hero-2604966_960_720.jpg

Evropë: shoqatat e familjeve katolike kërkojnë fonde për lindjet

Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike propozon përdorimin e Fondit të Rimëkëmbjes për politikat familjare: “Ndihma për familjen është investim e jo kosto”. Diskutimi i hapur gjatë semestrit të presidencës kroate të BE-së do të vijohet nga ministrat e punës dhe të politikave shoqërore të vendeve anëtare.

R.SH. - Vatikan

“Duhet të kuptohet parimi, sipas të cilit politikat familjare nuk hyjnë në kostot e një vendi, por janë investim për të ardhmen, njëlloj si infrastrukturat, prandaj, duhen konsideruar si të tilla”. Presidenti i Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike (Fafce), Vincenzo Bassi, kërkon një impenjim konkret nga institucionet evropiane në favor të lindjeve “duke filluar nga ndarja e shumave të Fondit të Rimëkëmbjes”.

Relacioni i Komisionit Evropian

Thirrja e kreut të rrjetit evropian të shoqatave të familjeve mbërrin disa ditë pas raportit të Komisionit Evropian mbi ndikimin e ndryshimeve demografike, botuar më 17 qershor. Ndërkohë, Komisioni për Zhvillimin Rajonal (REGI) po harton aktualisht një raport mbi “Ndryshimin e prirjes demografike në rajonet e BE-së, duke përdorur mjetet e politikës së kohezionit”.

Ekuilibri ndërmjet familjes e punës

Në reflektimin mbi krizën demografike janë përfshirë edhe ministrat e punës dhe të politikave shoqërore të të gjitha shteteve anëtare, të cilët më 5 maj, diskutuan për planet e rimëkëmbjes ekonomike dhe për sfidat e demografisë, në kuadrin e pandemisë së koronavirusit. Ministrat theksuan nevojën për të zbatuar strategji që mbrojnë më të ligshtit, si të moshuarit dhe fëmijët, që sigurojnë ekuilibrin ndërmjet punës dhe jetës private të familjeve e që i kthejnë zonat më të prekura nga prapambetja, në më tërheqëse për brezat e rinj.

Kontributi i “semestrit kroat”

Takimi i ministrave, në videokonferencë, u organizua nga presidenca kroate e Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila, siç kujtoi ministrja kroate e Demografisë, Familjes, Rinisë dhe Politikave Shoqërore, Vesna Bedeković, “zgjodhi demografinë si përparësi kryesore të presidencës, ndërsa tani është më se e qartë se kjo temë ka rëndësi të madhe. Të gjitha shtetet anëtare përballen me një lloj sfide demografike dhe pandemia e Covid-19 i bëri ato edhe më të rënda”.

Raporti fotografon krizën demografike

Raporti mbi ndikimin e ndryshimeve demografike është paraqitur edhe në faqen e internetit të Komisionit Evropian, me qëllim që “të fillohet një proces për ndërmarrjen e veprimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve konkrete, duke pasur parasysh mësimet që po jep pandemia”. Duhen ndihmuar njerëzit, rajonet dhe bashkësitë më të prekura për t’iu përshtatur realitetit në zhvillim. Raporti i BE-së për zhvillimin demografik tregon edhe se po zvogëlohet popullsia në moshë pune dhe se shpenzimet publike do të jenë më të larta, për shkak të plakjes. Sipas dokumentit, deri në vitin 2070, 30.3% e popullsisë duhet të jetë së paku 65 vjeç (krahasuar me 20.3% në vitin 2019) dhe 13.2% duhet të jetë të paktën 80 vjeç (krahasuar me 5.8% në vitin 2019).

Webinari i Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike

Në këtë kuadër, pikërisht sot u mbajt një webinar, i organizuar nga Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike, me titull: “Sfidat demografike dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Një kapitull i ri për politikat familjare në Evropë?”. Në fund të semestrit të presidencës kroate të Këshillit të BE-së, Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë u konfrontua drejtpërdrejt me Marko Vidakušić, koordinatorin e ekipit për punën dhe politikat shoqërore, njëkohësisht, përfaqësuesin e përhershëm i Kroacisë në Bashkimin Evropian, si edhe me Marco Zullo, eurodeputet, bashkëpresident i Intergrupit për sfidat demografike, jetën familjare dhe politikat rinore. Shoqatat katolike e shohin problemin demografik në perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm, pasi, siç thekson edhe Papa Françesku në enciklikën “Laudato Sì”, “nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, pa një ekuilibër ndërmjet brezave”.

25 qershor 2020, 14:05