Kërko

AdobeStock_331303389.jpeg

Covid-19, Evropa rihap kufijtë: rreziqe e mundësi të reja

Që sot, 15 qershor, Bashkimi Evropian hap kufijtë ndërmjet shteteve, pas një periudhe, kur çdo vend u mbyll, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por për kthimin e plotë në një normalitet të ri (nëse mund ta quajmë kështu) duhet pritur 1 korriku.

R.SH. - Vatikan

Deri para 6 muajsh, askujt nuk i shkonte ndërmend se do të vinte dita t’u hapeshin kufijtë e Evropës… qytetarëve evropianë. Por, sado e çuditshme të duket në vitin 2020, ky është lajmi i sotëm. Komisioni Evropian publikoi të enjten e kaluar udhëzimet për këtë hapje, në fazën e re të përballimit të pandemisë së koronavirusit, duke i këshilluar vendet e zonës Shengen t’i keqin kufizimet për kalimin e kufirit, që nga data e sotme, 15 qershor. Ndërkaq, për vendet jashtë Bashkimit Evropian, në të cilat gjendja epidemiologjike është nën kontroll, kufijtë do të hapen më 1 korrik. Ndër ta, bën pjesë edhe Shqipëria.

Rifillim i domosdoshëm

 “Udhëtimet janë themelore për turizmin dhe biznesin”, pohoi këto ditë komisarja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson. Mesazhi është i qartë: duhen rifilluar veprimtaritë, pa humbur shumë kohë. Statistikat e pandemisë brenda Bashkimit Evropian, me përjashtim të pak vendeve, tregojnë për një rënie të ndjeshme të infektimit. Terapitë intensive boshatisen e qytetarët evropianë janë më të vetëdijshëm për rreziqet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se mund të kthehemi në jetesën e gjashtë muajve më parë. Vazhdojnë të jenë në fuqi masat elementare, që tashmë i njohin të gjithë: distancimi shoqëror, përdorimi i maskave dhe larja e shpeshtë e duarve. Por është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të rindezë motorrët e veprimtarive të tij, pas rënies së paparë të Prodhimit të Brendshëm Brut.

FMN: Covid-19 mund të shkaktojë 100 milion të varfër në botë

 Vërtet, drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, vetëm disa ditë më parë, dha alarmin: “Kriza e koronavirusit mund t’i çojë 100 milion njerëz në varfëri të skajshme, duke eliminuar përparimet e bëra gjatë 3 viteve të fundit për zhdukjen e kësaj plage të shoqërisë”. Georgieva u bëri thirrje qeverive të gjithë botës të rishikojnë politikat ekonomike, duke u dhënë hapësirë më të madhe ndërhyrjeve të vogla për mbështetjen e familjeve dhe të individëve e jo vetëm planeve të mëdha për ristrukturimin industrial. Investimet në shëndetësi, përmirësimi i përdorimit të fondeve publike dhe forcimi i rrjeteve të asistencës shoqërore, janë disa nga fushat e propozuara nga drejtoresha e FMN-së.

Propozimi i krishterë

 Ndërkaq, në Takimin e nivelit të lartë për ekonominë, që po mbahet në Romë të Italisë, Bashkimi i Krishterë i Drejtuesve Sipërmarrës shkruan një letër të hapur, duke i kërkuar Evropës “një këndvështrim solidar” për rimëkëmbjen. Kujtohen fjalët e Papës Françesku në mesazhin e Pashkëve të 12 prillit: “Bashkimi Evropian ka përpara një sfidë epokale, nga e cila nuk do të varet vetëm e ardhmja e tij, por e gjithë botës”. Për afaristët e krishterë, pika e referimit është doktrina shoqërore e Kishës, e cila, siç shkruan Benedikti XVI në enciklikën “Caritas in veritate”, vë në dukje mbështetjen thelbësore, që jep feja, në “riplanifikimin e udhës” së re. Afaristët katolikë kërkojnë një treg të lirë, ku të sigurohet konkurrenca e ndershme, duke u bazuar mbi cilësinë e punës dhe mbi mundësinë që shërbimet të shfrytëzohen nga të gjithë, pa përjashtime.

15 qershor 2020, 10:38