,5 milionë njerëz në ikje, 1,1% e popullsisë botërore.

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit, që kremtohet më 20 qershor, UNICEFI kërkon garanci për mbrojtjen e familjeve, të fëmijëve dhe adoleshentëve refugjatë dhe migrantë. E, sipas Unhcr (Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët), “gjatë dhjetë vjetëve të fundit, numri i njerëzve në ikje është dyfishuar: 30-34 milionë janë të mitur, 79,5 milionë njerëz në ikje, rekord i paparë. Nesër kremtohet Dita e tyre!

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të vitit 2019 ishin në ikje 79,5 milionë njerëz në botë: “shifër e paparë”. E pohoi këtë, të enjten e kaluar, më 18 qershor, Unhcr (Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët), në raportin e tij vjetor Global Trends, botuar me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit, që bie më 20 qershor. Siç tregon raporti, ikjet e detyruara sot përfshijnë 1% të popullsisë  botërore - 1 person për çdo 97 vetë - ndërsa vijon të pakësohet në mënyrë tejet të ndjeshme numri i atyre, që rikthehen në trojet e veta. Për ta rikthimi po bëhet gjithnjë më i pamundur. Në vitet ’90 një mesatare prej 1,5 milionë refugjatësh rikthehej çdo vit në shtëpi.

Në dhjetë vjetët e fundit  mesatarja ka rënë në 385.000, shifër që tregon se sot rritja e numrit të njerëzve të detyruar të ikin, ia kalon shumëfish numrit të atyre, që mund të gjejnë rrugëzgjdhje të qëndrueshme. Nga 79.5 milionë njerëzit, në ikje gjatë vitit të kaluar, 45,7 milionë ishin të shpërngulur brenda vendeve të tyre. Rritja e përvitshme, në krahasim me 70,8 milionë njerëz në ikje, regjistruar në fund të vitit 2018, është rezultat i dy faktorëve kryesorë:  së pari, i krizave të reja shqetësuese të vitit 2019, posaçërisht në Republikën Demokratike të Kongos, në zonën e Sahel, në Jemen e Siri (13,2 milionë refugjatë kërkues strehimi e të shpërngulur të brendshëm, më se 7% e popullsisë botërore); e, së dyti, përmirësimi i ndjeshëm i gjendjes së venezuelanëve jashtë vendit të tyre, shumë prej të cilëve, të regjistruar rregullisht si refugjatë ose kërkues strehimi, ndonëse për ta nevojiten forma të reja mikpritjeje.

Prej këndej, Unchr u bën thirrje vendeve të mbarë botës “ta thellojnë  angazhimin për t’i mbrojtur miliona refugjatët   dhe njerëzit e tjerë, të cilët ikin nga konfliktet, persekutimet e dhuna, që e rrezikojnë rëndë rendin publik”.

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit, që kremtohet nesër, 20 qershor, UNICEF(Fondi i OKB-së për Fëmijët) kërkon garanci për mbrojtjen e familjeve, të fëmijëve dhe adoleshentëve refugjatë dhe migrantë, në kërkim të strehimit, aq më tepër në në një botë të sëmurë, si kjo e sotmja. Ndër grupet më të ligshta e më të rrezikuara nga pandemia e Covid-19, janë ata që ikin nga persekutimet e nga konfliktet, si dhe ata, që mbeten jashtë sistemit të strehimit. Mungesa e shërbimeve dhe e rrjeteve të ndihmës mund t’u shkaktojë dëme të rënda në shëndetin fizik e mendor që - në rastin e prindërve - po të mos përballohen si duhet, mund të transmetohen edhe në breznitë e ardhshme.

19 qershor 2020, 10:08