Kërko

1592904067454.jpg

Lajme nga bota: Kina, Shqipëria, koronavirusi, Belgjika

Në Kinë, miratohet një ligj për sigurinë, që përdor grushtin e hekurt kundër Hong Kongut. Në një bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë e Italisë, sekuestrohen tonelata me drogë e arrestohen 37 vetë.

R.SH. - Vatikan

Kina miraton ligjin e sigurisë për Hong Kongun. Dënime me burgim të përjetshëm

Kina miratoi ligjin e sigurisë kombëtare të Hong Kongut, i cili parashikon grushtin e hekurt kundër disidentëve në ish-koloninë britanike. Sipas lajmeve të gazetës “South China Morning Post”, ligji u miratua unanimisht nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Kombëtar të Popullit, pak minuta pas fillimit të seancës së sotme. Ligji do të hyjë në fuqi nesër dhe, ndërmjet të tjerash, parashikon dënimin me burgim të përjetshëm. Disa orë pas votimit, aktivisti Joshua Wong dhe drejtuesit e tjerë të Demosisto-s njoftuan dorëheqjen nga ky grup pro-demokracisë në Hong Kong. Në Twitter, Wong shkruan: “Nëse zëri im nuk do të dëgjohet më, shpresoj që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të flasë në favor të Hong Kongut dhe të intensifikojë përpjekjet konkrete për ta mbrojtur këndin tonë të fundit të lirisë”. Një nga kërkesat e Demosisto-s ishte pikërisht vota e lirë dhe pluralizmi.

Amerika Latine, gjithnjë me shifra alarmuese për koronavirusin

 Është gjithnjë në rritje kurba e pandemisë së koronavirusit në Amerikën Latine, por dy ditët e fundit ka më pak forcë. Numri i të infektuarve ka arritur në mbi 2 milion e 530 mijë vetë (+45.474 gjatë 24 orëve të fundit), ndërsa ai i të vdekurve në mbi 113 mijë (+ 1755 gjatë 24 orëve të fundit). Në Brazil, vendi i parë në Amerikën Latine dhe i dyti në botë për infektimet dhe vdekjet, numri i të sëmurëve është rritur disi më pak se një ditë më parë, megjithëse mbetet gjithnjë i madh, me 24.052 raste të reja. Po kështu, edhe numri i viktimave, gjë, që të bën të mendosh se mesatarja e kësaj jave do të jetë më e ulët se ajo e javës së kaluar. Edhe Peruja e Kili po ndjekin të njëjtën ecuri.

Masa më të ashpra kundër koronavirusit në Leicester të Britanisë së Madhe

 Qeveria britanike njoftoi se ka marrë masa më të ashpra kundër koronavirusit në Leicester, pas rritjes së numrit të të infektuarve në qytet, i cili bëhet kështu i pari, që i nënshtrohet kufizimeve lokale. Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, theksoi se duke filluar nga dita e nesërme, do të mbyllen të gjitha dyqanet dhe ndërmarrjet “jo-thelbësore”, të cilat u hapën në gjysmën e dytë të qershorit, ndërsa shkollat do të mbyllen sërish, duke filluar ​​nga e enjtja. Masat e reja do të vlerësohen edhe një herë pas dy javësh.

Itali-Shqipëri: operacion kundër drogës, 37 arrestime

Maxi-operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Drejtoria Hetimore Antimafia (DIA) e Barit, në Itali dhe autoritetet shqiptare, me ndihmën e Criminalpol-it, të zyrës ndërlidhëse interforcë të Tiranës dhe të policisë shqiptare, si edhe me bashkëpunimin e Karabinierëve italianë, të Policisë së Shtetit, të Rojeve të Financës dhe të forcave antimafia të Foxhias, Leçes, Bolonjës, Romës, Napolit dhe Katanxaros, bënë sot 37 arrestime në Itali e Shqipëri. Është fjala për njerëz, që mendohet të jenë përgjegjës për trafikun ndërkombëtar të sasive të jashtëzakonshme të drogës. Po zbatohen edhe dekretet e konfiskimit për një shumë prej 4 milion eurosh. Gjatë hetimeve, u sekuestruan rreth tre ton e gjysmë drogë, si marihuanë, kokainë dhe hashash, për një vlerë, që e kalon 40 milion euro. Nga kjo sasi droge mund të prodhoheshin rreth 7 milion doza.

Mbreti Filip i Belgjikës i kërkon falje Kongos

Për herë të parë në historinë e vendit, mbreti Filip i Belgjikës deklaroi se “i vjen thellësisht keq për plagët”, që i ka shkaktuar kolonializmi Republikës Demokratike të Kongos. Në një letër për presidentin e vendit afrikan, Félix Tshisekedi, me rastin e 60-vjetorit të pavarësisë, sovrani belg shkruan: “Dua të shpreh keqardhjen time më të thellë për plagët e së kaluarës. Dhimbja për to është gjallëruar sot nga diskriminimi ende i pranishëm në shoqëri”.

30 qershor 2020, 11:01