PAKISTAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-CHRISTIANITY  PAKISTAN-HEALTH-VIRUS-RELIGION-CHRISTIANITY  

Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ nё mbështetje tё 5.000 familjeve në Pakistan

Mbi 5.000 familje të krishtera pakistaneze, ndër më të varfrat e më të diskriminuarat në vend, do të marrin ushqime e ndihma nga Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ për t’u mbrojtur nga pandemia e Kovid-19. Projekti do të ndihmojë në veçanti jetimët, vejushat dhe njerëzit e papunë në kryeqytetin Islamabad, nё Rawalpindi e në dioqezat e Lahorës e tё Faisalabadit.

R.SH. - Vatikan

Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ nё mbështetje tё 5.000 familjeve të krishtera të persekutuara në Pakistan e të kërcënuara nga Koronavirusi. Më shumë se 5.000 familje të krishtera pakistaneze, ndёr më të varfrat  e më të diskriminuarat në vend, do të marrin ushqime e ndihma nga Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (Asc), për t’u mbrojtur nga pandemia e Kovid-19. Projekti, i sapo miratuar, do të ndihmojë në veçanti jetimët, vejushat dhe njerëzit e papunë në kryeqytetin Islamabad, nё Rawalpindi dhe nё dioqezat e Lahorës e të Faisalabadit. Pakistani ka 64.028 raste të konfirmuara të infektuara nga koronavirusi e të krishterët janë ndër shtresat më të prekura nga pandemia, sepse lockdown i ka reduktuar në mënyrë drastike të ardhurat e tyre të varfra për jetesë, duke i detyruar të jetojnë në angështi e në vende të mbipopulluara.

"Shumë të krishterë - lexohet në një deklaratë të Fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ - zakonisht janë të punësuar si punëtorë nëpër familje, ku punojnë si pastrues e personel kuzhine, pikërisht në llojet e punëve më të prekura nga efektet e koronavirusit. Gjate kësaj periudhe, shumë të krishterë u pushuan nga puna pa kurrfarë paralajmërimi e pa kurrfarë ndihme, sepse familjet, pranë të cilave punonin, tani kanë frikë se mund të infektohen”.

Në Faisalabad, programi i emergjencës së Fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (Acs) përdor radion dhe mediat sociale për të përhapur informacionin e dobishëm se si duhet mbrojtur nga rreziku i infektimit nga Kovid-19. Besimtarëve të pranishëm në Kisha do t'u shpërndahen maskat. Priftërinjtë, rregulltarët, katekistët, personeli dioqezan e vullnetarët do të pajisen me mjete mbrojtëse personale. Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’ (Acs) do t’u ofrojë gjithashtu një mbështetje financiare 70 priftërinjve të Kryedioqezës së Lahores, 4 meshtarëve të Seminarit të Madh  ‘‘Redemptoris  Mater’ në Karaçi dhe 4 të tjerëve pranë Seminarit ‘Shën Françesk   Ksaveri’ në Lahore, nëpërmjet ofertave për kremtimin e Meshёve.

01 qershor 2020, 19:17