Kërko

12 giugno  Giornata mondiale Onu contro lo sfruttamento lavoro minorile 12 giugno Giornata mondiale Onu contro lo sfruttamento lavoro minorile 

Mё 12 qershor Dita Botërore kundër Punës së Fëmijëve

Mё 12 qershor bie Dita Botërore kundër Punës së fëmijëve. Kudo nё botё, Kisha merr pjesë nëpërmjet nismave tё ndryshme, sivjet nё mënyrë tё veçantë, pёr shkak tё Kovid-19, gjithmonë nё mbrojtje tё fëmijëve dhe tё adoleshentëve nga puna e detyruar.

R.SH. - Vatikan

Mё 12 qershor, bie Dita Botërore kundër Punës së Fëmijëve, organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, agjenci e specializuar nga Kombet e Bashkuara.

Nё Diten Botërore Kundër Punës së Fëmijëve: jehon fuqishёm thirrja e Papës, pёrmes njё tweet-i, drejtuar institucioneve për të bërë çdo përpjekje tё mundshme për t’i mbrojtur fëmijët qё janё tё privuar nga fëmijëria e tyre dhe tё shfrytëzuar. Janё rreth 150 milion fëmijë tё shfrytëzuar në botë.

Shfrytëzimi i fëmijëve për punë është fenomen i dënueshëm, në rritje të vazhdueshme, posaçërisht në vendet e varfëra. Janë miliona të mitur, sidomos vajza të vogla, viktima të kësaj forme të fshehur të shfrytëzimit, që arrin shpesh deri në shpërdorime, keqtrajtime e diskriminime. Është skllavëri e vërtetë, kjo. E si gjithmonë, kudo nё botё, Kisha katolike merr pjesë, nëpërmjet nismave tё ndryshme, sivjet nё mënyrë tё veçantë, pёr shkak tё Kovid-19, po gjithmonë nё mbrojtje tё fëmijëve dhe adoleshentëve nga puna e detyruar.

Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, më 10 qershor, kërkoi me forcë mbrojtjen e të miturve! Pandemia - kujtoi - i shtyn fëmijët të punojnë për të ndihmuar familjet. Prandaj bëri thirrje t’i jepet fund plagës së punës të të miturve, “fenomen që ua rrëmben miturinë”. Në situatën e sotme fëmijët detyrohen të bëjnë punë krejt të papërshtatshme për moshën e tyre, që të ndihmojnë familjet në kushte varfërie të padurueshme. Nuk janë të pakta rastet e punës prej skllavi e edhe të përjashtimit nga radhët e shoqërisë - kujtoi Papa - duke përfunduar me një thirrje të fuqishme drejtuar qeverive, “që të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për t’i mbrojtur të miturit”.

Themeluar në vitin 2007, Dita Botërore kundër Punës së Fëmijëve frymëzohet nga raporti parё globale mbi punën e fëmijëve që u prezantua në Konferencës ndërkombëtare të punës në vitin 2002 dhe, që atëherë, ka nxitë një mobilizim të madh e të vazhdueshëm nga shoqëria, punëtorët, punëdhënësit dhe qeveritë e botës kundër kësaj plage tё tmerrshme, që godet sidomos vendet më të varfëra e ato në luftë.

Të punësosh një fëmijë, vënë në dukje studimet e fundit, do të thotë të vësh në rrezik shëndetin e tij mendor e fizik, duke e dënuar të miturin të ketë një jetë pa gëzime e pa arsimim. Ende sot, shumë fëmijë në botë nuk kanë liri të luajnë, të shkojnë në shkollë e përfundojnë të shfrytëzuar në punët e dorës. Kisha që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet vazhdimisht  për promovimin e njohjes  reale të të drejtave të fëmijëve.

Fëmijët e punësuar në botë arrijnë shifrën 150 milion, denoncon UNICEF-i, e kanë një moshë nga 5 deri në 14 vjeç. Shumica e tyre jetojnë në Afrikën subsahariane, në disa zona të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, në Lindjen e Mesme… Mundësia që këta fëmijë të jenë femra është shumë më e madhe se ajo e meshkujve.

Të shumta fushat, në të cilat përdoren fëmijët: nga punët e detyruara të shtëpisë si kuzhinier për ushtarët, në ushtarë ata vetë, në lajmëtarë që detyrohen të kalojnë edhe nëpër zona të rrezikshme, në mbartës të armëve të rënda, ose thjesht në ndihmës për ekonomitë e varfëra të familjeve të tyre, kur u duhet të lypin rrugëve. Për të mos folur për shfrytëzimin e fëmijëve në kampet e refugjatëve, ku shpesh mbeten vetëm, pasi janё shkёputur apo kanë humbur familjen.

Fillon të bëhet shqetësuese edhe gjendja e fëmijëve në vendet e prekura nga pandemia e koronavirusit Kovid-19, pastaj nё vendet, ku ata emigrojnë së bashku me familjen. Në disa raste ata shfrytëzohen për punë të zezë, si për shembull, mbledhja e domateve, ose përfundojnë në duart e trafikantëve të drogës e të prostitucionit. Shifrat janë akoma të pasigurta për shkak të vështirësive në regjistrimin e këtyre fëmijëve.

11 qershor 2020, 12:35