Kërko

Vatican News
 Papa pret në audiencë Zonjën  Bernice Albertine King Papa pret në audiencë Zonjën Bernice Albertine King 

Bernice King: Papën e tim atë i bashkon e njëjta ëndërr

Të nesërmen e Freedom Day, kremtuar nga afro-amerikanët me emocion të thellë pas vrasjes së George Floyd, e bija e Martin Luther King flet, në mediat e Vatikanit, mbi betejën e padhunshme për barazinë, duke theksuar përkimin ndërmjet Papës e babait të saj.

R. SH. - Vatikan

Bashkësia afro-amerikane kremtoi dje Juneteenth, ditën, që kujton fundin e skllavërisë, shpallur më 19 qershor (June Ninteenth), të vitit 1865, kur ushtarët e Bashkimit arritën në Galveston të Texas dhe dekretuan fundin e Luftës Civile. Kjo festë, të cilën miliona zezakë amerikanë e njohin si Freedom Day, sivjet u jetua në një klimë të veçantë, krijuar nga protestat,  që shpërthyen pas vrasjes barbare të afro-amerikanit George Floyd nga ana e një polici. Osservatore Romano dhe Vatican News intervistuan Bernice Albertine King, të bijën e Martin Luther King jr, lidhur me angazhimin për barazinë, kulturën e paqes dhe vlerën e mospëdorimit të dhunës. Aktiviste e apasionuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu si ati, e presidente e King Center të Atalantës, Bernice Albertine shikon një sintoni të madhe ndërmjet babait të saj e Papës Françesku, të cilin e ka takuar dy herë në Vatikan, gjatë viti 2018.

Jo vetëm SHBA-të, por mbarë bota u trondit thellë nga vdekja e George Floyd. Mendoni se këtë herë ndryshimi që, pas shumë vdekjesh të afro-amerikanëve duhet të kishte ndodhur, do të ndodhë, më në fund?

“Mendoj se botës i mjaftonte tensioni i shkaktuar nga pandemia e Covid-19 e kështu videoja, që tregoi se Gerge Floyd ishte mbytur në mënyrë tejet cinike, u bë akuzë e vërtetë për Amerikën e për botën. Forcat e rendit, organizatat dhe shoqatat fetare po u drejtohen liderëve zezakë, duke u kërkuar: “Çfarë duhet të bëj, për të shpëtuar?”. Shumë pyesin si mund të krijohet një atmosferë kulturore, që të sjellë barazinë e vërtetë racore. E edhe shumë reparte të forcave të rendit po rishikojnë mundësitë për mënyrat e zhvillimit të angazhimit të tyre në bashkësi. Besoj se këtë herë reagimet dhe përgjigjet do të jenë më të shumta e më të pasionuara, e do të ketë shumë më tepër të bardhë, që do të bashkohen me zezakët ndër protesta. Do të jemi gjithnjë më të bashkuar e do ta përqendrojmë vëmendjen në aksione strategjike për kauzën e përbashkët të drejtësisë”.

57 vjet më parë babai juaj shqiptoi fjalimin e famshëm “I have a dream” – “Unë kam një ëndërr”. Nuk dihet nëse do të realizohet shpejt kjo ëndërr. Por shpejt a vonë, prej saj nuk mund të hiqet dorë. Ç’do të bënte babai juaj  sot, në një situatë si kjo që po jetojmë?

“Besoj se im atë do të udhëhiqej nga filozofia e mospërdorimit të dhunës, në përkim me ecjen e tij mbas Krishtit! Besoj se do të kujtonte si arritëm në këtë pikë, historinë e dhunës, racizmin, padrejtësitë në kombin tonë, të cilin ai e quante “shtëpia e botës”. Pastaj do t’i afronte të rinjtë, për të mbështetur protestën. E do t’u kërkonte edhe “influencer-ve” të punonin për ta garantuar barazinë e drejtësinë në të gjitha fushat e jetës. Do t’u kërkonte edhe Kishave ta shprehin besojmën e tyre jo vetëm me fjalë por edhe e kryesisht, me vepra, duke u përpjekur për barazinë e njerëzve me ngjyrë jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën. E akoma, siç ka bërë shumë herë, do të përsëriste se dhuna nuk mund të zhduket me dhunë, sepse kjo është spirale, që të rrokullis në hon. Jam e sigurt se do të kërkonte mospërdorimin e dhunës, sepse vetëm kështu mund të ndërtohen Bashkësitë e dashurisë, e kjo do të thotë se do ta çrrënjoste “të keqen e trefishtë”, domethënë, racizmin, varfërinë, militarizmin!”.

Pas vdekjes së George Floyd Papa Françesku bëri thirrje të fuqishme, duke nënvizuar se nuk duhet t’i mbyllim sytë përballë racizmit. Kujtoi edhe se dhuna sjell vetëshkatërrim. Si u pritën këto fjalë?

“Jam dakord me Papën Françesku: dhuna sjell vetëshkatërrim, Mjetet që përdorim duhet të jenë në përkim me cakun, ku duam të arrijmë. E ky cak është paqja. Natyrisht nuk mund ta sigurojmë paqen, duke përdorur metoda të dhunshme. E kjo  përkon plotësisht me mendimin e babait tim. Ai thoshte - sepse e besonte, ashtu si e besoj edhe unë - se mospërdorimi i dhunës është përgjigjja që i duhet dhënë problemeve themelore politike e morale të kohës sonë. Në fjalimin e tij të fundit “U ngjita në maje të malit” - që e mbajti një natë para se ta vrisnin, pati thënë: “Nuk bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet dhunës e mospëdorimit të saj në botën tonë. Sot  duhet zgjedhur ndërmjet mospërdorimit të dhunës e mos-ekzistencës! Në këtë pikë kemi arritur!” E kjo është pikërisht pika, ku vijojmë të jemi edhe sot. Duhet të zgjedhim ndërmjet kaosit e bashkësisë. Dhuna çon në kaos. Mospëdorimi i saj, në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë, më njerëzore e më paqësore”.

 

21 qershor 2020, 11:28