Kërko

MADAGASCAR-HEALTH-VIRUS MADAGASCAR-HEALTH-VIRUS 

Kisha katolike e Afrikës: të anulohen borxhet e vendeve, të aktivizohet solidariteti

Thirrja e konferencave të ipeshkvijve të Afrikës e Madagaskarit për kontinentin e prekur nga koronavirusi: kemi nevojë për ndihmë për t’u siguruar ndihma të sëmurëve e për të rinisur ekonominë. Prelatët denoncojnë mungesën e burimeve për tё kundërshtuar pandeminë, kërkojnë kontributin e të gjithëve për t'u përballur me emergjencën.

R.SH. - Vatikan

Konferencat Episkopale të Afrikës e Madagaskarit (Secam) bën thirrje për tё ndihmuar Afrikën nё kohёn e emergjencës së koronavirusit. Në një deklaratë mbi situatën e krijuar nga Kovid-19 dhe pasojat e pandemisё, shkruan kardinali Philippe Ouedraogo, president i simpoziumit, ipeshkvijtë afrikanë nënvizojnë mungesën e burimeve për tё luftuar kundër epidemisë, si dhe mungesën e ndihmave për ata që janё detyruar t’i pezullojnë veprimtaritë e tyre.

"Padyshim, tashmë janë marrë nisma për t’i kapërcyer pasojat e pandemisë, por ne do të donim të shkonim më tej duke kërkuar anulimin total të borxheve të vendeve afrikane – shkruajnë ipeshkvijtë – pёr tё mundësuar kёshtu ringjalljen e ekonomive. Përveç kësaj, bëjmë thirrje për njё ndihmë thelbësore për të krijuar sisteme cilësore shëndetësore, për të nxitur rimëkëmbjen dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, për të reduktuar papunësinë e për t’u garantuar sigurinë ushqimore tё gjithёve".

Thirrja kompanive të mëdha për të mos shfrytëzuar situatën

Konferencat Episkopale të Afrikës e Madagaskarit u drejtohen në veçanti, pastaj, kompanive shumëkombëshe e sipërmarrësve ndёrkombёtarё, duke kujtuar se Afrika është një minierë e materialeve të papërpunuara për firmat e vendeve tё industrializuara. Për këtë arsye, ipeshkvijtë afrikanё u kërkojnë kompanive të mëdha, që shfrytëzojnë këto materiale të papërpunuara, për të kontribuar në mënyrë që vendeve që i furnizojnë, të mund t’u garantohen shërbimet themelore sociale si spitalet, shkollat dhe strehimet e duhura. Prelatët u kërkojnë, gjithashtu, sipërmarrësve dhe kompanive farmaceutike ndërkombëtare të mos e shfrytëzojnë situatën aktuale vetëm e vetёm për fitim, por të marrin pjesë në përpjekjet për t’u ofruar ndihmë njerëzve më të prekur nga pandemia e pёr t’i ndihmuar mё tё varfrit e shoqërisë afrikane.

Krijimi i një Fondi të përbashkët solidariteti

Ipeshkvijtë afrikanё rekomandojnë mё tej qё: "Kriza shëndetësore shkaktuar nga Kovid-19 të na frymëzojë qё të kërkojmë së bashku mënyra dhe mjete për t’i çrrënjosur sëmundjet si malaria e tuberkulozi, nga tё cilat kontinenti afrikan vazhdon të vuajë (...). Pёr kёtё prelatët i bëjmë thirrje Bashkimit Afrikan të zgjojë ndërgjegjësimin e vendeve anëtare për të kontribuar në krijimin e një Fondi solidariteti për t'u përdorur për shëndetin e popullsive”. U bëjmë thirrje gjithashtu edhe krerëve politikë të sigurojnë qё burimet e kufizuara në dispozicion tё përdoren për t’i ndihmuar personat që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë e të mos përfundojnë në xhepat e gabuar nëpërmjet praktikave të korrupsionit. Korrupsioni ёshtё më i rrezikshëm se virusi - shtojnё ipeshkvijtë – ёshtё tinëzar, përzihet dhe shkatërron zemrat, varfëron njeriun e shoqёrinё. Korrupsioni i shkatërron zemrat. Prandaj t’i themi jo korrupsionit.

Një krizë e pashembullt

Së fundi, thirrja e ipeshkvijve Afrikës e Madagaskarit u drejtohet të gjitha institucioneve kishtare qё të jenё tё qëndrueshme në misionin e tyre dhe të bashkëpunojnë me institucione të tjera në nxitjen e së mirës së përbashkët për të gjithë popujt e Afrikës dhe tё Madagaskarit. Për të gjithë, thirrja tё riaktivizohet vlera e solidaritetit, për t'u bërё ballë sa më mirë pasojave tё pandemisë dhe për t’i ndihmuar personat që vuajnë nga Kovid-19, si dhe ata që janë shëruar prej virusit. Simpoziumi i konferencave episkopale të Afrikës dhe Madagaskarit shpreh afërsinë e solidaritetin me të gjithë popujt e Afrikës si dhe gjithё tё sëmurit nga koronavirusi në tё pesë kontinentet. Në gjashtë muajt e fundit, pohojnë ipeshkvijtë nё njё deklaratë, bota është ballafaquar me një armik të padukshëm, i cili krijoi një ë realitet tё paparë duke prekur të gjitha klasat e shtresat e shoqërisë, prandaj para kёtij realiteti qeveritë e vendeve të ndryshme të botës janё të detyruara të marrin masa drastike.

Frika nga pasojat e Kovidit-19 dhe besimi nё Zotin

Në Afrikë, karantina pak a shumë ёshtё respektuar, vazhdon deklarata e ipeshkvijve, por pasojat janё tejet të rënda për shumicën e njerëzve, që nuk arrijnë mё tё mbijetojnë me të ardhura tё përditshme. Në nivelin ekonomik,  recesioni është i dukshëm, për shkak të pezullimit të veprimtarive, veçanërisht në sektorët kryesorë të prodhimit, turizmit, transportit ajror dhe industrisë së hoteleve. Ipeshkvijtë e Secam u frikohen pasojave sociale në shumë vende e veçanërisht në Afrikë, ku vendet janё tejet të ngarkuara me borxhe tё mëdha dhe ku papunësia, e cila vazhdon tё përkeqësohet çdo ditё, do të shpjerë në një rritje të mëtejshme të varfërisë.

02 qershor 2020, 13:23